Pas dhurimit të tokës, taksave të falura dhe përfitimeve të tjera, Fondi Shqiptar i Zhvillimit financon infrastrukturën bregdetare për projektin privat të kullave në Durrës...
Qeveria shqiptare ka hapur një tender 6.6 milionë euro për ndërhyrje në zonën bregdetare të Durrësit, pikërisht aty ku kompania arabe “Alabbar” po ndërton kullat, hotelet dhe qendrat tregtare të projektit të saj. Edhe pse kontrata me kompaninë “Eagle Hills” përcaktonte se kompania private do të mbulonte me fondet e saj të gjitha investimet e modernizimit të zonës, qeveria po i paguan ato nga buxheti i shtetit. Investimi është maskuar si projekt publik dhe financohet përmes programit buxhetor “GOA”, ndërkohë që kompania arabe ka nisur shitjen e apartamenteve, zyrave dhe njësive tregtare për përfitim të plotë privat. Tenderi zhvillohet më 22 dhjetor 2025 dhe punimet zgjasin 18 muaj. SPAK vazhdon të heshtë, pa finalizuar hetimin për aferën e kullave “Alabbar”.
Përveç dhurimit të 810 mijë m² tokë buzë detit, dhënies së 67 për qind të biznesit të kullave dhe faljes së 200 milionë eurove taksa dhe tarifave lokale e qendrore, qeveria po financon edhe investime infrastrukturore bregdetare për projektin e kompanisë arabe të Mohamed Alabbar.
Në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 9 dhjetor 2025, Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, ka shpallur një tender të posaçëm për ndërhyrje në zonën qendrore bregdetare të Durrësit, pikërisht aty ku po ndërtohen kullat, hotelet dhe qendrat tregtare “Alabbar”.

Sipas njoftimit, tenderi i fazës së tretë, me vlerë 6.6 milionë euro, ka si objekt ndërhyrje ndërtimore për “rritjen e ofertës turistike” dhe “përmirësimin funksional dhe estetik të bregdetit të Bashkisë Durrës”. Ky është përshkrimi formal. Në realitet, investimi kryhet në zonën e projektit privat të kompanisë offshore “Alabbar”, ndërsa financimi bëhet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në kuadër të programit buxhetor “GOA” për periudhën 2025–2027.
Kjo ndërhyrje me taksat e shqiptarëve nuk është investim publik, por investim për interesat private të projektit të kullave të dubaitëve të afërt me kryeministrin Edi Rama dhe të përfaqësuar nga Mohamed Alabbar.

Në kontratën mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë “Eagle Hills Real Estate Development” është shkruar se kompania private, përveç ndërtimit të kullave, do të kryente me fondet e veta të gjitha investimet e modernizimit të zonës bregdetare dhe plazhit në hapësirën ku po ndërton kullat, hotelet dhe qendrat tregtare.
Por kontrata ka rezultuar mashtrim publik. Modernizimi i bregdetit në zonën e kullave “Alabbar” po financohet nga buxheti i shtetit me 6.6 milionë euro, ndërsa kompania arabe ka nisur shitjen e apartamenteve, zyrave, njësive tregtare dhe vendeve të parkimit për llogari të vet.
Tenderi do të zhvillohet më 22 dhjetor 2025. Punimet parashikohen të zgjasin 18 muaj. Ndërkohë drejtësia hesht, sikur nuk po përdoren fonde publike për të mbështetur një projekt privat. SPAK nuk ka finalizuar ende hetimin për kullat “Alabbar” në Durrës, megjithëse shkeljet dhe favorizimet janë të dokumentuara./Pamfleti
1 mund te hetohete prokuroria dhe scandal dhe avjone
'Alabar' nuk është vetëm një projekt tërësisht korruptiv, por së pari një projekt pilot, ku Kryeministri i Shqipërisë dhe levat e tij në përdorim, testojnë shqiptarët dhe partnerët për faljet dhe dhurimet e ardhëshme të trojeve shqiptare dhe një amnisti për para ardhësit e tij në krye të shtetit shqiptar. SPAK duhet të veprojë ose të identifikohet si instrument në shërbim të 'Parisë së Tiranës" dhe interesave të klaneve ndërkombëtare në dëm të Shqipërisë. Ngado që ta kapësh këtë konçension ,nuk ka ku ta kap as qëni.