Prokuroria e Posaçme ka dalë me një reagim të shkurtër lidhur me prangosjen e ish-deputetit.
Zbardhen të tjera detaje nga arrestimi i ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja. Mësohet se ai ka dalë në përgjimet e 'SkyEcc'dhe akuzohet për lidhje me anëtarët e një grupi kriminal në Durrës.
Vetë Prokuroria e Posaçme ka dalë me një reagim të shkurtër lidhur me prangosjen e ish-deputetit. Duke qenë se fillimisht u deklarua se ai u arrestua për një padi të bërë nga deputeti Edi Paloka për abuzime kur ka qenë drejtor Hipoteke, SPAK shprehet se nuk lidhet vetëm me të. Sipas organit të akuzës janë ngritur 3 akuza ndaj tij.
“Nisur nga interesi i madh i mediave ju komunikojmë se Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot masen e sigurimit arrest ne burg të caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuat ndaj shtetasit Jurgis Cyrbja, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal. Nesër do të ketë një njoftim për shtyp me më shumë detaje”, njoftoi SPAK.
Nëse marrim me radhë akuzat, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dyshohet se ka të bëjë pikërisht me padinë e Palokës, pasi ai ka përdorur dhënin e certifikatave të pronësisë për të blerë vota. Ndërkohë dy akuzat e tjera dyshohet se kanë të bëjnë pikërisht me përgjimet në platformat e kriptuara.
SPAK pritet të dalë nesër me një deklaratë më të zgjeruar, duke dhënë detaje se për çfarë ngjarjesh bëhet fjalë. Paraprakisht dyshohet se ai duke përdorur postin e deputetit ka ndihmuar persona të përfshirë në ngjarje kriminale dhe po ashtu u ka dhënë atyre sekrete hetimore.
Çyrbja u arrestua teksa ishte duke udhëtuar me makinë me shoferin e tij. Sipas burimeve, është arrestuar një tjetër person bashkë me të i idetifikuar si Ahmet Masha, ndërsa një tjetër është në kërkim.
Lini një Përgjigje