
Detaje të reja për avionin e humbur mbi Ankara, humbin jetën 4 persona
Një avion privat i tipit Dassault Falcon 50, i cili transportonte një delegacion ushtarak libian, është rrëzuar mbrëmjen e së martës (23 dhjetor) në zonën rurale të Haymana-s, në jug të Ankarasë, duke shkaktuar humbjen e jetës së katër personave në bord.
Sipas autoriteteve turke, mes viktimave ndodhet edhe gjenerali Mohamed Ali Ahmed Al-Haddad, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Libisë.
Lajmi u konfirmua nga ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, i cili sqaroi se avioni ishte ngritur nga Aeroporti Esenboğa i Ankarasë, me destinacion Tripolin, por pak minuta pas ngritjes, kishte njoftuar për një defekt teknik, konkretisht një problem me sistemin elektrik.
Sipas të dhënave paraprake, piloti kishte komunikuar me kullën e kontrollit, duke kërkuar leje për ulje emergjente, por kontakti me radarët u ndërpre papritur dhe avioni u zhduk nga pamja.
#SONDAKİKA DÜŞEN JETTEN İLK GÖRÜNTÜ!!
— Hakan Uludağ (@hakanuludaggzt) December 23, 2025
Ankara, Esenboğa'dan havalanan Libya Genelkurmay Başkanını taşıyan özel jet radardan kaybolmuştu, uçağın düşüşüne ait ilk görüntü ortaya çıktı.
Ankara hava sahası olay nedeniyle uçuşlara kapatıldı.
Milli Savunma Bakanı Yaşar Güler ve Libya… pic.twitter.com/WQjH22jQT6
Pas disa orësh kërkimi, njësitë e xhandarmërisë turke lokalizuan rrënojat e avionit rreth 2 kilometra në jug të fshatit Kesikavak, në rajonin Haymana.
"Mbetjet e aeroplanit që u ngrit nga Aeroporti Esenboga i Ankarasë me destinacion Tripolin u gjetën nga xhandarmëria 2 kilometra në jug të fshatit Kesikavak, në rajonin Haymana", njoftoi ministri.
Në bord ndodheshin gjithsej katër persona: gjenerali libian, një anëtar tjetër i delegacionit, piloti dhe ndihmësi i tij. Të gjithë humbën jetën në vendngjarje.
Burime turke konfirmojnë se gjenerali Al-Haddad kishte zhvilluar më herët një takim zyrtar me ministrin turk të Mbrojtjes, Yaşar Güler, gjatë një vizite zyrtare në Ankara, në kuadër të bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve.
Autoritetet turke kanë nisur një hetim të plotë teknik, ndërsa ekspertët e aviacionit civil dhe prokuroria janë përfshirë në analizimin e shkaqeve të aksidentit. Nuk përjashtohet as mundësia e ndonjë defekti teknik më të thellë apo gabimi njerëzor.
Ngjarja ka shkaktuar reagime në Tripoli, ku Ministria e Mbrojtjes së Libisë ka shpallur ditë zie kombëtare për nder të komandantit të saj më të lartë ushtarak.
Hapësira ajrore në zonën e Ankarasë u mbyll përkohësisht për arsye sigurie, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit në vendin e rrëzimit vijojnë për grumbullimin e provave dhe të dhënave të nevojshme për hetim.
Lini një Përgjigje