Dokumentet zbulojnë se Elion Mustafaj ka hequr nga hetimi bashkëshorten dhe vajzën e Sekretarit të Përgjithshëm të Prokurorisë së Përgjithshme, të përfshira në certifikimin e bilanceve false të “Bankers”...
Një tjetër skandal trondit sistemin e drejtësisë.
Drejtuesi i Prokurorisë së Fierit, Elion Mustafaj, ka hequr nga dosja hetimore “Bankers” emrat e zyrtarëve të qeverisë, drejtësisë dhe familjarëve të tyre, të përfshirë në vjedhjet dhe mashtrimet fiskale me kompaninë koncesionare të naftës.
Në listën e personave që janë fshirë nga hetimi, ndodhen Leze Abazi dhe Eda Abazi, nënë e bijë, ortake të kompanisë “L.E.A.L Auditing Sh.p.k.”; kompania që ka firmosur auditimet dhe bilancet false të “Bankers”.
Por lidhja nuk ndalet këtu: Leze dhe Eda Abazi janë bashkëshortja dhe vajza e Luan Abazit, Sekretar i Përgjithshëm i Prokurorisë së Përgjithshme, zyrtari më i lartë civil që mbikëqyr administrativisht të gjitha prokuroritë e vendit, përfshirë edhe atë të Fierit.

Kjo do të thotë se Elion Mustafaj ka hequr nga hetimi familjarët e drejtpërdrejtë të eprorit të tij.
Një akt flagrant konflikt interesi dhe shpërdorimi detyre.
Bilancet false që u “pastruan” nga hetimi
Sipas dokumenteve që disponon “Pamfleti”, kompania “L.E.A.L Auditing Sh.p.k.” ka certifikuar për “Bankers” bilance vjetore fiktive për periudhën 2019-2024, duke deklaruar “humbje” të rreme dhe fitime qesharake prej 30–70 mijë euro në vit, ndonëse koncesionari nxjerr e shet mbi 1.2 milionë ton naftë në vit.

Ky falsifikim i bilanceve u përdor për të shmangur taksat, detyrimet fiskale dhe tatim-fitimin ndaj shtetit shqiptar, duke i shkaktuar arkës publike qindra milionë euro dëm.
Hetimi i ndaluar me urdhër “nga lart”
Prokurori Mustafaj regjistroi procedimin penal për “Bankers” më 30 dhjetor 2024, pa pasur kompetencë territoriale. Dosja, që duhej të dërgohej te SPAK brenda një muaji, u mbajt peng për 10 muaj në Prokurorinë e Fierit.

Gjatë kësaj kohe, Mustafaj hoqi nga materialet e hetimit çdo dokument që përmendte emrat e audituesve të lidhur me familjen Abazi, dhe vetëm pasi i pastroi dosjen, urdhëroi arrestimet formale në kompani dhe ia përcolli çështjen SPAK-ut.
Kush duhet ta hetojë Elion Mustafajn
Ky është një rast tipik i përdorimit të drejtësisë për mbrojtje klienteliste.
Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesja e KLP-së dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë duhet të hapin menjëherë hetim disiplinor dhe penal ndaj Elion Mustafajt për shpërdorim detyre, konflikt interesi dhe pengim të drejtësisë.
Skandalet ndaj Mustafajt janë të shumta:
Lidhje me subjekte të krimit që ka hetuar vetë;
Falsifikim aktesh hetimore dhe fshehje provash;
Përfitime të paligjshme nga punësimi i bashkëshortes së tij Najada Mustafaj në kompani që janë objekt hetimi.
Në vend që të hetohet për këto shkelje të rënda, Elion Mustafaj vazhdon të qëndrojë në detyrë dhe të mbajë dosje me miliona euro, ndërsa drejtësia për qytetarët e thjeshtë bëhet gjithnjë më selektive.
Kjo është prova më e qartë se “drejtësia e re” po funksionon me dy standarde: një për të pushtetshmit dhe një tjetër për fakirët./Pamfleti
Lini një Përgjigje