TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Shkurt 2026, 11:10

Nga agjent i Mossad-it te rrjeti që kryen vrasje rituale; teoritë e konspiracionit për Epstein, sa po konfirmohen?

Shkruar nga Nico Hoppe
Nga agjent i Mossad-it te rrjeti që kryen vrasje rituale; teoritë e
Jeffry Epstein

Dosjet Epstein supozohet të ofrojnë prova për abuzim të organizuar ritual me fëmijë dhe për një komplot hebre botëror. Mbi të gjitha, përforcohet imazhi i një elite të degjeneruar dhe djallëzore...

Si pasojë e valës më të fundit të publikimit të dokumenteve për Epstein-in, shumë vëzhgues, pavarësisht bindjeve të tyre politike, ndoshta kanë ndier një lloj lehtësimi. Në fund të fundit, thonë ata, gjithmonë e kanë ditur: elitat e pasura nuk janë vetëm të korruptuara, por edhe perverse. Kush ngjitet kaq lart, duhet të ketë diçka për të fshehur.

Këngëtari Xavier Naidoo, i cili prej vitesh bie në sy për përhapjen e teorive konspirative, foli në një demonstratë në Berlin për “ngrënës fëmijësh” dhe “demonë”, të cilëve do të dëshironte t’u jepte ndëshkimin e merituar. Edhe për Joe Rogan, një nga podkasterët më të njohur në botë, është e përfytyrueshme ekzistenca e një elite të degjeneruar që abuzon sistematikisht me fëmijë. Rogan ka spekuluar së fundmi për mundësinë e flijimeve satanike të organizuara nga shoqëri sekrete që veprojnë prej shekujsh në nivelet më të larta. Për besimtarët e këtyre konspiracioneve, dosjet Epstein përbëjnë tashmë provën përfundimtare të një rrjeti global pedofilësh vrasës.

Akuza për pedofili nuk është vërtetuar

Në shikim të parë, siç thuhet shpesh tani, hapen humnera tronditëse. Indikacionet se Jeffrey Epstein – i dënuar për krime seksuale që nga viti 2008, në kundërshtim me vetëparaqitjen e tij si filantrop, ka organizuar prostitucion të detyruar dhe trafikim njerëzish, pjesërisht me të mitur, duket se për shumëkënd po përforcohen, edhe pse hetimet nuk kanë përfunduar.

Në një shikim të dytë, dosjet Epstein rezultojnë më pak tronditëse nga sa mendohet: veprimtaritë e supozuara të errëta janë të dokumentuara hapur, shumë nga e-mailet e Epstein-it janë banale, ndërsa akuzat për fajësi përmes lidhjeve shoqërore duken të tepruara në sfondin e rrjetit të tij të gjerë të kontakteve.

Edhe akuza për pedofili mbetet deri më tani një fantazi, nëse merret parasysh se një prirje pedofilie i referohet tërheqjes seksuale ndaj fëmijëve para pubertetit. Krime të tilla seksuale nuk i janë provuar Epstein-it deri më sot.

Megjithatë, pjesë të mëdha të publikut kërkojnë histori tronditëse që konfirmojnë atë që kanë ndier gjithmonë. Për këtë arsye, shumë përdorues në rrjetet sociale u përqendruan në ato dokumente hetimore të publikuara që përmbajnë dëshmi me përshkrime pjesërisht absurde për vrasje rituale dhe sakrifica njerëzore. Bëhet fjalë për deklarata të disa informatorëve pjesërisht anonimë, të cilat hetuesit i kanë vlerësuar si jo të besueshme, gjë që është shënuar qartë në dokumentet e aksesueshme publikisht. Viktimat që janë shfaqur publikisht nuk kanë përshkruar asgjë të ngjashme.

Kanibalizëm dhe vrasje fëmijësh

Këto dëshmi paraqesin ngjashmëri të forta me legjendat horror që u shfaqën gjatë “Satanic Panic” në vitet 1980 dhe që vazhdojnë pjesërisht të ekzistojnë në diskursin mbi abuzimin ritual me fëmijë. Kujtimet e viktimave të supozuara masive përqendrohen në abuzim të organizuar me ndikim okult dhe, për nga përmbajtja, ngjajnë me “120 Ditët e Sodomës” të Markezit de Sade: konsumim i lëngjeve trupore dhe jashtëqitjeve, praktika seksuale sadiste, incest, kanibalizëm, vrasje fëmijësh.

Si arsye për rikthimin e vonuar të fragmenteve të kujtesës, viktimat përmendin shtypjen e kujtimeve ose kontrollin e imponuar të mendjes. Ndryshimi me thashethemet e sotme për elitën djallëzore është se në rastet e mëparshme të dhunës rituale, të akuzuarit ishin persona pranë viktimave, fqinjë, sekte lokale apo edhe familjarë.

Studimet kulturore e interpretojnë “Satanic Panic” sot si një fenomen histerie. Ai shërbeu nga njëra anë për të përpunuar zhvendosje dhe pasiguri reale shoqërore e kulturore. Nga ana tjetër, që prej lindjes së tij, krijoi një tërheqje të madhe popkulturore në formën e muzikës metal apo filmave horror që flirtojnë me okulten.

Ajo që në SHBA shërbeu si material për indinjatë për qarqet radikale-evangjelikale dhe për shtypin tabloide, tashmë është sediment kulturor: historitë për komplote, mizori të fshehta dhe sferën e privilegjuar të famës mbeten tërheqëse.

Kënaqësia e frikës çliron fantazi

Tensioni shtohet kur vizionet kolektive të makthit duket se depërtojnë papritur në përditshmërinë e zakonshme. Publicistja Katharina Rutschky, në debatet dramatizuese për abuzimin me fëmijë në vitet 1990, foli për një “voajerizëm empatik”: ajo kritikoi faktin që debatet vizatonin fantazi të ngarkuara me kënaqësi frike. Sipas saj, pakënaqësia kulturore ndaj karakterit ambivalent të seksualitetit zhvendoset jashtë dhe personifikohet në figurën e shthurur të kriminelit seksual.

Ajo që zmbraps, njëkohësisht edhe magjeps. Kjo u pa 10 vjet më parë me teorinë konspirative “Pizzagate”. Në platformën 4chan, disa përdorues pretenduan se në e-mailet e zbuluara të këshilltarit politik John Podesta fshihej një gjuhë e koduar për të komunikuar në fshehtësi rreth abuzimit me fëmijë. Fjala “pizza” do të nënkuptonte vajza, ndërsa një piceri në Uashington (DC) do të ishte qendra e organizimit të abuzimit. Rrjeti që adhuronte djallin dhe përbëhej nga pedofilë sadistë do të shtrihej deri në nivelet më të larta politike dhe në botën e yjeve të Hollivudit, thuhej.

Nga e-maile të shpërndara u ndërtua me përpikëri një komplot global, sikur të donin t’i provonin vetes se, ndryshe nga “ata lart”, ata vetë nuk ishin korruptuar. Të paktën këtë avantazh e kishin ndaj të bukurve, të pasurve dhe të fuqishmëve, një përfytyrim ngushëllues që e bën rrëqethjen edhe më të këndshme. Mbështetësit e “Pizzagate” shpresonin para zgjedhjeve amerikane të vitit 2016 se Donald Trump, pas fitores, do të pastronte kënetën dekadente e perverse të establishmentit.

Për kënaqësinë e pakufizuar të fantazive ndëshkuese, filozofi Max Horkheimer shkroi: “Sa masë e jashtëzakonshme dëshirash të shtypura për kënaqësi instinktive jo thjesht gjenitale duhet të banojë te njerëzit, që ata janë gjithmonë gati për zemërim sapo dëgjojnë fjalën perversitet.” Ai shtoi: “Asnjë torturë nuk është mjaft e tmerrshme, asnjë nuk mjafton për turmat, sepse asnjë nuk është aq e fortë sa të shuajë zjarrin brenda tyre.”

Të shohësh modele aty ku nuk ka

Në vitin 2026, miti i shpëtimtarit është zhgënjyer, por “Pizzagate” nuk është zhdukur. Meqë edhe në e-mailet e Epstein-it shfaqen terma dhe formulime, konteksti dhe kuptimi i të cilëve nuk kuptohen menjëherë, disa e shohin këtë si konfirmim se po përdoret një gjuhë e fshehtë për veprimtari demonike.

Ish-prezantuesi i lajmeve Tucker Carlson përpiqet ta lidhë “Pizzagate” me dosjet Epstein, përpara një audience prej miliona njerëzish që dyshon për gjithçka, përveç dyshimit të vet si parim. Klikimet janë të sigurta, sepse të gjithë duan të marrin pjesë në kërkimin e “gjurmëve”. Apofeni, nga greqishtja e vjetër “apophaínein”, që do të thotë të shfaqësh ose të bësh të dukshme, quhet perceptimi patologjik i modeleve, lidhjeve dhe mesazheve të fshehta që në fakt nuk ekzistojnë.

Skandali Epstein, sado e madhe të ketë qenë energjia kriminale pas tij, zbulon se si dëshirohet të shihet e pabesueshmja dhe çnjerëzorja në veprimet e të fuqishmëve. Logjika është: kush ka mundësi të pakufizuara, nuk i përmbahet kufijve civilizues. Aq më pak para tabusë për të cilën bien dakord të gjithë: cenimit të integritetit fizik të fëmijëve. Disa reagime online lexohen si elegji për pafajësinë personale përballë një bote monstruoze. Kush nuk e shpall publikisht tronditjen e vet, bëhet i dyshimtë.

Imazhe me AI të Epstein-it në Izrael

Nuk është për t’u habitur që e gjithë kjo lidhet me fantazi të vjetra antisemitike. Hebrenjtë ishin në qendër të legjendave mesjetare për vrasje rituale. Ata akuzoheshin jo vetëm për vrasje sistematike të fëmijëve të krishterë, por edhe për pirjen e gjakut ose përdorimin e tij për pjekjen e bukës. Një variant i këtyre historive u shfaq disa vite më parë në teorinë konspirative QAnon, e cila akuzonte elitën se pinte gjak fëmijësh për t’u rinovuar.

Në disa raste, këto rituale okulte i atribuohen drejtpërdrejt judaizmit rabinik ose Kabales, traditës së mistikës hebraike. Paralelisht, në rrjetet sociale përhapen imazhe të krijuara me inteligjencë artificiale që e paraqesin Epstein-in si të gjallë në Izrael. Pretendohet se ai ishte agjent i shërbimit sekret izraelit, Mossad.

Në imagjinatën e atyre që janë të fiksuar pas Epstein-it, elitat përfaqësojnë armiq të mbinjerëzorë dhe të degjeneruar të njerëzimit, që e konsiderojnë veten të zgjedhur. Për ideologun rus nacionalist Aleksandr Dugin, Epstein është madje mishërimi i liberalizmit, “thelbi i botës moderne”.

Antisemitizmi që shprehet në këtë ringjallje të frikërave dhe patologjive të pavetëdijshme nuk është nënprodukt i një dyshimi të arsyeshëm. Sipas autorit, armiqësia ndaj hebrenjve është rezultati i pritshëm i një etjeje për sensacion, për të cilën dokumentet Epstein shërbejnë vetëm si mjet për të konfirmuar në imagjinatë bindjen për ekzistencën e elitave anormale. /Përshtatur nga NZZ/

 

epstein konsipracion hetimet

Lini një Përgjigje