Qeveria maskon pastrimin e parave si “marrëveshje vullnetare”, ndërsa ministri i Financave dhe kryetatimori përfitojnë miliona nga auditimet përmes kompanive të tyre private...
Ligji për Paqen Fiskale është kopje e Amnistisë Fiskale që Edi Rama tentoi të miratonte tre ose katër vite më parë dhe që u bllokua nga SHBA, FMN dhe Banka Botërore, sepse synonte legalizimin dhe pastrimin e parave të korrupsionit dhe aktiviteteve kriminale.
Këtë skemë krimi të organizuar shtetëror, në favor të kompanive që kanë kryer evazion fiskal dhe pastrim parash, qeveria e ka maskuar si “marrëveshje vullnetare” mes tatimeve dhe bizneseve që kanë përdorur financime ilegale dhe nuk kanë deklaruar qarkullimin, të ardhurat dhe fitimet faktike.
Sipas këtij ligji mafioz, i lobuar nga pronarët e kompanive të mëdha që ndërtojnë kulla, resorte, kanë offshore dhe koncesione, ata që kanë mashtruar shtetin duhet të deklarojnë fitimet sipas vlerës që mendojnë vetë dhe nuk do të ndiqen penalisht.
Ministri Petrit Malaj dhe kryetatimori Ilir Binaj, në “tepsinë” e Paqes Fiskale
Për të realizuar Paqen Fiskale, pra ligjërimin e vjedhjes së minimalisht 2 miliardë eurove që kompanitë e mëdha dhe të mesme i kanë fshehur shtetit, kryeministri Edi Rama po përdor ministrin e Financave, Petrit Malaj, dhe drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, të dy me kompani auditimi që bashkëpunojnë mes tyre.
Për të rihartuar bilancet, kompanitë që përfitojnë nga Paqja Fiskale duhet t’i certifikojnë bilancet e reja nga kompani ekspertimi kontabël kundrejt pagesës. Këtë mundësi ministri Petrit Malaj dhe Ilir Binaj e konsiderojnë si “shans të artë” për të fituar miliona lekë nëpërmjet kompanive të tyre audituese private.
Këtë biznes me fitime të sigurta dhe të mëdha ministri Petrit Malaj do ta bëjë përmes subjektit auditues “Petrit Malaj – Person Fizik”, kompanive “BDO Albania”, “BDO Group” dhe “Ziv Haft Consulting and Management”, ku babai dhe motra e tij, Limos Malaj dhe Besjana Doda (Malaj), kanë 30 për qind pronësi, si edhe përmes kompanisë italiane “CRIF SPA” ku shefe është Ana Malaj, bashkëshortja e ministrit.
Ndërsa kryetatimori Ilir Binaj do të futet në “tepsinë” e fitimeve të Paqes Fiskale me kompanitë “TPA Albania”, “ASC CPAs”, “Crowe LLP New York City”, “2D Construction 2025” dhe “Grant Thornton”, të cilat janë në pronësi të tij, të babait Agim Binaj ose në bashkëpunim me ta.
Për të përballuar volumin dhe për të humbur gjurmët e fitimeve dhe konfliktit të interesit, ministri i Financave Petrit Malaj dhe drejtorit i përgjithshëm i Tatimeve Ilir Binaj kanë krijuar një rrjet me disa kompani auditimi kontabël, pronarët e të cilave janë të lidhur me ta dhe do të kryejnë këtë biznes që kërkon vetëm firmosje dhe vulosje bilancesh./Pamfleti
Gjërat në këtë vend dihen. Ne si popull flemë gjumë, kemi shprehjen më fataliste, më të keqen: gomarit hapi rrugë! Zgjidja ngelet: 1-Junta, e cila smund tl ndodhë sepse nuk kemi ushtri të konsoliduar; 2- Ti arestojë FBI-ja të gjithë brenda një kohe rekord dhe ta marrin ata drejtimin e këtij vendi.