Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i është drejtuar me një mesazh Europës, sa i takon lirisë dhe lirisë së shprehjes. Mesazhi i Rubios është shpërndarë nga Ambasadat amerikane kudo në Europë, ndërsa Sekretari i Shtetit nënvizon se liria e shprehjes në kontinentin e vjetër po gërryhet.
“Aleancat tona me partnerët tanë europianë janë ndërtuar mbi parimet tona të përbashkëta, vlerat tona të përbashkëta…
Një nga këto vlera dhe parime, shpresojmë, është liria dhe liria e shprehjes”, thuhet në mesazhin e Sekretarit të Shtetit.
Rubio u pyet gjatë një konference për shtyp më 19 dhjetor: "Departamenti i Shtetit përmendi më parë këtë vit disa shqetësime për lirinë e fjalës, veçanërisht në Evropë. Cilat janë disa nga synimet tuaja në lidhje me këtë në vitin 2026?"
"Epo, dua të them, në përgjithësi, ne jemi të shqetësuar për çdo vend, para së gjithash ku mund të implikohet liria e fjalës amerikane, në rregull", tha ai.
"A do të jetojmë në një botë ku ndonjë amerikan bën një postim në rrjetet sociale dhe pastaj shkon në ndonjë aeroport diku dhe arrestohet?" pyeti Rubio, duke shtuar "jemi gjithashtu të shqetësuar për ndikimin që disa nga politikat e tyre po kanë në platformat tona të mediave sociale, siç e patë së fundmi. X po përballet me këtë gjobë masive multimilion dollarëshe që do të duhet ta paguajnë, mendoj, nëse duan të vazhdojnë të operojnë".
Kjo nuk është hera e parë që zyrtarë të lartë të administratës Trump shprehin kritika në drejtim të Europës, veçanërisht sa i takon lirisë së shprehjes. Kritika të ngjashme ndaj Europës ka drejtuar edhe zv.Presidenti JD Vance.
Lini një Përgjigje