Po ju zotërinj, me nder të diskutueshëm, të SPAK, a keni dëgjuar ndonjëherë për tenderët shumë-milionësh që shefja e Joanës, Ogerta Manastirliu, bën në shkelje të ligjit dhe për interesa ashiqare mafiozësh në shëndetësi? Dosjet e saj i keni mbi tavolina. Të dokumentuara edhe nga KLSH. Kur do të filloni të merreni me këtë dhe raste të tjera të ngjashme me të?
E vumë drejtësinë në vend d.m.th. Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, bashkëpunëtore e vjetër e Ogerta Manastirliut, por e re në atë post, as sa ngatërroi të madh e të vogël me foton e gabuar, u kap me 3 milion lek të vjetra ryshfet. Eureka!
U gjet kush e bënte korrupsionin në shëndetësi! E çuam në burg. Le të kuptohemi, kjo zonja e meriton të jetë pas hekurave, por në kini Zot, na e kurseni atë këngën e "drejtësisë që u vu në vend dhe përgjegjësisë personale, pa lidhje me shefin", se po u rrotulloni eshtrat në varr të gjithë atyre që kanë humbur jetën në këtë vend për mungesë ilaçesh, pajisjesh, kujdesi mjekësore e vjedhjesh në shëndetësi, që nisin nga i pari e deri tek më i fundit.
Joana Duro është vënë në pranga dhe drejtësia po e rrotullon si karamele në gojë emrin e saj; si sukses të madh; si arritje dhe kapje në flagrancë e një rasti korruptiv; a thua se nga sot, sistemi shëndetësor do të dalë në selamet.
Kjo është drejtësia jote, z. Dumani? Kaq është maksimumi që mund të bësh?
Faktet thonë jo dhe nderi e ligji ta do që të mos lejosh të luhet kaq keq me drejtësinë.
Joana Duron hetoje dhe jepi hakun. Do ta duartrokasim si rastin e një zyrtari të korruptuar që u vu përpara drejtësisë, por një rast i vockël, krejt i parëndësishëm përballë hienave që hyjnë e dalin nga zyra jote, pa lagur.
Joana mori 3 milion lek të vjetra për tenderë qendrash shëndetësore. Po ju zotërinj, me nder të diskutueshëm, të SPAK, a keni dëgjuar ndonjëherë për tenderët shumë-milionësh që shefja e Joanës, Ogerta Manastirliu, bën në shkelje të ligjit dhe për interesa ashiqare mafiozësh në shëndetësi? Dosjet e saj i keni mbi tavolina. Të dokumentuara edhe nga KLSH. Kur do të filloni të merreni me këtë dhe raste të tjera të ngjashme me të?
Sa për t'ua kujtuar:
Kur mendoni të hapni dosjet e tenderëve "urgjentë" të kohës së pandemisë, ku janë derdhur miliarda të fshehur pas urgjencës? Kur do ta vini para drejtësisë shefen e Joanës për rastin e "Farma Net Albania" që rrufiti me një të thithur 800 milion lek? Po për 870 milion të tjerat të fituara nga e njëjta firmë për barnat e qendrave shëndetësore turistike, një tender i fituar edhe pse ishte oferta më e lartë e ofruar? Apo nuk ju bën përshtypje kjo?
Po mirë atëherë, po ato tenderët e dezinfektimit dhe marrëdhënien e dyshimte të shefes së Joanës me firmën "NRG", kur do ta shqyrtoni?
Po pazaret e ministres me trafikantin Lefter Lamaj pse nuk i hetoni? Janë ato tenderët 3-4 milionë eurosh për shërbim pastrimi, hotelerie e lavanderi në disa spitale...
Po tenderët e fituar nga "Megapharma" e Petrit Vasilit, me 2.5 milion euro, i fituar me të dhëna false?
Po skandalet me miliona euro për kompanitë dhe tenderët që furnizojnë spitalet me oksigjen? Apo këto i keni harruar? Po tenderët që e lidhin shefen e Joanës me Nikun e Ndragetës në sektorin e shëndetësisë, ju thonë gjë, zotërinj të drejtësisë?
Fundja fare, që të mos lodheni kaq shumë, pse nuk provoni të hapni defterët e koncensioneve në shëndetësi e të merreni me Kryeministrin që i ka firmosur, ministra shëndetësie, finance dhe të tjerë dallkaukë?
Joana mori ryshfet dhe e meriton të japë llogari, por Ju të drejtësisë së vogëlsirave nuk u lejohet të këndoni këngë fitimtarësh. Shqiptarët nuk e meritojnë të fyhen kështu dhe mos mendoni se janë kaq syleshë.
Z. Dumani, lërini peshqit e vegjël dhe merruni me peshkaqenët që ju vijnë në zyrë, i qerasni me kafe dhe i lejoni të kthehen të qetë në zyrat e tyre.
Nëse doni të hyni në historinë e këtij vendi për mirë, bëjeni punën tuaj si duhet. Mos e kafshoni më shumë këtë karremin e peshqve të vegjël ndërkohë që të mëdhenjtë livadhisin./Pamfleti
Lini një Përgjigje