
Yulia Navalnaya, e veja e liderit opozitar rus, Alexei Navalny, i ka bërë thirrje popullit rus që të protestojë në datën 17 mars, ditën e zgjedhjeve.
Nëpërmjet një video në youtube, Navalnaya tha se ka marrë më shumë shpresë nga turmat e mëdha të njerëzve që dolën javën e kaluar për funeralin e burrit të saj, i cili vdiq në një koloni penale të Arktikut më 16 shkurt, dhe që, që atëherë e kanë mbuluar varrin e tij në një ‘det’ me lule.
Ajo u bëri thirrje njerëzve që t'i bashkohen aksionit të 17 marsit që Navalny, figura më e njohur e opozitës ruse, kishte thirru para se të ndërronte jetë.
Ideja e tij ishte që njerëzit duke zhvilluar një protestë masive në qytetet anembanë vendit, nuk do të kishte asnjë rrezik arrestimi.
"Duhet të përdorim ditën e zgjedhjeve që të tregojmë se ne ekzistojmë dhe jemi shumë prej nesh. Ne jemi njerëz të vërtetë, të gjallë dhe jemi kundër Putinit. Ju duhet të vini në qendrën e votimit në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën kohë. 17 mars në mesditë”, tha Yulia Navalnaya.
"Çfarë të bëni më pas? Zgjedhja është e juaja. Ju mund të votoni për çdo kandidat përveç Putinit. Mund të prishni fletën e votimit, mund të shkruani "Navalny" me shkronja të mëdha mbi të. Madje mund edhe thjesht të vini dhe të qëndroni në qendrën e votimit, dhe pastaj të ktheheni dhe të shkoni në shtëpi", thotë më tej ajo.
Që nga vdekja e bashkëshortit të saj, Navalnaya ka premtuar të vazhdojë punën e tij dhe ka bërë disa dalje politike të profilit të lartë në Perëndim, duke përfshirë takimin me Presidentin e SHBA, Joe Biden, si dhe fjalimin në Konferencën e Sigurisë së Mynihut dhe Parlamentin Evropian.
Kremlini ka mohuar me forcë akuzat e Navalnaya se Putini ka vrarë Navalnyn dhe nuk ka pranuar të komentojë mbi reagimin publik ndaj vdekjes dhe funeralit të tij. Certifikata e tij e vdekjes thotë se ai vdiq për shkaqe natyrore në moshën 47-vjeçare. /Reuters
Lini një Përgjigje