Në një intervistë për revistën The Atlantic vitin e kaluar, Trump tha:“Herën e parë kisha dy gjëra për të bërë: të drejtoja vendin dhe të mbijetoja. Herën e dytë, unë drejtoj vendin dhe botën.”
Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ndaj aleatëve para shpërthimit të luftës me Iranin ishte i ngjashëm me një slogan të famshëm në një xhaketë të veshur dikur nga ish-zonja e parë Melania Trump: “Nuk më intereson fare. Po ty?”
Administrata Trump jo vetëm që shmangu ndërtimin e koalicioneve dhe nuk kërkoi legjitimitet diplomatik, si në Luftën e Gjirit 1990-1991 apo edhe në pushtimin e Irakut në vitin 2003, por nisi ofensivën së bashku me Izraelin pa paralajmëruar shumë nga partnerët e saj.
Një zyrtar amerikan tregoi për CNN një shembull domethënës: një anëtar i lartë i qeverisë italiane ndodhej në Dubai kur filloi ofensiva dhe nuk kishte dijeni për të.
“Mendoni për mungesën themelore të koordinimit që kjo përfaqëson: ministri i mbrojtjes i një prej aleatëve më të afërt të SHBA-së ndodhej në rajon kur nisi operacioni dhe nuk e dinte fare.”, tha ai.
Nëntë ditë pas fillimit të luftës, konflikti ka tërhequr botën më thellë në një situatë të paqëndrueshme që tashmë karakterizon politikën amerikane në epokën e Donald Trump.
Pasojat e menjëhershme të goditjeve
Goditjet fillestare të SHBA-së dhe Izraelit, të cilat vranë liderin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, shkaktuan një krizë rajonale të menjëhershme.
Qeveritë evropiane dhe ato të Lindjes së Mesme u përballën papritur me një luftë që nuk ishte e tyre dhe që shumica nuk e dëshironin.
Autoritetet u detyruan të organizonin evakuimin e qytetarëve nga zona e konfliktit. Çmimet e energjisë u rritën ndjeshëm, duke goditur ekonomitë e brishta, ndërsa tensionet politike u shtuan në shumë vende.
Në shtetet e Gjirit Persik, aleatët e SHBA-së u përballën me sulme me dronë dhe raketa që tronditën stabilitetin e qyteteve moderne të rajonit dhe ndërprenë një nga nyjet kryesore të aviacionit global.
Ndërkohë, disa aleatë kanë filluar të shprehin pakënaqësi për shkak të kostove ekonomike në rritje, rrezikut të një krize refugjatësh nëse Irani destabilizohet dhe ekspozimit të qytetarëve të tyre ndaj pasojave të konfliktit.
Megjithatë, pavarësisht triumfalizmit të administratës amerikane dhe krahasimeve të kritikëve me luftën e Irakut, është ende herët për të gjykuar se si mund të përfundojë ky konflikt.
Sulmet intensive ajrore amerikano-izraelite mund të dobësojnë ndjeshëm aftësinë e Teheranit për të kërcënuar fqinjët e tij. Kjo mund të përforcojë pozitën e Trump si një figurë e fortë në rajon, të rrisë sigurinë e Izraelit dhe të shërbejë interesat strategjike të SHBA-së pas afro 50 vitesh armiqësi me Republikën Islamike.
Megjithatë, nëse nuk ndodh një ndryshim i plotë regjimi, popullsia iraniane mund të përballet me represione të brendshme. Në rast se shteti iranian shpërbëhet dhe vendi futet në luftë civile, pasojat ekonomike dhe humanitare mund të destabilizojnë rajonin dhe më gjerë.
“Qëndroni të qetë dhe mos i poshtëroni”
Lufta ka krijuar realitete të reja gjeopolitike për vendet perëndimore dhe ato të Lindjes së Mesme që, siç thonë disa diplomatë, “nuk mund të jetojnë me Trump, por as pa të.”
Disa analistë pyesin pse aleatët evropianë dhe arabë nuk e parashikuan këtë zhvillim. Konflikti shihet si shprehje e doktrinës “America First”, që përdor fuqinë ushtarake amerikane për të imponuar një interpretim të ri të interesave të SHBA-së.
Një diplomat evropian tha për CNN se motivi kryesor për çdo përfshirje ushtarake është “mbrojtja e interesave kombëtare.”
Diplomatë të tjerë theksuan se menaxhimi i marrëdhënies me Trump është gjithashtu një interes strategjik.
“Për momentin po përpiqemi të qëndrojmë të qetë dhe të mos i poshtërojmë. Një qasje armiqësore mund të ketë efekt të kundërt.”, tha diplomati evropian.
Julien Barnes-Dacey nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë tha se Evropa është kapur në befasi.
“Evropianët po reagojnë çdo ditë ndaj kapriçove të një presidenti amerikan që po shkakton përçarje të mëdha...Ata ndodhen mes dy zgjedhjeve të vështira: nga njëra anë duan të mbrojnë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, ndërsa nga ana tjetër përpiqen të ruajnë marrëdhënie të mira me Trump.”, tha ai.
Evropianët mes kritikës dhe pragmatizmit
Megjithëse shumë qeveri evropiane janë të tronditura nga përbuzja e Trump ndaj institucioneve ndërkombëtare, dobësia e tyre ushtarake i detyron të jenë të kujdesshme.
Nicholas Dungan, drejtues i kompanisë së konsulencës strategjike CogitoPraxis, tha:
“Është shumë e thjeshtë të thuhet se evropianët janë mbrojtës të pakushtëzuar të së drejtës ndërkombëtare. Shumica e tyre po mbajnë një qëndrim të tillë: do të dënojmë metodat, por do të pranojmë motivet...Ndërsa SHBA-ja dhe Izraeli vazhdojnë luftën që nisën, evropianët përpiqen të angazhohen pa u angazhuar plotësisht dhe të premtojnë pa u zotuar.”
Presidenti Trump duket se nuk shqetësohet për këto përpjekje.
“Nuk më intereson fare. Ata mund të bëjnë çfarë të duan.”
Konflikti ka goditur gjithashtu marrëdhëniet transatlantike, të cilat tashmë ishin të tensionuara pas kërkesës së Trump që Groenlanda të bashkohej me SHBA-në.
Marrëdhënia tradicionale mes SHBA-së dhe Britanisë së Madhe është përkeqësuar pasi Londra fillimisht refuzoi të lejonte përdorimin e bazave të saj për misione ajrore. Kryeministri Keir Starmer dënoi atë që e quajti “ndryshim regjimi nga qielli.”
Reagimi i shteteve të Gjirit
Ndërkohë që Evropa përballej me pasojat diplomatike dhe ekonomike, situata në Gjirin Persik u përshkallëzua më shpejt.
Sulmet iraniane me raketa dhe dronë goditën Kuvajtin, Arabinë Saudite, Omanin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin dhe Bahreinin.
Ndërprerja e prodhimit të gazit të lëngshëm në Katar dhe bllokimi i ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret kryesore të transportit të naftës në botë, kanë krijuar pasoja të mëdha ekonomike.
Megjithatë, administrata Trump duket se u surprizua nga reagimi i Iranit.
Një zyrtar ushtarak izraelit tha se para luftës ishte parashikuar “një probabilitet i lartë që bazat amerikane në rajon të goditeshin.”
“Ne nuk e parashikuam plotësisht shkallën në të cilën Irani do të godiste objektiva civile në shtetet e Gjirit. Fatkeqësisht kjo është bërë pjesë e strategjisë së tyre.”, tha ai.
Paul Musgrave, profesor në Universitetin Georgetown në Katar, tha se administrata amerikane mund ta ketë nënvlerësuar reagimin iranian.
“Duket se ata mendonin se iranianët po bënin blof. Iranianët nuk e kanë shkatërruar Dohën apo Dubain, por kanë treguar se janë në gjendje të prishin jetën në rajon.”
Çfarë kërkon Amerika nga aleatët?
Përfundimi i luftës mund të paraqesë sfida të reja për aleatët e SHBA-së.
Një regjim i reformuar në Iran mund të jetë më pak kërcënues jashtë vendit, por do të kërkonte mbikëqyrje të vazhdueshme ushtarake. Një qeveri e dominuar nga elementë të Gardës Revolucionare mund të përqendrohej në represion të brendshëm, por të vazhdonte të krijonte tensione rajonale.
Ekziston gjithashtu frika se Trump mund të shpallë fitore dhe të tërhiqet, duke lënë të tjerët të përballen me pasojat.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth kritikoi aleatët evropianë duke thënë se ata “shprehin shqetësime dhe hezitojnë për përdorimin e forcës.”
Analistja Sophia Gaston nga King’s College London thotë se SHBA-ja pret tre gjëra nga aleatët e saj: përputhje strategjike, përputhje kulturore dhe kapacitete të forta ushtarake.
“Sa më shumë që një vend si Britania investon në forcën dhe kapacitetin e tij sovran, aq më tërheqës bëhet si partner për Shtetet e Bashkuara dhe aq më mirë mund të mbrojë interesat e veta.”
Një botë që po ndryshon
Në vendet e Gjirit, qëndrimet ndaj SHBA-së do të varen nga pasojat e luftës dhe nga sjellja e Iranit.
“Nëse je një banor i zakonshëm i Gjirit, je të paktën i zemëruar ose i irrituar me SHBA-në dhe edhe më shumë me Izraelin.Por ata që po qëllojnë ndaj nesh nuk janë SHBA-ja apo Izraeli. Është Irani.”, tha Paul Musgrave.
Disa analistë mendojnë se tensionet mund të shtyjnë disa vende arabe të përshpejtojnë normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi për Fox News se beson se kjo luftë mund të jetë “një portë drejt paqes” me Arabinë Saudite.
Megjithatë, disa ish-zyrtarë izraelitë paralajmërojnë për shqetësime në rritje në rajon.
“Disa vende pyesin nëse rrëzimi i Iranit po bëhet vetëm që Izraeli të shfaqet si hegjemoni i ri rajonal.”
Një strategji me rrezik të lartë
Pasojat e luftës me Iranin janë të thella dhe vazhdojnë të zgjerohen.
Qasja karakteristike e Trump është të rrëzojë strukturat ekzistuese dhe më pas të shpallë fitore pasi situata të stabilizohet.Në Lindjen e Mesme, kjo strategji mbart rreziqe të mëdha dhe është e vështirë të parashikohet për aleatët.
Në një intervistë për revistën The Atlantic vitin e kaluar, Trump tha:
“Herën e parë kisha dy gjëra për të bërë: të drejtoja vendin dhe të mbijetoja. Herën e dytë, unë drejtoj vendin dhe botën.”
Sipas shumë analistëve, lufta me Iranin tregon se sa e paqëndrueshme mund të jetë kjo qasje për rendin ndërkombëtar./ Përshtatur nga CNN
Doni ka qejf the thirret Don e ka pas vehtes edhe Don te tjere, qe e fryjne te behet kaposh. Me sa thote historia Donet kur groposen i varrosin permbys. Rrumuje e rrumuje te eliminohen borxhet e te te dalin nga balta qe jane zhytur te tera qeverite qe jane ne borxhe. Te shohim se cdo ndodhe.