Kriza globale e borxhit funksionon njëlloj si karta juaj e kreditit, por shumë, shumë më keq. Vetëm vendet në zhvillim kanë një borxh prej gati 31 trilionë dollarësh, kryesisht bankave në Nju Jork dhe Londër. Ato u japin para me interesa të larta, dhe nëse debitorët nuk paguajnë dot, i hedhin ne gjyq dhe fitojnë disa herë më shumë sesa shuma fillestare...
Ashtu si shumë amerikanë, shumica e vendeve të botës janë në borxhe të mëdha. Vetëm vendet në zhvillim kanë një borxh prej gati 31 trilionë dollarësh. Nëse shpërndahet për gjithë popullsinë e botës, mbi 8 miliardë njerëz, secilit i bie nga 3.750 dollarë.
Ose që Jeff Bezos të organizojë një dasmë prej 50 milionë dollarësh në Venecia çdo fundjavë për 11.900 vitet e ardhshme. Ose të paktën në teori, për të zgjidhur problemin e urisë në botë. Por në vend të kësaj, shumë vende në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine janë të ngarkuara me aq shumë borxhe, saqë sot më shumë se 3 miliardë njerëz, mbi një e treta e njerëzimit, jetojnë në vende që shpenzojnë më shumë për pagesat e interesit të borxhit sesa për kujdesin shëndetësor apo arsimin.
Kjo nuk është ndonjë gjë e re. Por problemi është përkeqësuar shumë vitet e fundit si pjesë e një cikli vicioz që do të jetë shumë i njohur për shumicën e amerikanëve që kanë mbetur ndonjëherë prapa me pagimin e faturës së kartës së kreditit apo një kësti të kredisë studentore.
Ti merr një kartë krediti të re për të pretenduar se mund ta paguash të vjetrën. Pavarësisht se sa paguan çdo muaj, në njëfarë mënyre shuma që ke borxh duket se rritet vit pas viti. Dhe nëse një fatkeqësi të godet në momentin më të keq të mundshëm, qoftë një uragan apo një urgjencë mjekësore, atëherë harroje se mund ta shlyesh.
Për vendet e varfra, ashtu si me njerëzit, borxhi shndërrohet në një gropë financiare pa fund në horizont.
“Është si Hotel California. Mund të regjistrohesh kur të duash, por nuk mund të largohesh kurrë prej andej”- thotë Penelope Hawkins, zyrtare e lartë e çështjeve ekonomike në Kombet e Bashkuara, e fokusuar te borxhi dhe financimi i zhvillimit.
Dhe kur kriza bëhet mjaftueshëm e thellë, vendet me borxhe ndalojnë së ndërtuari spitale, ashtu si amerikanët me borxhe të thella heqin dorë nga kujdesi shëndetësor dhe vizitat te dentisti. Kombet i shkurtojnë fondet për shkollat e tyre. Ekonomitë e tyre ngadalësohen. Dhe vlerësimi i tyre i kreditit bie, gjë që do të thotë se çdo kredi e ardhshme do të jetë edhe më e shtrenjtë.
“Këto nuk janë vetëm statistika. Kjo krizë mishërohet në më shumë sëmundje, shëndet më të dobët të popullatës dhe vdekje vjetore të shtuara”- mendon Joel Curtain, drejtor i lobimit në Partners in Health, që lobon për reformën e sistemit me synim gjetjen e një zgjidhjeje për borxhet shumë të larta.
Për të kuptuar një pjesë të dëmshme të mënyrës se si funksionon e gjithë kjo, mos kërkoni më tej se një grusht fondesh spekulative në Manhattan që kontrollojnë fatin financiar të vendeve të tëra, ashtu siç mund të kontrollojnë hipotekën tuaj dhe borxhin tuaj shumë fitimprurës të kartës së kreditit.
Kushtet e kontratave të borxhit të shumicës së vendeve të njohura edhe si obligacione sovrane nuk trajtohen nga ndonjë organ ndërkombëtar ose brenda vendit debitor. Ato ndahen midis juridiksionit të gjyqtarëve në dy qendrat më të mëdha financiare në botë: Nju Jorkun dhe Londrën.Tek e fundit, aty janë edhe paratë.
Ndërkohë mijëra kilometra larg, janë njerëzit e zakonshëm që përballen me pasojat e fshehura, por të thella të asaj marrëveshjeje për borxhin që shkoi keq. Janë pikërisht ata që do të vuajnë më shumë kur të hyjnë në fuqi shkurtimet e shpenzimeve qeveritare, kur të dyfishohet çmimi i bukës, kur të mbipopullohen klasat e fëmijëve të tyre dhe kur spitalet të kenë probleme me energjinë elektrike.
Kurthi i borxhit
Në thelb, të marrësh borxh nuk ka asgjë të gabuar. Ecja përpara kushton para. Nëse dëshiron një punë me pagë të mirë, ndoshta duhet të shkosh në universitet. Dhe nëse familja nuk t'i mbulon dot shpenzimet, atëherë ndoshta duhet të marrësh kredi.
E njëjta gjë vlen edhe për vendet. Ato duan të rritin ekonominë, të ndërtojnë shkolla, të sigurojnë stafe për spitale dhe të investojnë në infrastrukturë. Dhe nëse nuk janë të pasura, atëherë e vetmja mënyrë për t’i përballuar shpenzimet është të marrin kredi.
“Asnjë vend nuk është rritur pa njëfarë borxhi. Asnjë vend nuk është zhvilluar pa borxhe,” thotë Hawkins. Për shembull, Vietnami ishte dikur një nga vendet më të varfra në botë. Por një sërë reformash ekonomike në fund të viteve 1980, të shoqëruara nga 26 miliardë dollarë kredi nga Banka Botërore që nga viti 1993, e katapultuan vendin në klasën e mesme globale, duke e zhdukur pothuajse tërësisht varfërinë ekstreme.
Problemi është se kreditë që marrin sot vendet e varfra janë bërë kaq të shtrenjta dhe rritja ekonomike që ato supozohet të nxisin është shpesh kaq e ngadaltë, saqë ato nuk mund t’i kthejnë dot kurrë. Interesi shtohet përpara se të vijnë fitimet. Dhe nuk është çudi që fatura vetëm sa fryhet me kalimin e viteve.
Vendet në zhvillim e kanë parë borxhin e tyre total të rritet me pothuajse 160 për qind gjatë dekadës së fundit. Më shumë se 60 prej këtyre vendeve tani shpenzojnë më shumë se 10 për qind të të ardhurave të tyre qeveritare për pagesat e interesit.
Një amerikan mund të pyesë: Por a nuk u detyrohen SHBA-të miliarda dollarë edhe kreditorëve të tyre? Po, por një vend i pasur si Shtetet e Bashkuara merr hua në monedhën e vet dhe pothuajse gjithmonë mund të marrë kredi më të lira për të shlyer ato të vjetrat.
Kjo do të thotë që borxhi kombëtar ndikon rrallë në jetën e amerikanëve të zakonshëm. SHBA-të s’kanë nevojë të shkurtojnë ndihmën sociale apo të ndalojnë së paguari për mirëmbajtjen e rrugëve për të menaxhuar borxhin e tyre për një kohë të pacaktuar. Të paktën jo ende. Por vendet më të varfra nuk e kanë këtë luks.
Ashtu si amerikanët me të ardhura të ulëta që shpesh përballen me norma interesi të larta nëse duan të marrin para hua, edhe vendet me të ardhura të ulëta përballen me të njëjtën situatë. Kombet afrikane paguajnë mesatarisht 10 për qind interes vjetor për kreditë e tyre, ndërsa normat e interesit për vendet e pasura si SHBA-ja janë zakonisht nën 3 për qind.
Dhe këtu arrijmë te Wall Street. Sepse kreditorët privatë, si fondet spekulative dhe kompanitë e sigurimeve, mbajnë gjithnjë e më shumë pjesën më të madhe rreth 60 për qind në vitin 2023 të borxhit të jashtëm të vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, një tendencë që ka qenë në rritje që nga viti 2010.
Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Për pjesën më të madhe të shekullit XX, kur një vend në zhvillim kishte nevojë për financim, zakonisht i drejtohej Klubit të Parisit, një grupim joformal i vendeve kreditore perëndimore, ose institucioneve shumëpalëshe të kontrolluara nga Perëndimi, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Por në fillim të viteve 2000, Klubi i Parisit tërhoqi huadhënien pasi një fushatë proteste e mbështetur edhe nga Vatikani kërkoi t’u faleshin miliarda dollarë borxhe vendeve të varfra. Pastaj erdhi kriza e madhe e viteve 2008–2010 dhe normat e interesit ranë ndjeshëm, duke i detyruar kreditorët privatë të kërkonin një mënyrë të re për të fituar para.
Atë e gjetën në vendet e varfra, ku mund të aplikonin norma interesi shumë më të larta sesa në vendet e pasura. Në fakt, obligacionet u bënë aq pa fitim në vende si Gjermania, saqë kaluan në vlerën minus disa vjet pas krizës financiare, ndërsa normat e interesit në të gjithë Afrikën luhateshin mbi 5 për qind.
Kështu lindi biznesi modern i borxhit sovran. Dhe këto kompani private fituan shumë nga ato kredi me interes të lartë.
“Të japësh hua është një biznes i mirë”- thotë Martín Guzmán, ekonomist dhe ish-ministër i ekonomisë i Argjentinës. Dhe në fakt pak vende e dinë këtë aq mirë sa Argjentina.
Pas zhytjes në borxhe të mëdha, një sërë reformash neoliberale të detyruara nga FMN-ja dhe një krizë ekonomike dobësuese, vendi ndaloi së paguari borxhin e tij prej 100 miliardë dollarësh në pragun e Krishtlindjeve të vitit 2001.
Ishte dështimi i dytë më i madh i borxhit sovran në histori, një dështim që i çoi kreditorët e saj nga baronët e Wall Street-it te fondet e pensioneve në një kolaps të papritur.
Frika pikërisht nga ky skenar ilustron pse kreditë janë kaq të shtrenjta për vendet me të ardhura të ulëta: sa më i lartë rreziku, aq më të larta janë normat e interesit. Në rastin e Argjentinës, shpenzimet e tepërta kronike dhe ciklet e inflacionit e kanë bërë huamarrjen veçanërisht të shtrenjtë. Dhe mund ta imagjinoni se çfarë ndodhi më pas. Fondet që blenë kreditë e Argjentinës u hodhën në sulm; më famëkeqi prej tyre ishte fondi mbrojtës Elliott Management.
Elliott paditi Argjentinën për mospagim këstesh, madje në vitin 2012 sekuestroi një anije detare argjentinase që ishte ankoruar në Ganë. Kreditorët që u japin hua vendeve të varfra “duan të vendosin norma të larta interesi, por gjithashtu kërkojnë të paguhen plotësisht kur ndodhin rreziqe”- thotë Tim Jones, drejtor i politikave të grupit “Debt Justice”.
Në fund, Elliott fitoi. Pas një beteje 15-vjeçare në gjykatën e Nju Jorkut, meqenëse rreth gjysma e të gjithë borxhit sovran gjykohet në territorin e Wall Street Elliott siguroi një dëmshpërblim prej 2.4 miliardë dollarësh, një fitim prej 392 për qind mbi vlerën origjinale të obligacioneve.
Meqenëse Elliott pagoi shumë pak për ato obligacione, kompania realizoi një fitim 10 deri në 15 herë më të lartë se kostoja fillestare. Është e vërtetë që Argjentina ishte pjesërisht viktimë e gabimeve të veta, por gjithashtu Argjentina, dikur një nga vendet më të pasura në botë, nuk e mori më veten kurrë plotësisht. Dhe ishin argjentinasit e zakonshëm, jo vendimmarrësit, ata që paguan koston e asaj katastrofe.
Kohët e fundit, jo vetëm vendet që përballen me vështirësi, por edhe disa kreditorë privatë po bëjnë thirrje për ndryshimin e sistemit. Një ligj i propozuar në shtetin e Nju Jorkut u ofron vendeve mundësinë për t’u lehtësuar dhe për të ristrukturuar borxhin, me dispozita kundër kreditorëve që përpiqen të vonojnë marrëveshjet.
Për shkak të lobimit të kompanive të Wall Street, marrëveshja dështoi këtë vit, por do të hidhet sërish në votim vitin e ardhshëm. Edhe nëse miratohet ky projektligj dhe një i ngjashëm në Londër ai nuk do ta transformojë problemin brenda natës. Por çdo gjë që ua lehtëson vendeve rinegociimin e borxhit do të ishte një fitore e madhe./ Përshtati "Pamfleti", marrë nga “Vox”
Lini një Përgjigje