TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Janar 2026, 10:30

"Mediokre, por elastike": skema si i rezistoi ekonomia evropiane tarifave dhe tensioneve gjeopolitike

Shkruar nga Pamfleti

Për vitin 2026, një faktor thelbësor pozitiv është plani gjigant i rimëkëmbjes gjermane, i nisur në 2025 nga kancelari i ri Friedrich Merz.

"Mediokre, por elastike": skema si i rezistoi ekonomia evropiane
Fasada e selisë së Bankës Qendrore Evropiane në Frankfurt am Main, Gjermani, më 30 dhjetor 2025. /REUTERS

Deri tani, gjithçka po shkon mirë. Ose më saktë, gjithçka po reziston më mirë nga sa pritej.
Pavarësisht tarifave doganore historike të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, rritjes së importeve kineze dhe një bllokimi të plotë politik në Francë, rritja ekonomike evropiane ka qëndruar në këmbë. Për vendet e eurozonës, ajo pritet të jetë mes 1,4 % dhe 1,5 % në vitin 2025, sipas vlerësimeve të ndryshme të analistëve, dhe të mbetet rreth 1 % në vitin 2026.

Me pak fjalë, një ekonomi “mediokre”, por “reziliente”, për të përdorur termat e një shënimi analitik të Gilles Moëc, kryeekonomist i Axa-s.

Një “disonancë” e çuditshme, thekson Bruno Cavalier, homologu i tij në Oddo BHF:
“Bota rrallëherë ka dukur kaq e paqëndrueshme dhe, megjithatë, ndjenja e përgjithshme është – shumë  pozitive në prag të vitit 2026.”

Megjithatë, shifrat e rritjes evropiane duhen relativizuar, sepse Irlanda e vogël, që përfaqëson pak më shumë se 3 % të produktit të brendshëm bruto (PBB) të Bashkimit Evropian (BE), i zbukuron artificialisht statistikat. Për arsye fiskale, shumë korporata shumëkombëshe amerikane regjistrojnë atje fitimet e realizuara jashtë vendit, duke reflektuar në shifra një aktivitet që realisht nuk zhvillohet në Irlandë.

Në vitin 2025, ky efekt ishte gjigant: sipas llogaritjeve të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), rritja reale e eurozonës, e korrigjuar nga efektet irlandeze, ishte vetëm 1 %. Pra, pothuajse një e treta më pak se shifrat e paraqitura nga statistikat zyrtare.

Një Evropë me dy shpejtësi

Për më tepër, qëndrueshmëria relative ekonomike e Evropës po shfaqet me dy ritme. “Bërthama” e BE-së vazhdon të ketë vështirësi. Gjermania ka përjetuar një vit të tretë radhazi stagnimi, me vetëm 0,3 % rritje në vitin 2025, pas rënieve të PBB-së me 0,9 % dhe 0,5 % respektivisht në vitet 2023 dhe 2024. Italia nuk bën shumë më mirë (0,6 % në 2025).

Në të kundërt, vendet “periferike” po marrin hak për dekadën katastrofike të viteve 2010. Spanja ka regjistruar një rritje prej 2,9 % në vitin 2025, e ndjekur nga Portugalia dhe Greqia, me nga 2 %.

Një vit më i fortë se sa pritej

Megjithatë, në përgjithësi, vlerësimi i një qëndrueshmërie të nderuar të ekonomisë evropiane mbetet i vlefshëm.
“Viti 2025 ka qenë më solid nga sa e prisnin shumica e ekonomistëve”, pranon Brian Coulson, kryeekonomist i agjencisë së vlerësimit Fitch.

Kjo vlen veçanërisht për Francën, me rreth 0,9 % rritje në 2025, pavarësisht mungesës së një buxheti për 2026 dhe kaosit parlamentar.
“Duket se pasiguritë politike dhe buxhetore nuk e kanë prekur ekonominë reale aq sa pritej”, vëren Andrew Kenningham, ekonomist në Capital Economics.

Shpjegimi kryesor lidhet me kthimin e inflacionit në normalitet, tashmë rreth 2 % në eurozonë. Goditja e rritjes së çmimeve pas pandemisë së Covid-19 është zbutur pjesërisht. Pagat kanë filluar të rikuperojnë humbjen e fuqisë blerëse të viteve 2022 dhe 2023. Asgjë spektakolare: të ardhurat e disponueshme janë rritur me 1,2 % në 2025 në eurozonë, sipas BQE-së.

Megjithatë, familjet mbeten jashtëzakonisht të kujdesshme. Norma e kursimit vazhdon të jetë shumë e lartë 15,1 % në eurozonë (dhe madje 19 % në Francë), rreth tre pikë më shumë se para krizës shëndetësore.

A do ta lirojnë më në fund rripin evropianët në vitin 2026? Ekonomistët e Goldman Sachs duan ta besojnë këtë.

“Ne parashikojmë shpenzime të forta konsumi [në 2026], të mbështetura nga një rritje e të ardhurave mbi inflacionin”, shkruajnë ata. Për këtë vit, ata parashikojnë një rritje të të ardhurave të disponueshme të familjeve prej 1,5 %.

Norma më të ulëta dhe tregti pa luftë

Një faktor tjetër pozitiv ka qenë ulja e normave të interesit nga BQE-ja, falë stabilizimit të inflacionit. Pas kulmit prej 4 % në vitin 2023, normat filluan të bien në qershor 2024 dhe janë stabilizuar në 2 % që nga vera e vitit 2025. Edhe pse efekti nuk ishte spektakolar, kjo ka nxitur kreditimin për bizneset dhe familjet, duke mbështetur aktivitetin ekonomik.

Sa i përket goditjes nga tarifat doganore amerikane – një taksë 15 % mbi eksportet e BE-së, me përjashtime të rëndësishme (aeronautikë, farmaceutikë…) – ajo ka qenë më pak e dhunshme nga sa pritej. Arsyeja kryesore ishte refuzimi i BE-së për t’u kundërpërgjigjur. Politikisht, kjo ishte një shenjë dobësie, por ekonomikisht shmangu një luftë tregtare me pasoja të rënda.

Për më tepër, tarifat hynë realisht në fuqi vetëm në gusht dhe statistikat tregtare mbeten të vështira për t’u interpretuar: eksportet evropiane drejt SHBA-ve u rritën me 26 % në tremujorin e parë të 2025-ës, për shkak të krijimit të rezervave, më pas ranë me 21 % në tremujorin e dytë dhe me 3,5 % në të tretin. A është ky fillimi i një rënieje afatgjatë apo një stabilizim? Pyetja mbetet e hapur.

“Goditja nuk e ka dhënë ende të gjithë efektin e saj”, paralajmëron Nicola Mai, menaxher portofoli në Pimco.

Patrick Martin, president i Medef-it, pranon se disa kompani franceze kanë zgjedhur të investojnë në SHBA, nën presionin e presidentit amerikan Donald Trump.
“Kur kombinon kërcënimet dhe tarifat amerikane me pasigurinë në Francë, kompanitë që munden zhvendosen pjesërisht drejt Shteteve të Bashkuara.”, tha Martin.

Shpresa gjermane dhe kufijtë e rritjes

Për vitin 2026, një faktor thelbësor pozitiv është plani gjigant i rimëkëmbjes gjermane, i nisur në 2025 nga kancelari i ri Friedrich Merz. Sipas Deutsche Bank, shpenzimet shtesë mund të arrijnë në 850 miliardë euro deri në vitin 2029, kryesisht për mbrojtjen dhe infrastrukturën. Kjo mund t’i shtojë rreth gjysmë pikë PBB-së Gjermanisë në 2026, duke e çuar rritjen në 1,1 %, sipas Goldman Sachs.

Megjithatë, këto lajme të mira duhen relativizuar.

“Po, 2025 ishte më mirë nga sa pritej, por Evropa përballet ende me sfida strukturore të mëdha”, thekson Nicola Mai.

Ai përmend varësinë nga eksportet, humbjen e pjesëve të tregut ndaj Kinës, çmimet e larta të energjisë, plakjen e popullsisë dhe nivelin e lartë të borxhit publik në shumicën e vendeve.
“Rritja potenciale e eurozonës është sot rreth 1 %, por ajo do të bjerë gradualisht në 0,5 %”, parashikon ai.

“Varet nëse e shikon gotën gjysmë plot apo gjysmë bosh. Me 1 % rritje, ekonomia evropiane mbetet apatikë, shumë larg dy zonave më dinamike të botës: Shtetet e Bashkuara dhe Kina.”, thotë Andrew Kenningham, shefi i "Capital Economics".

Megjithatë, Evropa e shmangu krizën në vitin 2025  dhe kjo tashmë është diçka e fituar./ Përshtatur nga Le Monde

ekonomia evropiane shba tarifave dhe tensioneve gjeopolitike

Lini një Përgjigje