TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Janar 2024, 17:56

Vrau 3 gra brenda ditës, “killeri” Dan Hutra tenton të arratiset nga burgu bashkë me 3 persona të tjerë

Shkruar nga Pamfleti
Vrau 3 gra brenda ditës, “killeri” Dan Hutra tenton të
Dan Hutra

Stafi i sigurisë në burgun e Fierit ka arritur të ndalojë një plan arratisjeje nga 4 të burgosur….

“Killeri” që ekzekutoi 3 gra brenda ditës, Dan Hutra, ka tentuar të arratiset nga burgu i Fierit, atje ku dhe ai është izoluar.

Drejtoria e Burgjeve informon se ai po bashkëpunonte me 3 të burgosur të tjerë, por plani është zbuluar në momentet e fundit dhe gjithçka ka dështuar.  Ata kishin nisur prerjen e kangjellave të izolimit, teksa kishin përshtatur dhe një çarçaf duke e lidhur si litar.

Sot, më datë 04.01.2024, rreth orës 11:25, në IEVP Fier, si rezultat i ndjekjes, mbikqyrjes, kontrollit dhe përdorimit të mjeteve teknike disa javore nga stafi i burgjeve, u kap në flagrancë duke tentuar për t'u arratisur i burgosuri me rrezikshmëri dhe histori kriminale, Dan Riza Hutra (autor i disa vrasjeve). Plani kriminal për arratisjen nga burgu ishte i koordinuar dhe në bashkëpunim me tre të paraburgosur të tjerë. Në dhomën ku ishin të akomoduar, të paraburgosurit kishin nisur prerjen e zgarës së dritares me mjete te improvizuara. Gjatë kontrollit nga punonjësit e sigurisë, u konstatua se edhe në dhomën nr. 15, ku ishte i akomoduar i burgosuri me potencial të lartë rrezikshmërie, Dan Riza Hutra, ishin fshehur mjete për arratisje, konkretisht: një çarçaf i përshtatur si litar dhe mjete prerëse të improvizuara”, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Sipas saj, të dhënat paraprake tregojnë për bashkëpunim ndërmjet të katër të burgosurve, për thyerje të sigurisë dhe tentativë arratisje. Të përfshirë të tjerë në këtë ngjarje janë: Martin Kapllani, Geraldo Veizaj dhe Feti Kovaçi, të tre të akuzuar për vjedhje.

Vrau 3 gra brenda ditës, “killeri” Dan Hutra tenton të
Hekuri i qelisë i prerë

Në fund Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ka përgëzuar stafin e Instituconit të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale Fier, që falë profesionalizmit dhe devotshmërisë kanë ndaluar arratisjen e një të burgosuri me rrezikshmëri të lartë për publikun dhe sigurinë në përgjithësi.

Gjithashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, garanton se stafi i shërbimit të burgjeve është në krye të detyrës, më i motivuar se kurrë për të parandaluar çdo ngjarje dhe rrezik për rendin, sigurinë dhe  komunitetin.

Kush është Dan Hutra?

Dan Hutra është një njeri i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai ka një skedë të pasur kriminale ku përfshihen vepra të ndryshme penale për përdhunim, pengmarrje, vrasje, 2 tentativa të bujshme arratisjeje, sherret në burg, vjedhje, në total 20 vite histori kriminale! Autori i ngjarjeve, Dan Hutra, është person me precedent të theksuar kriminal, i dënuar në vitin 2003, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë", i dënuar në vitin 2009, me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim, në vitin 2021 është arrestuar për vjedhje banesash nga DVP Durrës dhe po në vitin 2022 është arrestuar po nga DVP Durrës, për tentativë vjedhje banesash. Gjithashtu, më 16 qershor 2022 është arrestuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për dhunë në familje ushtruar ndaj ish-bashkëjetueses Elena Hysa, dhe ka dalë nga burgu më 16 shkurt 2023. Më 1 mars ia ekzekutoi 3 gra dhe plagosi 3 të tjera.

Skema si ndodhën vrasjet

Në orën 12 e 15 minuta, autori Dan Hutra, në rrugën "Teodor Keko", në afërsi të mbikalimit te “Pallati me shigjeta”, ka plagosur me thikë Marjana Gurakuqin, 40 vjeçe, banuese në Astir. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, autori është larguar me automjetin tip “Benz” me targa AA 531 UK, të cilin e kishte marrë me qira dhe rreth orës 12:35 minuta ka shkuar në rrugën "Rustem Haklaj", në Kodër-Kamzë, te banesa e ish-bashkëjetueses së tij.

Dan Hutra ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri Mevlute Hysën 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafkun 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

Pas kësaj ngjarjeje, autori ka lëvizur në drejtim të rrugës “Abdyl Elmazi”, në rrugën e Arbrit, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja”, Bathore dhe rreth orës 12:48 minuta ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe. /Pamfleti

Lini një Përgjigje