Në fund të janarit, Gjermania, Holanda dhe Polonia nënshkruan një marrëveshje për të krijuar një korridor transporti ushtarak midis tyre, duke i dhënë një shtysë shumë të nevojshme synimit të diskutuar prej kohësh për përmirësimin e lëvizshmërisë ushtarake në të gjithë Evropën.
Siemtje Möller, Sekretarja e Shtetit për Mbrojtjen e Gjermanisë në parlamentin gjerman, tha se ky korridor po e çon lëvizjen e ushtrive “drejt krijimit të një Shengeni të vërtetë ushtarak”. Nuk është hera e parë që politikë-bërësit evropianë kanë hedhur idenë e përshtatjes së lëvizjes ekzistuese pa viza të njerëzve dhe mallrave tregtare në zonën Shengen, me lëvizjen e trupave dhe pajisjeve ushtarake në të gjithë Evropën.
Por tani kjo ide po gjen shumë mbështetje.
“Shengeni ushtarak”, u propozua fillimisht pas aneksimit të Krimesë nga Rusia. Dhjetë vjet pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe dy vjet pas pushtimit të vazhdueshëm të Ukrainës, Evropa po e kupton se duhet të përgatitet akoma më mirë për skenarin kur presidenti rus Vladimir Putin mund të vendosë të përdorë ushtrinë e tij edhe më në Perëndim.
Zyrtarët ushtarakë evropianë po shfletojnë dhe përditësojnë mësimet e nxjerra nga Lufta e Ftohtë. Dhe në mesin e tyre ka leksione specifike rreth lëvizshmërisë ushtarake. Gjithsesi, disa ekspertë, diplomatë dhe burime ushtarake i thanë ‘Foregin Policy’ se përparimi është shumë më i ngadaltë se sa dëshirohej.
“Liberalizimi i rregullave po pranohet nga të gjithë. Por problemi është se ne kemi biseduar për të që nga viti 2015”- u shpreh për Foreign Policy Tomasz Szatkowski, përfaqësuesi i përhershëm i Polonisë në NATO. Evropa e ka pranuar se mund të jenë rikthyer tensionet e epokës së Luftës së Ftohtë, dhe se vendet evropiane kanë një “rrugë të gjatë për të bërë” për të lëvizur efektivisht njerëzit dhe materialet e tyre.
Miratimi i çdo plani që lidhet me një mision ushtarak në Evropë është i rrethuar nga shumë pengesa, duke filluar nga ato burokratike dhe boshllëqet infrastrukturore që mund të shkaktojnë vonesa me rëndësi. Urmas Paet, europarlamentar estonez dhe nënkryetar i Komisionit për Punët e Jashtme, tha se mund të duhet të paktën një jave ose pak më shumë për të dërguar furnizime ushtarake në shtetet baltike.
Procedurat janë të shumta. Për të realizuar këtë zhvendosje duhet të merren disa miratime nga ministri të ndryshme në vende të ndryshme, dhe nganjëherë në rajone të ndryshme brenda një vendi. Shumica e rrugëve dhe urave janë ndërtuar për përdorim civil, dhe nuk ka gjasa që ato të përballojnë peshën e pajisjeve të rënda ushtarake.
Meqenëse tubacionet e karburantit në Evropën Qendrore nuk shtrihen në shtetet lindore, vonesat më të gjata në furnizimin me karburant mund të jenë një faktor shumë vendimtar. Për më tepër, hapësira midis 2 binarëve në shtetet ish-sovjetike ndryshon në madhësi nga ajo në rrjetin hekurudhor në Evropën Perëndimore.
Dhe transferimi i mijëra trupave dhe pajisjeve nga një tren në tjetrin në një kohë lufte do të shtonte vonesat. Gjenerallejtënant Ben Hodges, ish-komandant i NATO-s, ndër mbështetësit e parë të “Shengenit Ushtarak”, dhe me gjasë shpikës i këtij termi, tha se gjëja e mirë është se gjatë viteve të fundit të paktën ka nisur të flitet mbi këtë gjë.
Hodges tha se aftësia për të lëvizur me shpejtësi në një kohë krize, ishte një pjesë thelbësore e doktrinës së parandalimit ushtarak. Aftësia e një ushtrie për t'u mobilizuar dhe për të lëvizur me shpejtësi duhet të jetë e dukshme për armikun dhe ta pengojë ata që të sulmojë.
“Ne duhet të kemi aftësi reale. Jo vetëm pajisje dhe trupa, por edhe aftësi për të lëvizur me shpejtësi, për të furnizuar me pjesë këmbimi, për të ruajtur karburantin dhe municionin, dhe rusët duhet të shohin që ne e kemi atë”- thekson ai. Hodges e përshëndeti marrëveshjen midis Gjermanisë, Holandës dhe Polonisë si një fillim të shkëlqyer dhe tha se në diskutim janë shumë korridore të tjera të ngjashme. (Kreu i mbrojtjes së Bullgarisë, Admirali Emil Eftimov, tha se aleatët duhet t’i japin përparësi një korridori që kalon nga porti grek Aleksandoupolis në Rumani dhe një tjetër nga deti Adriatik përmes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut).
“Ata duan të kenë korridore nga Greqia në Bullgari deri në Rumani. Synimi i të gjithë këtyre korridoreve është që të kemi një rrugë të qetë në aspektin infrastrukturor, por edhe të rregullojmë para kohe doganat dhe të gjitha pengesat ligjore”- thekson më tej Ben Hodges.
Korridori gjerman, holandez dhe polak, është i pari nga shumë të parashikuar, dhe pritet të identifikojë dhe zgjidhë pengesat, dhe ndoshta të sigurojë një model për korridoret e ardhshme. Një burim i lartë ushtarak që foli me FP në kushte anonimiteti, tha se ky korridor do të shqyrtojë një gamë të tërë çështjesh.
Në kohë paqeje, tha ai, do t’i lejojë autoritetet të lehtësojnë procedurat burokratike federale, pasi në Gjermani çdo land ka grupin e vet të ligjeve për trupat ose çdo pajisje të rrezikshme që kalon nëpër territorin e saj. Në një kohë lufte, shtoi ai, korridori do të jetë “shumë më tepër se sa një rrugë”.
“Në kohë krize, 100 ose 200 mijë ushtarë ka të ngjarë të jenë në lëvizje. Ata do të kenë nevojë për një vend për t’u pushuar, për të hyrë në kazerma me pjesë këmbimi dhe në qendrat e magazinimit të karburantit. Po ashtu në një skenar të tillë, duhet të kemi infrastrukturën e duhur për t’u kujdesur për refugjatët e luftës”- nënvizon ai.
Bashkëpunimi midis më shumë se 20 e ca shteteve anëtare, sidomos ai që përfshin njerëz të armatosur dhe me makineri të rrezikshme, do të shoqërohet me shumë rregulla të tjera. Mbrojtja është “një kompetencë kombëtare dhe vendet ndajnë atë që duan të ndajnë” thotë Paet. Pra ato nuk ndajnë me lehtësi detaje të rëndësishme të infrastrukturës jetike, si p.sh. ku dhe sa ura mund të mbajnë peshën e tankeve të rënda. Rafael Loss, ekspert i mbrojtjes në institutin e mendimit të Këshillit Evropian të Marrëdhënieve me Jashtë (ECFR), tha se nuk ka asnjë katalog të nevojave infrastrukturore.
“Nuk është e qartë se çfarë lloj infrastrukture nevojitet dhe ku”- tha ai për FP. Sipas një raporti të Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA) të publikuar në vitin 2021, 90 për qind e autostradave, 75 për qind e rrugëve kombëtare dhe 40 për qind e urave në Evropë janë në gjendje të mbajnë automjete ushtarake me ngarkesën maksimale 50 tonë. Ndërkohë tanket Leopard dhe Abram - që të dyja me shumë vlerë në luftën kundër Rusisë në Ukrainë - peshojnë dukshëm më shumë. “Tanku Leopard peshon rreth 75 ton, ndërsa Abrams është pak më i rëndë. Shumica e këtyre tankeve do të transportohen në pjesën e pasme të HET-s (transportues të pajisjeve të rënda), dhe çdo HET peshon rreth 15 deri në 20 tonë. Nuk do të jetë një tank për rrugë normale”- thotë Hodges.
CEPA vuri në dukje se “kombinimi i peshës së kamionit, rimorkios dhe tankut të rëndë mund të shkojë përtej 120 tonëve”, duke përjashtuar një pjesë të madhe të infrastrukturës ekzistuese të përshtatshme për lëvizjen ushtarake.
BE-ja e ka pranuar nevojën për financimin e infrastrukturës me përdorim të dyfishtë - civile dhe ushtarake - dhe ka miratuar financimin e 95 projekteve të tilla, por do të duhen shumë më tepër fonde. Ambasadori polak dhe Hodges thanë se janë të shqetësuar për shkurtimin e fondeve të alokuara për mjetin e financimit të infrastrukturës së BE-së, Lehtësimi i Ndërlidhjes Evropiane (CEF), nga 6.5 miliardë euro në 1.7 miliardë euro.
Rail Baltica, një projekt hekurudhor transnacional i financuar nga CEF, po planifikon të zgjerojë rrjetin hekurudhor të Evropës në shtetet baltike të Lituanisë, Estonisë dhe Letonisë, i cili është planifikuar të jetë funksional deri në vitin 2030.
Por ndërkohë ka një rezistencë të fortë nga Franca, Belgjika dhe madje edhe Gjermania për të shpenzuar për zgjerimin e rrjetit hekurudhor të Evropës Qendrore drejt vendeve lindore, të cilat shpesh shpenzojnë një pjesë më të madhe të PBB-së së tyre për mbrojtjen kolektive të Evropës sesa ekonomitë shumë më të mëdha në kontinent./Përshtati Pamfleti nga “Foreign Policy”
Lini një Përgjigje