TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Nëntor 2025, 13:00

Kullat e reja, alarm për pastrim parash; Nis verifikimi i bilanceve dhe pronarëve të 16 shoqërive ndërtuese

Shkruar nga Pamfleti

Kullat e reja, alarm për pastrim parash; Nis verifikimi i bilanceve dhe

Pamfleti ka nisur një hetim të plotë financiar, duke marrë në shqyrtim të gjitha kompanitë e përfshira, bilancet, pronarët, partneritetet, kontratat noteriale, qarkullimet bankare, si dhe lidhjet me bizneset e tjera paralele.

Në Shqipëri po ngrihen kulla njëra pas tjetrës, si të ishim Emiratet e Lindjes, por me një ndryshim të vogël: këtu paratë nuk vijnë nga nafta, por nga errësira. Brenda një muaji, Këshilli Kombëtar i Territorit ka firmosur 16 leje ndërtimi për kulla gjigante, shumë prej tyre me 20, 30, 40 e deri në 67 kate, ndërsa kompanitë zhvilluese kanë kapital minimal, struktura të mjegullta pronësie, administratorë të panjohur dhe të ardhura vjetore qesharake krahasuar me projektet që marrin përsipër.

Ky është një alarm i rëndë kombëtar, një sinjal i qartë se jemi përballë një vale të re pastrimi parash, e cila nuk fshihet më pas fasadave të lokaleve, magazinave apo bizneseve fantazmë, por ngrihet hapur në zemër të Tiranës, Vlorës, Durrësit dhe Shëngjinit, në formën më arrogante të mundshme: Kulla 40-katëshe me kapital 100 mijë lekë.

Pamfleti ka nisur një hetim të plotë financiar, duke marrë në shqyrtim të gjitha kompanitë e përfshira, bilancet, pronarët, partneritetet, kontratat noteriale, qarkullimet bankare, si dhe lidhjet me bizneset e tjera paralele. Që tani, fakte alarmante dalin në pah – fakte që shteti nuk i sheh, institucionet nuk i kontrollojnë, ndërsa lejet firmosen me shpejtësi rekord.

Skema është e qartë: kapitale minimale; leje gjigante; ndërtime që financohen me para cash pa origjinë; legalizim përmes shitjes së apartamenteve; transformim i parave të pista në asete të ligjshme. Ky është modeli i mafies financiare, por i bërë me firmat dhe vulat e shtetit shqiptar.

Nga verifikimet paraprake të Pamfletit, disa shoqëri zhvilluese kanë:

- kapital 100.000 lekë dhe kërkojnë të ndërtojnë kulla 40–60 kate;
- administratorë që nuk kanë asnjë histori biznesi;
- kompani të themeluara para 6–12 muajsh që marrin projekte qindra milionëshe;
- lidhje të dyshimta me kompani fiktive, network familjar të mbyllur dhe ortakë fantazem;
- investime totale të shpallura 10 deri 20 herë më të larta se xhiroja e deklaruar në tatime.

Në listën e 16 lejeve të miratuara së fundmi, disa kompani dalin menjëherë në pah jo për performancë, as për eksperiencë, por për mospërputhjen flagrante midis kapitalit, historikut dhe madhësisë së projekteve që marrin përsipër. Këto janë pikërisht mostrat klasike të skemave të pastrimit të parave: struktura minimale, pronësi fluide dhe mungesë totale kapacitetesh.

Glob 3X Group; Kulla 26-katëshe te Siri Kodra me kapital që nuk mbulon as themelet

Shoqëria që merr përsipër ngritjen e dy kullave mbi 50 mijë meter katrore sipërfaqe ndërtimi ka një kapital që, sipas të dhënave të deklaruara, nuk mbulon as koston e gërmimeve. 

Ky është modeli i një ndërtuesi “nga hiçi” që bëhet papritur investitor i kullave, një shenjë e qartë se investimi real nuk del nga bilanci i kompanisë.

Kompania “Glob-3X Group Sh.p.k”, me ortakë Skënder dhe Visjan Dedja nga Dukagjini i Matit, rezulton me  fitime vjetore që variojnë nga 550 mijë në 2.2 milionë lekë; shifra të ngjashme me një biznes të vogël.

Megjithatë, kjo shoqëri është përzgjedhur për të ndërtuar gjithashty dy kulla binjake me vlerë të deklaruar 210 milionë euro në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës, në aksin e Rrugës së Kavajës.

Kompania “Modeste”: 7.7 milion lekë kapital, leje për kullë që kërkon dhjetëra mln euro

Sipas të dhënave të Regjistrit të Biznesit, kompania Modeste sh.p.k është themeluar në vitin 1995, me kapital themeltar vetëm 7.7 milion lekë (rreth 69 mijë euro).

Fillimisht shoqëria ka qenë në pronësi të Xhentil Kotobellit, i cili në tetor të vitit 2023 i ka shitur 50% të kuotave bashkëpronarit të atëhershëm, Refit Hyseni.

Pas këtij transaksioni, Refit Hyseni është sot zotërues i vetëm i kompanisë.

Kompania ka aktivitet formal në fushën e ndërtimit dhe turizmit, por kapitali i saj i ulët, mungesa e historikut të projekteve të mëdha dhe përmasat minimale financiare përplasen drejtpërdrejt me projektin që i është dhënë: një objekt hotelerie dhe banimi me 24 kate në Vlorë.

Ashtu si shumë prej kompanive të tjera në këtë listë, kapacitetet e Modeste sh.p.k nuk e justifikojnë dot një investim të përmasave dhjetëra milionë euro, duke ngritur dyshime të forta se kompania mund të jetë duke vepruar si mbajtëse licence, ndërsa investimi i vërtetë vjen nga burime të tjera të padeklaruara.

Materia Cons 01 sh.p.k; kompani me 100 mijë lekë kapital që merr projekt “Vlora Beach Tower”

Shoqëria Materia Cons 01 sh.p.k është regjistruar në vitin 2019, me kapital themeltar vetëm 100 000 lekë (rreth 820 euro).

Aksioneri i vetëm i kompanisë është Artur Dedja, i cili zotëron 100% të kuotave, pas një akt-dhurimi të kryer nga ish-aksionari Qemal Dedja.

Ky profil është karakteristik për kompanitë që nuk kanë asnjë kapacitet real financiar për të përballuar investime madhore. Kapitali prej 820 eurosh nuk mbulon as koston e hapjes së një zyre, jo më projektin e llojit “Vlora Beach Tower”, që kërkon investime të nivelit miliona euro për ndërtim, superstrukturë, beton, inxhinieri, arkitekturë dhe urbanistikë bregdetare.

Kompania nuk ka histori të rëndësishme aktiviteti, nuk ka bilance që justifikojnë aftësi financiare dhe nuk ka pasur më parë projekte të krahasueshme.
Kjo e vendos Materia Cons 01 në kategorinë e subjekteve që mund të përdoren si kompani mbulesë, ndërsa burimi i vërtetë i financimit mbetet i padeklaruar.

Fakti që një shoqëri me kapital kaq minimal merr një projekt strategjik turistik në Vlorë përbën sinjal të qartë rreziku për financim të fshehtë, pastrim kapitalesh ose përdorim të kompanisë nga investitorë të padukshëm që nuk shfaqen në dokumentet zyrtare.

El & El Construction; kompania “fantazmë” e Ali Demit

El & El Construction është një nga rastet më alarmante. Gjatë verifikimeve paraprake, kompania nuk rezulton në asnjë platformë të open data, nuk gjendet në OpenCorporates dhe as në regjistrat e transparencës financiare. Në praktikë, kompania nuk ekziston askund, përveç dokumentit të lejes për një godinë 34–36 kate në Ali Demi.

Pamfleti po kryen verifikime të thelluara, pasi ka indicie të forta se pas subjektit mund të fshihen emra të njohur për publikun, të cilët nuk shfaqen në dokumentet zyrtare.

Klar sh.p.k dhe super-kullat e Bulevardit të Ri; pastrimi parash dhe pazar politik?

Projekti i 6 kullave nga 33 deri në 67 kate në Bulevardin e Ri, i miratuar për kompaninë Klar sh.p.k, nuk po komentohet në sektor vetëm për dimensionet e tij të frikshme urbanistike. Ajo që ka ndezur alarmin janë dyshimet e forta se pas këtij projekti nuk qëndron as vetë kompania, as kapaciteti i saj financiar, por rrjetet politike dhe ekonomike të Shkëlzen Berishës.

Emri që del në sipërfaqe është i njohur: Shkëlqim Beshiri, i përfolur prej vitesh si njeriu që menaxhon, mban, zhvendos dhe formalizon pasuritë e Shkëlzenit, në formë prestanomi. Në shumë dosje mediatike dhe ekonomike, Beshiri shfaqet si “garanti” dhe si ndërmjetës i interesave të familjes Berisha në ndërtim, në troje dhe në projekte të mëdha urbane.

Në këtë kontekst, futja e KLAR sh.p.k në projektin gjigant të Bulevardit të Ri shihet nga ekspertët e ndërtimit si vazhdim i të njëjtit model: një kompani që mban emrin në dokumente, por jo kapitalin real, ndërsa pas saj qarkullon paraja politike që kërkon të formalizohet përmes kullave.

Trust Construction; kompania 100 lekëshe e Artur Caushajt që po kthen tenderat korruptivë në kulla

Trust Construction sh.p.k. u themelua në vitin 2020 me një kapital qesharak prej 100 lekësh, por brenda pak muajsh deklaroi qarkullime prej 183 milionë lekësh dhe miliona fitim. Kjo rritje e papritur nuk ka asnjë shpjegim ekonomik, por ka një shpjegim politik: administratorit Artur Caushaj i janë hapur dyert e tenderave publikë, dhe paratë që vijnë nga aty po kanalizohen sot në projekte ndërtimi shumëkatëshe.

Modeli është tipik për skemat e pastrimit të parave: kompani pa kapital, bilance të fryra brenda natës dhe investime që kapërcejnë çdo kapacitet real financiar. Në rastin e Caushajt, të gjitha shenjat tregojnë se fitimet e tenderave të dyshimtë po riciklohen në ndërtim, duke e shndërruar Trust Construction në një prej emrave më problematikë të listës së lejeve të reja urbane.

Kedinvest; kompania 100 lekëshe që kërkon të ndërtojë një kompleks shumëkatësh në Tiranë

Kedinvest sh.p.k. është një tjetër shembull tipik i kompanive “mikroskopike” që papritur shfaqen si investitore të kullave në Tiranë. Shoqëria është regjistruar në maj 2024 me një kapital simbolik prej 100 lekësh dhe dy ortakë: Isuf Lika me 67% dhe Dini Bega me 33%. Asnjëri prej tyre nuk ka histori të njohur investimesh në real estate të kësaj përmase.

Kush po garanton se këto kompani nuk janë fasada të grupeve kriminale?

Pse në dosjet e aplikimit mungojnë analizat e kapacitetit financiar?

Pse lejet miratohen në heshtje, ndërsa qyteti mbushet me kulla që nuk i përkasin ekonomisë reale të vendit?

Pamfleti do nis kërkesat zyrtare për të gjitha bilancet si dhe verifikime të plota për partneritetet e tyre. Paralelisht, jemi duke ndjekur edhe pistat e financimeve të padeklaruara, investitorëve nga jashtë që hyjnë përmes korrierëve lokalë, si dhe mundësinë e përfshirjes së individëve me rekorde kriminale.

Ky nuk është më një alarm mediatik; është një rrezik sistemik për ekonominë, valutat, bankat, tregun e pasurive të paluajtshme dhe stabilitetin financiar. Shqipëria sot është në pikën ku ndërtimi i kullave nuk është zhvillim urban, por lavanderi e betonuar. Dhe është detyra jonë ta bëjmë publike, hapur, me emra dhe me dokumente. /Pamfleti

kullat e reja pastrim parash

3 Komente

  1. E
    E verteta

    Të gjitha kompanite e ndertimut qe marrin leje ndertimi për kulla mbi10 kare dhe kanë kapital 1000 euro janë kompani qe pastrojnë parare e korrupsionit të pushtetareve qe na kanë vjedhur në këto 35 vjet të cilët i kanë pastruar parate edhe nëpërmjet bankave te nivelit të dyte te cilat nuk janë kontrolluar nga Banka e Shqipërise. Në këtë punë të felliqur janë të përfshire edhe Drejtoria e Tatim Taksave me kontrollet fiktive ndaj këtyre kompanive. Prandaj jemi në këtë gjendje katastrofike financiare si shteti më i korruptuar dhe më i varfer në Europe dhe fajtore eshte kasta kriminale hajdute antokombetare PS-PD.

    1. B
      Bravo Pamfleti

      Ndërtimet, në një vend ku ka ka dhjetra mijra apartamente bosh nuk shpjegohet ndryshe veçse me një qëllim tjetër jashtë funksionimit të arësyeshëm të tregut. Sigurisht, lavatriçja e të bardhave duhet të punojë pa ndalesë. Ironia më e hollë ishte ftesa që zotëri kryeministër u bëri pleqve emigrantë të vijnë në Shqipëri për të blerë këto apartamente sa më parë pasi shumë shpejt çmimet do të rriten ndjeshëm, dhe ata mund të humbin një rast të rrallë për të kaluar ditët e fundit të jetës së tyre në parajsën që po ndërton qeveria socialiste. Sikur këta pensionistë i kanë paratë nën jastëk. Apo mos e ka me kod për ata që kanë nevojë të pastrojnë ato para që kanë për të pastruar, se shumë shpejt nuk do ta kenë këtë mundësi.

      1. A
        AAA

        Uroj Pamfletin. Kjo eshte rruga e shpetimit te Shqiperise.Mund te permend vetem nje fakt: ai qe fut njeqint milioon euro ku i ka paguar sigurimet shoqerore per kete shume ?

        Lini një Përgjigje