TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 4 Dhjetor 2025, 18:59

Nga kantieret e Kremlinit te kullat 210 milionëshe në Tiranë, enigma e Dedjave dhe parave të errëta që lidhin Rusinë me Shqipërinë

Shkruar nga Pamfleti

GLOB 3X, lejet e ndërtimit në Tiranë dhe lidhja e çuditshme me projektet e Lojrave Olimpike Rusi 2014, që Human Rights Watch i cilësoi si shembull ekstrem të korrupsionit dhe shfrytëzimit të punëtorëve...

Nga kantieret e Kremlinit te kullat 210 milionëshe në Tiranë,

Pamfleti ka trajtuar disa herë rastin e Glob 3X dhe të familjes Dedja, por dosja nuk mbyllet me kaq, sepse sa më shumë hapen shtresat e aktivitetit të tyre ekonomik, aq më shumë del në pah një strukturim që nuk përputhet as me realitetin e tregut të ndërtimit në Shqipëri, as me ligjet që kërkojnë transparencë mbi burimin e financimit të investimeve. Ndërkohë që askush nga institucionet nuk reagon, Skënder dhe Visjan Dedja vazhdojnë të marrin leje ndërtimi në një ritëm që nuk lidhet me asnjë kapacitet financiar të deklaruar, ndërsa historia e kompanisë së tyre dhe e firmave të familjarëve krijon një rrjet që meriton hetim të thelluar dhe jo heshtje administrative

Glob 3X ka marrë lejen për dy gradaciela në Rrugën e Kavajës, një investim që vetë kompania e deklaron me vlerë 210 milionë euro, të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit nën drejtimin e Edi Ramës.

Nga kantieret e Kremlinit te kullat 210 milionëshe në Tiranë,

Përtej këtij projekti gjigant, Dedjat kanë marrë edhe leje të tjera ndërtimi në Tiranë. Edhe para vitit 2013, kur aktiviteti i tyre financiar ishte i dobët dhe mungonin tërësisht bilancet zyrtare. Pas vitit 2013 kapitali i tyre u rrit me tre milionë euro, një rritje që nuk lidhet me të dhënat e deklaruara dhe që ngre pikëpyetje për burimin real të këtij fondi.

Paralel me këtë, vëllai i Skënderit, Qemal Dedja, ka dy kompani ndërtimi, Materia Cons 01 dhe Materia Cons.AL, të cilat gjithashtu operojnë në tregun e ndërtimit, ndërsa djali i Qemalit, Artur Dedja, është ndërtues i projektit “Vlora Beach Tower”, që ngre të njëjtat pikëpyetje mbi burimin e kapitalit dhe kapacitetin financiar real të familjes. Familja Dedja rezulton pra një strukturë e zgjeruar biznesi, e cila shfaqet në disa fronte ndërtimi, megjithëse asnjë prej tyre nuk justifikon dot me bilance xhiron e kërkuar për ndërtimin e kështjellave vertikale që kanë marrë miratim nga KKT dhe nga bashkitë.

Skema bëhet edhe më e paqartë kur hyjnë në lojë kompanitë dytësore të Dedjave, të cilat nuk kanë qëllime ndërtimi, por ofrojnë mekanizma idealë për lëvizje parash jashtë sistemit bankar.

V.B.F Albania Transport International shfaqet si kompani e përdorur për transport vlerash, malli dhe personash, ndërsa ''Agjencia Turistike Riviera'' është skeduar për trafik droge dhe trafikim klandestinësh nga strukturat e antikrimit. Agjencia e Punësimit “Miqësia e Popujve” ka funksionuar për vite me radhë si kanal i lëvizjes së personave drejt vendeve të BE-së me kontrata punësimi të dyshimta. Këto kompani nuk janë rastësore por plotësojnë boshllëkun e madh që krijohet nga deklarimi i një kapitali minimal në Glob 3X, nga mungesa e kredive bankare dhe nga pamundësia e shpjegimit se si ndërtohen 210 milionë euro me një kompani që deklaron një kapital të ngjashëm me atë të një sipërmarrjeje të mesme. 

Në mes të kësaj strukture që nuk qëndron financiarisht, Glob 3X ka futur një detaj që ndoshta e mendon si referencë prestigji, por i cili në fakt e tundon edhe më tepër flamurin e kuq. Në faqen e tyre zyrtare, ata deklarojnë se kanë dërguar 820 punëtorë shqiptarë në kantieret e Lojërave Olimpike të Dimrit në Sochi, Rusi. Nëse dikush e lexon sipërfaqësisht, mund të duket sikur bëhet fjalë për një kompani që ka pasur kontrata ndërkombëtare të mëdha. Nëse një kompani shqiptare që sot kontrollon leje 210 milion euro në Tiranë ka operuar më parë si ndërmjetëse për punëtorë në një nga projektet më të kritikuara të epokës moderne ruse, atëherë Shqipëria nuk duhet të shqyrtojë vetëm lejet e ndërtimit, por edhe historikun e rrjedhës së parasë dhe lëvizjes së fuqisë punëtore që lidhen me këtë kompani.

Nga kantieret e Kremlinit te kullat 210 milionëshe në Tiranë,
shkëputur nga website: https://www.glob3x.al/

Human Rights Watch publikoi dy raporte të detajuara mbi Lojrat Olimpike Sochi 2014. Në këto raporte, organizata vërtetoi se punëtorët u morën përmes agjencive të punësimit që funksiononin pa kontroll, shumë prej të cilave sillnin punëtorë nga vende të varfra duke i vendosur në kantierë pa kontrata, pa paga të rregullta dhe pa kushte jetese minimale. Raporti evidenton se qindra punëtorë të huaj u mbajtën me dokumente të sekuestruara, u dëbuan sapo kërkuan pagesat ose u përdorën si fuqi punëtore e heshtur në projekte të mbrojtura nga aparati shtetëror rus. Ajo që bie në sy është fakti se raporti liston kombësinë e punëtorëve nga shumë vende të CIS-it, por nuk përmend asnjë punëtor shqiptar, ndonëse GLOB 3X pretendon se ka çuar 820 prej tyre. Kjo mospërputhje e bën edhe më shqetësues faktin se punëtorët e dërguar nga Dedja mund të kenë qenë pjesë e kanalizimeve të ndërmjetme, jo të kontraktuara drejtpërdrejt, me status punësimi të pakontrolluar, siç e dokumenton HRW për shumë grupe punëtorësh që mbërritën në Sochi përmes agjencive të vogla e të panjohura.

Në Sochi, oligarkët e Putinit dhe nënkontraktorët e tyre përdorën rrjete të vogla agjencish punësimi për të sjellë punëtorë pa dokumente dhe pa asnjë procedurë transparente. Pikërisht ky model është dokumentuar nga Human Rights Watch. Punëtorë migrantë silleshin nëpërmjet “agjencive të padukshme”, që shpesh nuk linin gjurmë financiare, nuk regjistroheshin në zyrat tatimore dhe nuk jepnin dokumente punësimi. Ky ishte një mekanizëm i kontrolluar nga Kremlini, i cili i dha mundësi oligarkëve të Putinit si Rotenberg, Timchenko dhe Yakunin të ndërtonin një projekt që nga 12 miliardë dollarë u rrit në mbi 50 miliardë, me rreth 30 miliardë të vjedhura sipas raporteve të opozitës ruse.

Ky model përputhet pikë më pikë me mënyrën se si funksionojnë sot agjencitë e Dedjave në Shqipëri. Nëse ata kanë dërguar punëtorë në Soçi, atëherë nuk kanë qenë nënkontraktorë ndërtimi por ndërmjetës të fuqisë punëtore, të njëjtit ndërmjetës që sot shfaqen nën emrat Riviera, Miqësia e Popujve dhe VBF Albania. Aty qëndron nyja që lidh Soçin me Tiranën. Dhe ky fakt nuk mund të konsiderohet më thjesht një detaj historik, sepse është provë e një modeli që është përdorur në projektin më të korruptuar infrastrukturor të Rusisë, i cili sot përdoret në Shqipëri për të justifikuar ndërtimin e kullave që tejkalojnë çdo logjikë financiare.

Pikërisht këtu lind pyetja e madhe: nëse një kompani shqiptare ka operuar brenda një sistemi nënkontraktimi që ishte pjesë e zinxhirit të oligarkëve të Kremlinit, nëse ka përdorur modele të ngjashme për lëvizje të personave dhe të parave dhe nëse sot merr leje ndërtimi me vlerë 210 milionë euro pa asnjë provë të burimit të kapitalit, a ekziston rreziku që interesat ruse të jenë infiltruar në tregun e lejeve të ndërtimit në Shqipëri?

Nëse institucionet do të funksiononin, kjo pyetje do të ishte trajtuar nga SPAK, nga Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe nga Komisioni i Ekonomisë. Por në realitetin shqiptar, mjafton firma e KKT dhe një dosje e zbrazët për t’u shpallur investitor gradacelash. Në një vend ku hetimi nis për një biznes që nuk deklaron faturat e printerit, është e paimagjinueshme që një kompani me këtë profil të marrë leje për dy gradaciela pa asnjë pyetje për kapitalin.

Dhe për sa kohë SPAK nuk flet, për sa kohë Qeveria mbyll sytë dhe për sa kohë Dedjat vazhdojnë të shfaqen si “sipërmarrës të suksesshëm”, mbetet e hapur pyetja që e përmbyll këtë shkrim: kush po ndërton realisht dy kullat 210 milionë euro në Tiranë? /Pamfleti

 

glob 3x group lojrat olimpike sochi dedja

1 Komente

  1. N
    Nasi

    Lerini njerezit te punojne, na cmendet duke zhyer me balte keta qe perpiqen. Mos kujtoni se vijne leket ne Shqiperi nga qielli. Respekte per kete familje.

    Lini një Përgjigje