
Vendosja e trupave evropianë në ishull është një përpjekje për të kundërshtuar planet e Trump. Megjithatë, dilema mbetet: a është ky një mjet i mjaftueshëm për të ndalur ambicien amerikane?
Kur Donald Trump vendos synimin mbi diçka, është e vështirë ta pengosh që të arrijë atë që dëshiron. Megjithatë, kjo nuk e ka ndaluar Grenlandën dhe Danimarkën që të përpiqen të bëjnë diçka. Ushtria daneze njoftoi se duke filluar nga dje po e shton praninë e saj në Grenlandë.
Ajo do të mbështetet nga një grup trupash evropiane, që pritet të mbërrijnë gjatë ditëve në vijim, si pjesë e një përpjekjeje për t’i treguar Shteteve të Bashkuara se Kopenhaga është në gjendje të sigurojë mbrojtjen e ishullit.
Më herët, Franca konfirmoi se 15 trupa kishin mbërritur në ishull. Atyre do t’u bashkohen 13 ushtarë nga Gjermania, dy nga Norvegjia, një nga Britania, një nga Holanda dhe një numër ende i panjohur nga Suedia dhe Estonia.
Sigurisht, pritet që të shkojnë edhe njësi të tjera. Si pjesë e “Operacionit Arctic Endurance”, këta ushtarë do të kryejnë një “mision zbulimi” për të identifikuar mënyra të forcimit të sigurisë së Grenlandës “në dritën e kërcënimeve ruse dhe kineze në Arktik”.
Por a do të mjaftojë kjo për të penguar ambicien e Donald Trump për ta marrë Grenlandën nën kontrollin e tij? Një akt agresioni nga një anëtar i NATO-s ndaj një tjetri do të shkatërronte aleancën. Ky demonstrim solidariteti evropian pason bisedimet e vështira të zhvilluara të mërkurën në Uashington mes Danimarkës, Grenlandës dhe SHBA-së.
Ministri i Jashtëm danez Lars Rasmusen dhe homologja e tij grenlandeze Vivian Motzfeldt udhëtuan me shpejtësi përtej Atlantikut me shpresën se do të bindnin administratën amerikane të hiqte dorë nga një marrje e dhunshme e ishullit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Markco Rubio, ishte parashikuar që të takohej i vetëm me ta. Por më pas, nënkryetari J.D.Vans - një kritik i ashpër i establishmentit evropian - shprehu dëshirën të merrte pjesë dhe insistoi që takimi të mbahej në Shtëpinë e Bardhë.
Lajmi për përfshirjen e Vans thuhet se zhduku çdo optimizëm që delegacionet daneze dhe grenlandeze kishin për një tërheqje të mundshme të amerikanëve. Duke folur për mediat as samitit, Rasmusen deklaroi se takimi përfundoi me “mospajtime themelore”.
“Nuk arritëm të ndryshojmë pozicionin amerikan. Është e qartë se presidenti ka këtë dëshirë për të pushtuar Grenlandën”- shtoi ai. Trump e konfirmoi këtë pak më vonë. Në platformën Truth Social, ai përsëriti qëndrimin që ka mbajtur vazhdimisht mbi Grenlandën gjatë vitit të fundit: “Danmarka nuk mund të bëjë asgjë nëse Rusia apo Kina duan ta pushtojnë Grenlandën, por ne mund të bëjmë gjithçka. Ju e patë javën e kaluar me Venezuelën”.
Javën e kaluar, presidenti amerikan refuzoi të përjashtonte përdorimin e forcës ushtarake për të marrë Grenlandën. Raportet që pasuan sugjeruan se Rubio është udhëzuar të përgatisë propozime për blerjen e ishullit nga Danimarka, me një ofertë deri në 700 miliardë dollarë (më shumë se gjysma e buxhetit vjetor të mbrojtjes së SHBA-së). Megjithatë, mes Danimarkës dhe aleatëve të saj ekziston frika se Trump mund të zgjedhë ta aneksojë Grenlandën me forcë. Një akt i tillë agresioni, nga një anëtar i NATO-s ndaj një tjetri do të shkatërronte aleancën.
Më herët, ambasada ruse në Belgjikë - ku ndodhet selia e NATO-s - deklaroi se grumbullimi i trupave të NATO-s në Grenlandë është një “shqetësim serioz”. Pavarësisht kësaj, ekzistojnë pikëpyetje nëse ambiciet e Trump në Grenlandë lidhen vërtet me frenimin e kërcënimit rus dhe kinez.
Falë një traktati dypalësh të vitit 1951, Amerika gëzon tashmë të drejtën të vendosë sa trupa të dëshirojë në Grenlandë. Prandaj, evropianët pyesin me të drejtë përse presidenti amerikan e ndjen nevojën ta marrë territorin nën kontrollin e tij të drejtpërdrejtë.
Disa kanë sugjeruar se interesat e Trump lidhen më shumë me burimet minerale të territorit, ose me zgjerimin e sferës së ndikimit amerikan, sesa me forcimin e mbrojtjes kundër Rusisë dhe Kinës.
Shumë ekspertë dhe diplomatë që kanë qasje në raportet e inteligjencës së NATO-s kanë kundërshtuar pretendimet e Trump se në ujërat e Grenlandës “ka destojerë rusë dhe kinezë si dhe nëndetëse ruse”. Pra ekziston rreziku që justifikimet e supozuara të Trump për marrjen e territorit me forcë, të shpërndajnë edhe më tej burimet tashmë të kufizuara të mbrojtjes evropiane në një moment kritik për sigurinë e kontinentit.
Rezultati i vetëm pozitiv i samitit të pardjeshëm në Uashington është se delegacionet daneze, grenlandeze dhe amerikane, ranë dakord të krijojnë një grup pune për të diskutuar më në detaje shqetësimet e Trump mbi sigurinë.
Në rastin më të mirë, danezët shpresojnë se kjo do t’u japë kohë ndërsa forcojnë mbrojtjen e Grenlandës sipas kushteve të tyre./ Përshtati "Pamfleti" Nga “The Spectator”
Lini një Përgjigje