
Gjykata Supreme e Brazilit vendosi që ish-Presidenti Jair Bolsonaro duhet të qëndrojë në arrest shtëpiak, përpara gjyqit të tij për një komplot të dyshuar për grusht shteti, duke nënvizuar vendosmërinë e gjykatës pavarësisht përshkallëzimit të tarifave dhe sanksioneve nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump.
Gjyqtari i Gjykatës së Lartë Alexandre de Moraes, i cili ëhstë vendoisur nën sanksione nga Thesari i SHBA-së javën e kaluar, lëshoi urdhrin e arrestit kundër Bolsonaros. Vendimi i tij përmendi mosrespektimin e urdhrave kufizues që ai i kishte vendosur Bolsonaros për dyshimin se kishte nxitur ndërhyrjen e Trump në këtë çështje.
Bolsonaro është në gjyq para Gjykatës së Lartë me akuzat se ai komplotoi me aleatët për të përmbysur me dhunë humbjen e tij zgjedhore të vitit 2022 ndaj presidentit të majtë Luiz Inacio Lula da Silva. Trump e ka quajtur rastin një "gjueti shtrigash" dhe e ka quajtur atë bazë për një tarifë prej 50% mbi mallrat braziliane që hyn në fuqi të mërkurën.
Departamenti Amerikan i Shtetit dënoi masën e arrestit shtëpiak, duke thënë se Moraes po përdorte institucionet braziliane për të heshtur opozitën dhe për të kërcënuar demokracinë, duke shtuar se SHBA-të do të "mbanin përgjegjës të gjithë ata që ndihmojnë dhe inkurajojnë sjelljen e sanksionuar".
Trump ka paralajmëruar se SHBA-të mund të vendosin tarifa edhe më të larta për importet braziliane.
Urdhri i së hënës nga Moraes gjithashtu i ndaloi Bolsonaros përdorimin e një telefoni celular ose pranimin e vizitave, përveç avokatëve të tij dhe personave të autorizuar nga gjykata.
Një përfaqësues shtypi i Bolsonaros konfirmoi se ai u vu në arrest shtëpiak të hënën në mbrëmje në rezidencën e tij në Brasilia nga policia, e cila i sekuestroi telefonin celular.
Avokatët e Bolsonaros thanë në një deklaratë se do ta apelojnë vendimin, duke argumentuar se ish-presidenti nuk kishte shkelur asnjë urdhër gjykate.
Në një intervistë me Reuters muajin e kaluar, Bolsonaro e quajti Moraes një “diktator” dhe tha se urdhrat kufizues kundër tij ishin akte “frikacakërie”.
Disa aleatë të Bolsonaros janë shqetësuar se taktikat e Trump mund të kenë efekte të kundërta në Brazil, duke i shtuar probleme Bolsonaros dhe duke mbledhur mbështetje publike për qeverinë e majtë të Lulës.
Lini një Përgjigje