Shtatë kallëzime, gjashtëdhjetë denoncime, shkelje në vetting, udhëtime të padeklaruara në SHBA, lidhje me persona nën hetim dhe një vit punë në kompani të një të dënuari për grabitje. Asnjë institucion nuk hap hetim...
Drejtuesi i Prokurorisë së Fierit, Elion Mustafaj, përballet me një numër të madh kallëzimesh dhe denoncimesh për shkelje në dosje gjatë detyrës si kancelar, oficer i policisë gjyqësore dhe prokuror në disa qytete. Dokumentet zbulojnë mos përputhje në vite studimi, punësim të bashkëshortes në SHBA te një kompani të një personi të dënuar dhe nën hetim, pushime njëmujore të financuara me 13.2 milionë lekë nga biznesi privat dhe një vit të tërë pune në SHBA të padeklaruar në vetting. KLP, ILD dhe Prokuroria e Përgjithshme heshtin, ndërsa Mirela Bogdani madje intimidoi “Pamfleti”-n që publikoi faktet. Skandali Mustafaj ekspozon qartë dështimin e mekanizmave të kontrollit dhe mbrojtjen e hapur të një drejtuesi që duhej të ishte jashtë sistemit të drejtësisë.
Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela dhe drejtuesi i ILD, Artur Metani, nuk po nisin hetimin e fakteve të publikuara nga “Pamfleti” për abuzimet e drejtuesit të Prokurorisë së Fierit, Elion Mustafaj.
Ndaj tij ka 7 kallëzime dhe 60 denoncime për shkelje të rënda me dosjet gjatë detyrës si kancelar, oficer i policisë gjyqësore dhe prokuror në Durrës, Tiranë, Vlorë, Korçë, Fier dhe Lushnjë.
Drejtuesi i Prokurorisë së Fierit, Elion Mustafaj, ka mos përputhje të viteve të studimeve. Ai ka punësuar bashkëshorten në kompaninë “PUKA LLC” në SHBA, pronë e një shqiptari të dënuar për grabitje me dhunë në Londër dhe nën hetim për trafik droge dhe pastrim parash në Shqipëri.
Sot publikojmë fakte të tjera për mungesën e integritetit të tij, ndërsa institucionet e kontrollit të figurës së zyrtarëve të drejtësisë po heshtin. Madje kryetarja e KLP, Mirela Bogdani, e mbrojti duke intimiduar “Pamfleti”-n.

Sipas dokumenteve zyrtare, gjatë procesit të vettingut kanë dalë prova që janë anashkaluar. Ato lidhen me 6 udhëtime dhe qëndrime në SHBA, për të cilat prokurori Mustafaj ka deklaruar se disa kanë qenë shërbime pune dhe disa private, por në realitet ka qëndruar shumë më gjatë dhe me shpenzime të mbuluara nga daja, motra e gruas, miq dhe të afërm.
Një muaj pushime në SHBA, financuar nga biznesi privat
Për një udhëtim njëmujor në SHBA, prokurori Mustafaj deklaroi se kishte shkuar për pushime familjare dhe kishte shpenzuar 13 milionë e 260 mijë lekë. Këtë shumë ai pretendon se ia ka dhuruar pronari i kompanisë ku punon bashkëshortja Najada Mustafaj.

Pronari i cilës kompani dhe përse duhet t’i financojë një prokurori shqiptar 13.2 milionë lekë për pushime?
Bashkëshortja punon te kompania “PUKA LLC” e Dorian Pukës, i dënuar me burg në Angli për grabitje banesash dhe nën hetim për trafik droge e pastrim parash. Ai është nën hetim edhe në Shqipëri në lidhje me kompanitë amerikane “CPENNEY CORPORATION INC SA” dhe “LEGERE GROUP LTD”.
Megjithëse jeton në SHBA, bashkëshortja merr paga prej 12 vitesh edhe në dy kompani ndërtimi në Shqipëri, konkretisht “Alba Konstruksion Shpk” dhe “Klodioda Shpk”, pjesë e grupit “AFL Shpk”, të lidhur me oligarkë, familjarë ish deputetësh të PS dhe trafikantë në Fier, Lushnjë dhe Vlorë, ku Elion Mustafaj ka qenë dhe vijon të jetë drejtues prokurorie.
Një vit në SHBA me leje të KLP: ku punoi dhe përse nuk e deklaroi?
Me vendim nr. 37, datë 15 prill 2020, prokurori Mustafaj mori leje pa të drejtë page për periudhën 1 maj 2020 deri 30 prill 2021 dhe qëndroi në SHBA për një vit. Ai e kërkoi lejen “për arsye familjare”, por nuk deklaroi në KLP dhe në Prokurorinë e Përgjithshme se shkoi në SHBA dhe punoi në kompaninë “PUKA LLC” të Dorian Pukës, ku punon edhe bashkëshortja.

Qëndrimin njëvjeçar dhe punësimin te një personazh me precedent penal nuk e ka deklaruar në vetting dhe as në formularin e dekriminalizimit. Ai ka deklaruar vetëm dy qëndrime të vjetra në SHBA, më 16 qershor–26 korrik 2010 dhe 24 janar–29 mars 2014.
Komisioni i vettingut e zbuloi këtë shkelje, por nuk e përfshiu në raport, megjithëse fshehja e vendqëndrimit dhe punësimi në një subjekt krimi përbën vepër penale dhe provë për përjashtimin e tij nga sistemi i drejtësisë.
Në vijim do të trajtojmë 7 vendimet e emërimit dhe ri-emërimit të Mustafajt brenda 16 muajve në Prokurorinë e Lushnjës, arsyet e largimit nga Prokuroria e Vlorës dhe grupet kriminale që lobuan për ta bërë drejtues të Prokurorisë së Fierit./Pamfleti
Lini një Përgjigje