Këshilli i Lartë i Prokurorisë qarkullon Elion Mustafajn si prokuror dhe drejtues tetë herë në Lushnje, ndërsa dosja amerikane, lidhjet me kompaninë e një grabitësi të dënuar dhe ndikimi i grupeve kriminale mbeten pa hetim...
Vendimet e njëpasnjëshme të KLP-së për emërimin dhe riemërimin e prokurorit Elion Mustafaj tregojnë një skemë të paqartë të qarkullimit të tij institucional, që përputhet me periudha kyçe kur mbi të rëndonin dyshime për lidhje me financime të paligjshme, punësim në SHBA tek firma e Dorian Pukës, person i dënuar për grabitje dhe nën hetim për trafik droge e pastrim parash. Në vend që ta hetonte aktivitetin e tij gjatë një viti qëndrimi në SHBA, KLP e kaloi Mustafajn në Lushnje, ku brenda 16 muajve e emëroi tetë herë si prokuror të thjeshtë dhe drejtues. Dosja e dërguar nga agjencitë amerikane u injorua, ndërsa prokurori kaloi vettingun në Lushnje. Më 9 qershor 2023 ai u emërua drejtues i Prokurorisë së Fierit, me dyshime për lobim nga qarqe mafioze. Rasti Mustafaj ekspozon qartë rrumpallën e KLP-së, mungesën e filtrimit të figurave dhe ndikimin e strukturave kriminale në emërimet kyçe të sistemit.
Vendimet e njëpasnjëshme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për emërimin e Elion Mustafajt në Prokurorinë e Lushnjes tregojnë një model të pazakontë qarkullimi që ngre pikëpyetje serioze: rrumpallë administrative, njollat e prokurorit pas kthimit nga SHBA, apo ndikim i grupeve mafioze për ta mbajtur dhe përdorur në këtë prokurori?

KLP ka vendosur një rekord me emërimin e Mustafajt në Lushnje, vetëm një vit pasi ai u kthye nga SHBA ku qëndroi me “arsye familjare”. Brenda 16 muajve, Mustafaj është emëruar tetë herë në Prokurorinë e Lushnjes, si prokuror i thjeshtë ose drejtues, duke marrë madje dy vendime emërimi në të njëjtën ditë: më 16 shtator 2021 dhe më 16 shtator 2022.
Tetë vendimet e KLP për Elion Mustafajn:
Nr. 266, datë 16.09.2021 – transferim i përkohshëm si prokuror në Lushnje.
Nr. 267, datë 16.09.2021 – caktim i përkohshëm si drejtues i prokurorisë.
Nr. 390, datë 17.12.2021 – caktim i përkohshëm si drejtues.
Nr. 36, datë 10.03.2022 – caktim i përkohshëm si drejtues.
Nr. 144, datë 15.06.2022 – caktim i përkohshëm si drejtues.
Nr. 144 (përsëritje), datë 15.06.2022 – caktim i përkohshëm si drejtues.
Nr. 231, datë 16.09.2022 – caktim i përkohshëm si drejtues.
Nr. 230, datë 16.09.2022 – transferim i përkohshëm me pëlqim si prokuror.
Nr. 322, datë 19.12.2022 – caktim i përkohshëm si drejtues i prokurorisë.
Pra, KLP e ka qarkulluar Mustafajn çdo tre muaj, duke e emëruar dhe riemëruar në mënyrë të pashpjegueshme, gjithmonë me pëlqimin e tij.
Pse kjo lëvizje? Tre skenarë:
- Rrumpallë e KLP-së, që tregon mungesë standardi dhe filtrimi profesional.
- Njolla të rënda në figurën e Mustafajt, të lidhura me qëndrimin njëvjeçar në SHBA si punonjës i kompanisë së Dorian Pukës, i dënuar për grabitje dhe nën hetim për trafik droge dhe pastrim parash.
- Lobim nga grupet mafioze, për ta mbajtur të pozicionuar në një prokurori ku ndikimi i tyre është i fortë.
Më 1 maj 2020, kur ishte prokuror në Vlorë, Mustafaj u largua për një vit në SHBA. Në kthimin e tij në prill 2021, ai mbërriti me një dosje të zezë të hartuar nga agjencitë amerikane. Në vend që ta hetonte atë dosje, KLP më 16 shtator 2021 e dërgoi në Prokurorinë e Lushnjes, ku ai kaloi edhe vettingun.
Pas një periudhe 16-mujore të mbushur me emërime të njëpasnjëshme në të njëjtën prokurori, më 9 qershor 2023 KLP e emëroi Elion Mustafajn drejtues të Prokurorisë së Fierit. Sipas informacioneve, ky emërim u shty përpara nga qarqe mafioze që kërkonin të mbanin në sistem një figurë të leverdishme për interesat e tyre.
Rasti Mustafaj ekspozon një problem të thellë institucional: mungesë filtrimi, vendimmarrje të dyshimtë të KLP-së dhe një sistem emërimesh që krijon hapësira për ndikim kriminal./Pamfleti
Lini një Përgjigje