Ndërtimet shumëkatëshe në Shqipëri po analizohen me lupë nga raportet ndërkombëtare dhe disa zyrtarë amerikanë të pozicionuar në Tiranë së fundmi për monitorimin e lejeve, kompanive fituese dhe rrjedhën e parasë së zezë që po futet në vend përmes kullave..

Shqipëria sot nuk gjykohet më nga numri i kullave që ngre, por nga burimi i parave që i ndërton. Raportet e viteve 2024 dhe 2025 nga Moneyval, FATF, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Bashkimi Europian nuk flasin më për “zhvillim urban”, por për një vend ku sektori i ndërtimit është kthyer në korridor të hapur për pastrimin e parave të drogës dhe korrupsionit, ku kompani që dalin nga hiçi marrin leje shumëkatëshe pa asnjë provë reale se kapitali i tyre vjen nga ekonomia e ligjshme dhe jo nga ekonomia e krimit.
Moneyval në vlerësimin e fundit e rendit pasurinë e paluajtshme si një nga pikat më të nxehta të rrezikut për pastrim parash në Shqipëri. Raporti thekson se autoritetet shqiptare ende nuk tregojnë bilanc bindës në ndjekjen penale të rasteve të pastrimit të parave, ndërkohë që vërehet rritje agresive e investimeve në ndërtim, rritje e çmimeve të apartamenteve dhe një valë kompanish pa traditë biznesi që shfaqen papritur si “investitorë strategjikë”.
Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin INCSR 2025 shkon më tej dhe e përshkruan në mënyrë të drejtpërdrejtë mënyrën se si rrjetet shqiptare të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës përdorin kullat, resortet dhe komplekset e reja si mjetin kryesor për të shndërruar fitimet e tyre kriminale në investime të dukshme, por të paprekshme nga ligji. Raporti vëren se kompani pa staf, pa kapital, pa histori tatimore dhe pa xhiro të ndershme paraqiten në letrat zyrtare si zhvillues të projekteve me dhjetëra e qindra milionë euro, në një kohë kur as bankat, as bursat, as tregu real nuk e shpjegojnë dot këtë kapërcim nga zero në shifra marramendëse. Pikërisht për këtë arsye, në Tiranë sot nuk kemi më vetëm mision diplomatik formal, por kemi një vëmendje operative shumë më të fortë: zyrtarë amerikanë të pozicionuar muajt e fundit në vendin tonë po analizojnë me detaj çdo leje ndërtimi, çdo kompani që futet në garë për kulla dhe çdo qarkullim të dyshimtë të parasë së zezë që lidhet me këto projekte, duke kërkuar përgjigje konkrete se kush është pronari real, kush garanton kapitalin dhe çfarë fshihet pas firmave që deri dje nuk njiheshin nga askush.
Bashkimi Europian në raportin e progresit për vitin 2024 nuk e relativizon aspak situatën. Komisioni Europian shkruan se Shqipëria duhet të forcojë dukshëm kontrollin mbi investimet në ndërtim, të verifikojë burimin e kapitalit dhe të ndalojë praktikën ku kompani pa kapacitete reale shfaqen si mbajtëse lejesh kolosale. BE e lidh drejtpërdrejt higjienën financiare të sektorit të ndërtimit me procesin e anëtarësimit dhe e sheh tolerimin e parasë së dyshimtë në beton si rrezik për integritetin e gjithë marrëdhënies financiare me Unionin. Në përkthim të thjeshtë, çdo kullë e ngritur me para të errëta nuk është vetëm problem i brendshëm, por është një sinjal negativ që shkon në Bruksel dhe dëmton kredibilitetin e vendit.
Pamfleti ka dokumentuar në mënyrë sistematike mekanizmin përmes të cilit ky fenomen materializohet. Rasti i kompanive të sapokrijuara, me kapital qesharak prej 100 mijë lekësh, me 1 ose 2 punonjës në QKB, pa asnjë aktivitet të mëparshëm në ndërtim, por që marrin leje për kulla 30 apo 40 kate në Tiranë dhe për resorte me dhjetëra milionë euro në bregdet, nuk është më përjashtim i rrallë, por është kthyer në model. Në shumë prej këtyre rasteve, hetimi i pronësisë reale të firmave çon tek persona me histori problematike, me lidhje me trafik ndërkombëtar droge, me procedime penale, ose tek persona që nuk justifikojnë askund pasurinë që pretendojnë se po investojnë. Në të njëjtën kohë, bilancet zyrtare të këtyre shoqërive shpesh tregojnë të ardhura minimale, fitime të papërfillshme dhe mungesë totale kredish bankare, gjë që do të thotë se financimi nuk vjen nga sistemi financiar i gjurmueshëm, por nga jashtë tij.
Ky kontrast, mes tabelave bosh të bilanceve dhe maketëve shumëngjyrëshe të kullave, është arsyeja pse Shqipëria po hyn gjithnjë e më shpesh në paragrafe të veçantë në raportet e organizmave ndërkombëtare. Për institucionet financiare dhe agjencitë e inteligjencës ekonomike, një treg ku çmimet e apartamenteve rriten pa lidhje me pagat, ku mijëra apartamente qëndrojnë bosh, ku lejet e ndërtimit shumëfishohen dhe ku përfituesit realë fshihen pas zinxhirësh kompanish guackë, nuk është treg normal, por treg i kontaminuar nga pastrimi i parave. Rrjedhimisht, investitorët seriozë, bankat ndërkombëtare dhe partnerët strategjikë e lexojnë Shqipërinë jo si një histori suksesi në zhvillim, por si një ekonomi të brishtë, të mbajtur në këmbë nga para që as shteti nuk guxon t’i pyesë nga vijnë.
Pasojat për qytetarët janë të drejtpërdrejta. Çmimet e banesave janë rritur në nivele të paarritshme për shumicën e familjeve. Tregu i qirave është përmbysur nga kërkesa artificiale e apartamenteve të blera si instrument pastrimi, ndërsa të rinjtë që punojnë me rroga normale nuk arrijnë as të kursejnë për një kapar. Ekonomia lokale nuk përfiton proporcionalisht, sepse shumë nga këto projekte nuk gjenerojnë zinxhir prodhimi, por thjesht fiksojnë kapitalin e dyshimtë në beton dhe qelq. Kjo krijon një vend ku shihen kulla luksoze, por ku punët me paga të ndershme janë të pakta, ku çmimi i jetesës rritet, ndërsa siguria ligjore bie.
Në këtë panoramë, mesazhi që vjen nga partnerët ndërkombëtarë është i qartë. Shqipëria nuk mund të kërkojë anëtarësi në BE, të kërkojë besim nga tregjet dhe të pranojë në heshtje që krimi i organizuar të diktojë arkitekturën e qyteteve.
Zyrtarë amerikanë të pozicionuar muajt e fundit në vendin tonë po e lexojnë çdo leje, çdo kompani, çdo qarkullim të dyshimtë të parasë së zezë si provë të një sistemi që ose do të pastrohet me reforma të vërteta dhe me hetime reale, ose do të trajtohet si problem sigurie përtej kufijve tanë. Dhe kur partnerët të ndezin dritën e kuqe, nuk mjafton më retorika e betejës kundër korrupsionit. Duhet transparencë e plotë, sekuestro pasurish, goditje reale e kompanive fantazmë dhe mbyllje e rubinetit të parave të krimit që po betonohet në sy të të gjithëve. /Pamfleti
Mener so ty e rrujt asnji per at mut veni se dhe qent kan emigru aty, veten vrafshit se nuk i plas njeriu, ven qe shpall armik lekun vetem budallejt e albanadollit jan
Cmimet jane shume shume te larta se keshtu mund te raportohet per me shume para te pastruara per cdo meter 2. Keto kulla jane dhe do mbeten bosh por poseduesit e tyre me vleren e rreme te kullave paguajne haracin e pastrimit te parave.I fituar pa asnje shpenzim eshte korupsioni. Investuesit e kullave paguajne kooston e kulles, mundin e tyre dhe shume here me jeten e tyre. Ekonomia shqiptare vetem fundoset me investimin e ketyre kullave.