
Me firmën e Edi Ramës, “Glob-3X Group” e Skënder dhe Visjan Dedjes merr lejen për dy gradaciela gjigante në Rrugën e Kavajës, ndërsa kapitali i tyre real është vetëm 3.5 milionë euro dhe aktivitetet e kompanive të tyre janë nën dyshime të rënda për trafik, klering, fajde dhe transferim ilegal parash.
Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar ndërtimin e dy kullave me vlerë 210 milionë euro nga kompania “Glob-3X Group”, në pronësi të Skënder dhe Visjan Dedjes, dy biznesmenëve nga Mati që deklarojnë vetëm 3.5 milionë euro kapital. Raportet e SHISH, Anti-krimit Ekonomik, Agjencisë së Inteligjencës Financiare dhe partnerëve amerikanë e europianë sinjalizojnë dyshime serioze për burime të paligjshme financimi: transport ilegal vlerash monetare, trafik klandestinësh, drogë, kontrata punësimi fiktive dhe kompani që s’kanë dorëzuar bilance 15–20 vjet. SPAK duhet të hetojë 3 kompanitë-lavatriçe të grupit “Dedja”; “V.B.F Albania Transport International”, “Riviera Turistike” dhe “Miqësia e Popujve”, si dhe lidhjet e tyre me zyrtarë në Ministrinë e Brendshme, atë të Jashtme dhe ambasadat shqiptare. Dy kullat e Tiranës mund të jenë projekti më i madh i pastrimit të parave të krimit dhe korrupsionit në territorin e kryeqytetit.
Këshilli Kombëtar i Territorit, me firmën e Edi Ramës, ka miratuar ndërtimin e dy kullave në aksin e Rrugës së Kavajës, një zonë me vlerë rekord në tregun e pasurive të paluajtshme. Këto dy kulla, me vlerë investimi 210 milionë euro, do të ndërtohen nga kompania “Glob-3X Group Sh.p.k”, me ortakë Skënder dhe Visjan Dedja, babë e bir nga fshati Dukagjin i Matit, megjithëse sipas të dhënave financiare, ata kanë vetëm rreth 3.5 milionë euro kapital.
Ortakëria aktuale, deklaruar më 20 nëntor 2020, ndahet në këto kuota: 51% i përket Visjan Dedjes me vlerë kapitali 175.145.613 lekë, ndërsa Skënder Dedja ka 49% me vlerë kapitali 168.277.158 lekë, ose rreth 2.5% e vlerës së investimit të gradacielave.

A do të nisë SPAK hetimin për burimet e financimit nga aktivitete të paligjshme?
Megjithëse me vetëm 3.5 milionë euro kapital total, Skënder dhe Visjan Dedja do të ndërtojnë dy gradaciela me vlerë 210 milionë euro, për të cilat nuk kanë bërë asnjë deklarim për burimin financiar. Ky është një rast tipik i indicieve dhe provave të qarta për përdorim parash të korrupsionit dhe të botës së krimit në biznesin e ndërtimit në Shqipëri, për të cilat kanë dhënë alarmin DASH, FBI dhe agjencitë europiane të inteligjencës financiare.
Referuar këtyre raporteve, si dhe informacioneve të SHISH, Agjencisë së Inteligjencës Financiare dhe strukturave të Anti-krimit Ekonomik-Financiar, SPAK duhet të nisë hetimin për burimin e financimit të dy gradacielave që pritet të ndërtohen nga Skënder dhe Visjan Dedja në Tiranë.
Përveç milionave të grumbulluara brenda dhe jashtë Shqipërisë jashtë sistemit bankar, ata kanë të ardhura të padeklaruara që dyshohet se burojnë nga veprimtari të paligjshme, të realizuara përmes tre kompanive të tyre, për të cilat nuk kanë dorëzuar bilance prej 15–20 vitesh. Këto kompani janë: “V.B.F Albania Transport International”, “Agjencia Turistike Riviera” dhe “Agjencia e Punësimeve Ndërkombëtare Miqësia e Popujve”.
Nën logon e këtyre subjekteve, Skënder dhe Visjan Dedja, së bashku me familjarë dhe ortakë ilegalë brenda e jashtë Shqipërisë, janë skeduar për trafik droge, trafikim klandestinësh, transferim dhe transport ilegal vlerash monetare, si dhe për transport personash në kërkim me dokumente të falsifikuara dhe kontrabandë sendesh me vlerë.
Nëse SPAK do të hetonte aktivitetin e këtyre 3 kompanive, gjurmët do të çonin deri te zyrat e emigracionit të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Jashtme dhe ambasadat shqiptare, ku janë lëshuar dokumente për trafikimin e qenieve njerëzore drejt vendeve të BE-së, Kanadasë dhe Anglisë, me kontrata fiktive pune, sidomos në Gjermani, përmes bazës familjare “Duren”, e cila ka një kompani ndërtimi “lavatriçe” edhe në Shqipëri.
Në funksion të veprimtarisë së paligjshme dhe të ardhurave të mëdha të krijuara jashtë sistemit bankar, grupi “Skënder Dedja” krijoi dhe përdor në mënyrë ciklike tre kompanitë “V.B.F Albania Transport International”, “Agjencia Turistike Riviera” dhe “Agjencia e Punësimeve Ndërkombëtare Miqësia e Popujve”.
Nuk mund të thuhet se 210 milionë eurot e dy gradacielave, apo milionat e pallateve në Tiranë, burojnë vetëm nga aktiviteti i këtyre tre agjencive. Por është e qartë se një pjesë e madhe e kapitalit vjen nga miliona të mbledhura përmes kleringut, fajdeve, bashkëpunimit me pushtetarë dhe grupe të krimit të organizuar, siç kanë vepruar edhe me ish-ortakun fiktiv nga Maqedonia e Veriut, për të cilin do të flitet në vijim./Pamfleti
Ndihmojeni pijanecin Petro o njerez????
Po çdoni ju more ku i gjeti leket lëreni mo investimin e te behet Tirana se vende pune hap