
Manipulim dokumentesh, ndarje dhe bashkime fiktive pasurish, leje të dhëna mbi prona të vetat dhe mbulim politik nga kryeministri Edi Rama. Rasti “Aida Demi” ekspozon mënyrën si funksionon shteti i kapur në bregdetin e Sarandës...

Leje ndërtimi, ndarje pasurish, bashkime fiktive dhe favore për familjen Demi. Një zinxhir veprimesh të paligjshme që tregon mafien e re të pronave nën emrin e partisë. Ndërsa kryeministri Edi Rama del publikisht duke folur për mbrojtjen e hapësirave publike dhe ndalimin e ndërtimeve në bregdet, nën firmën e tij dhe me përkrahjen e strukturave vartëse janë miratuar dhjetëra leje ndërtimi në shkelje të ligjit.
Rasti më flagrant është ai i Aida Demit, ish-drejtoreshë e ASHK Sarandë, e cila sipas dokumenteve të siguruara ka përdorur funksionin publik për të manipuluar regjistrimet kadastrale në favor të vetes dhe familjarëve të saj.

Në vitin 2019, ish-kryetari i Bashkisë Sarandë Ardian Gurma ka lëshuar një leje ndërtimi në pasurinë nr. 15/513 me sipërfaqe 549 m². Objekti u ndërtua dhe përfundoi plotësisht, por kjo pasuri do të përdorej më vonë si bazë për një skemë manipulimi me dokumenta fiktive.

Më 17.11.2021, Aida Demi në cilësinë e drejtoreshës së ASHK Sarandë aplikon vetë për ndryshime në pasuritë që i përkisnin familjes së saj. Në të njëjtën ditë nxirret urdhri për kryerjen e veprimeve, kryhen ndryshimet në sistem dhe përfundon procedura e plotë e ndarjes së pasurive, në shkelje të çdo afati ligjor.

Pasuria nr. 15/577 është ndarë në mënyrë të paligjshme në dy pasuri të reja, pasurinë nr. 15/575, truall me sipërfaqe 126 m² në pronësi të Avenir Demi, dhe pasurinë nr. 15/592, truall me sipërfaqe 512 m², po në pronësi të të njëjtit person. Në këtë rast kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë ligjore, pasi një pasuri mbi të cilën është regjistruar një objekt ndërtimi nuk mund të ndahet. Kjo për faktin se koeficienti i ndërtimit për atë parcelë është shfrytëzuar tashmë plotësisht dhe çdo ndarje e mëvonshme përbën manipulim me qëllim krijimin artificial të pasurive të reja për të përfituar leje shtesë ndërtimi. Për më tepër, e gjithë procedura është kryer brenda ditës së aplikimit, duke përfshirë përgatitjen e relacionit teknik, nxjerrjen e urdhrit dhe përditësimin në sistemin kadastral një praktikë që provon qartë ndërhyrjen dhe ndikimin e drejtpërdrejtë të Aida Demit për të favorizuar familjen e saj.

Më 28.03.2023, Aida Demi nënshkruan urdhrin nr. 562 për ndarjen e pasurisë nr. 15/577 sërish në favor të Avenir Demit. E njëjta procedurë kryhet brenda një dite, pa asnjë kontroll ligjor. Aplikimi bëhet nga vetë Aida Demi, urdhri firmoset po prej saj, relacioni hartografik përgatitet menjëherë dhe ndarja përfundon pa u kaluar në asnjë filtër të miratimit bankar edhe pse pasuria kishte barrë hipotekore.
Po në datën 07.07.2023, Aida Demi nxjerr një tjetër urdhr për bashkim pasurish midis pasurisë nr. 15/403, pasurisë nr. 15/509 dhe pasurisë nr. 15/575, të gjitha në pronësi të Avenir Demit. Sërish kërkesa dhe miratimi bëhen nga e njëjta person brenda ditës. Kjo për të krijuar një pasuri të re fiktive mbi të cilën më pas do të aplikohej për leje ndërtimi në KKT.
Më 23.08.2023 del vendimi nr. 29 i KKT që miraton leje ndërtimi për pasuritë nr. 15/403 dhe 15/409, por këto pasuri nuk ekzistonin në momentin e miratimit të lejes, pasi nuk kishin dokumente të depozituara në KKT ose AZHT, nuk përmbushnin sipërfaqen reale dhe një prej tyre, pasuria nr. 15/594, ishte formuar vetëm më 07.07.2023, pra pesë muaj pas miratimit të lejes.
Aida Demi ka përdorur detyrën për të manipuluar pasuritë familjare, duke regjistruar hotele dhe objekte të përfunduara sikur ishin të reja, kryer ndarje dhe bashkime fiktive të pasurive, firmosur vetë si kërkuese dhe si autorizuese dhe anashkaluar çdo kontroll bankar apo institucional. Ky veprim përbën vepër penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit aktiv në bashkëpunim”.
Nëpërmjet këtyre transaksioneve, Aida Demi ka përfituar katër leje ndërtimi mbi të njëjtin truall, duke anashkaluar plotësisht kushtet urbanistike dhe duke shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme koeficientin e ndërtimit që ishte përdorur një herë. Ky veprim përbën shkelje të qartë të ligjit dhe tregon një abuzim sistematik me procedurat e planifikimit urban.
Publikimi i kësaj lejeje në faqen zyrtare të KKT-së është penguar qëllimisht, me qëllim që procesi të mbetej sa më sekret dhe të mos bëhej publik. Kjo ndërhyrje tregon qartë ekzistencën e një skeme të mirëorganizuar për të mbuluar veprimet korruptive të Aida Demit dhe për të shmangur çdo kontroll apo transparencë institucionale në lidhje me lejet e ndërtimit që ajo ka përfituar në mënyrë të paligjshme.
Aktualisht, Aida Demi po kryen punime ndërtimi pa leje dhe në shkelje të hapur të ligjit, ndërkohë që institucionet e mbrojtjes së territorit të këtij qyteti qëndrojnë pasive dhe të kapura nga korrupsioni. Në objekt nuk ekziston asnjë tabelë informuese që të tregojë numrin e lejes, investitorin apo llojin e punimeve që po zhvillohen, siç e kërkon ligji, çka tregon se ndërtimi po kryhet në mënyrë tërësisht të jashtëligjshme dhe me mbështetje të qartë nga strukturat shtetërore.
Asnjë nga lejet, ndarjet apo bashkimet nuk janë publikuar në Regjistrin Publik të Lejeve të KKT-së. Asnjë inspektim nga ILDKPI, Prokuroria apo Inspektorati i Territorit nuk është kryer. Kjo tregon se kemi të bëjmë me një sistem të koordinuar abuzimi, ku strukturat qendrore dhe lokale janë të përfshira për të mbrojtur interesat e një grupi të vogël me lidhje politike.
Rasti “Aida Demi” nuk është një rast i izoluar. Ai tregon mekanizmin e shtetit të kapur, ku funksionarët publikë përdorin institucionet për pasurim personal dhe familjar. Nga lejet ndërtimore në bregdet, te ndarjet e pasurive brenda ditës, te firmat e vetëdrejtoreshës që miraton për veten, çdo element përbën një skemë të mirëfilltë korrupsioni.
IMT Sarandë është ulur këmbëkryq me korrupsionin dhe nuk ndërmerr asnjë masë për verifikimin e lejeve të ndërtimit apo pezullimin e punimeve të paligjshme. Pavarësisht shkeljeve flagrante që kryhen në terren, institucioni që duhet të garantojë zbatimin e ligjit në ndërtim, është bërë bashkëfajtor me heshtjen e tij, duke lejuar abuzime të rënda në dëm të interesit publik dhe të pasurisë bregdetare.
Edhe Policia nuk ka ndërmarrë asnjë masë, pavarësisht dyshimeve për korrupsion masiv që lidhen me lejet dhe punimet e paligjshme. Ky qëndrim pasiv tregon jo vetëm neglizhencë institucionale, por edhe mundësinë e përfshirjes së strukturave shtetërore në një skemë të koordinuar abuzimi dhe mbrojtjeje të interesave të grupeve të caktuara.
Dhe mbi këtë skemë qëndron heshtja dhe miratimi i kryeministrit Edi Rama, që me propagandën për “mbrojtjen e hapësirave publike” mbulon krimin ekonomik të pushtetit të vet.
Këto vepra penale bien nën kompetencën e Prokurorisë së Posaçme, por duket se mbeten të paprekura për shkak të mbrojtjes që u ofrohet nga kjo prokurori . SPAK nuk ndërmerr asnjë masë, duke lënë pa hetim, lejen e lëshuar nga Edi Rama , e cila është përdorur për të legalizuar ndërtime mbi pasuri të familjes së Aida Demit, si dhe veprimet e hapura korruptive të kryera nga vetë Aida Demi.
Çështja bëhet edhe më shqetësuese nga fakti se në KKT janë regjistruar dokumenta fiktive, që shërbyen për të përfituar leje ndërtimi dhe për të manipuluar regjistrimet kadastrale në favor të familjarëve të saj. Kjo praktikë tregon një skemë të mirëorganizuar korrupsioni, ku institucionet shtetërore, duke përfshirë KKT-në dhe Prokurorinë e Posaçme, duket se janë përdorur për të mbrojtur interesat private dhe për të fshehur veprimet e paligjshme, duke dëmtuar hapur ligjin, rendin urbanistik dhe interesin publik./Pamfleti
Kjo pacavurja qe tregonte ligjin popullit