Biden ka të drejtë që të rikthejë në Senat emrin e Kostelancik, duke e ripropozuar për ambasador në Tiranë...
Senati Amerikan i ka kthyer mbrapsht presidentit Joe Biden kandidaturën e propozuar prej tij për ambasador në Shqipëri. David J. Kostelancik u refuzua, por duket se ka ende një fije shpresë për të, për të qenë ambasador në vendin tonë.
Në shkresën drejtuar Presidentit, Senati shprehet se refuzimi i emrit në fjalë u bë sipas dispozitave të Rregullore XXXI të Senatit, paragrafi 6.
Kjo rregullore dhe ky paragraf, flasin për kthim mbrapsht të emrave për çështje afatesh. Bashkë me emrin në fjalë, janë kthyer dhe shumë kandidatë të tjerë. Sipas paragrafit, kur Senati merr pushim për më shumë se 30 ditë, të gjitha kandidaturat i kthen mbrapsht te presidenti. Por ky i fundit ka të drejtë që t’i ripropozojë emrat në fjalë, ose nëse do mund të sjellë emra të rinj.
Në rastin e ambasadorit, ai ka qenë i bllokuar për një vit. Kur Senati nis sesionin e ri, kandidaturat e mbetura pezull i kthen mbrapsht. Pra, nëse Biden e sheh të arsyeshme, ai mund të ripropozojë zotin Kostelancik.

“Ndryshe nga një numër rregullash të Senatit që kërkojnë zbatim proaktiv, nominimet që kanë as të konfirmuara dhe as të refuzuara kthehen automatikisht sipas Rregullës XXXI kur Senati ka shtyrë votimin ose shqyrtimi është ndërprerë për një periudhë prej më shumë se 30 ditësh”, sqaron Senati.
Kandidatura e Kostelancik ka fiks një vit që ka shkuar në Senat dhe tani do të duhet të nisin procedurat nga e para. Ka pasur raste kur në Senat janë ripropozuar të gjitha kandidaturat, kjo falë dhe konsensuseve politike.
Nëse Biden ripropozon emrin e Kostelancik, ai do të duhet ta shoqërojë atë me dokumente shtesë, përfshirë dhe të dhëna financiare apo për figurën e tij. Po ashtu Senati mund të kërkojë sërish seancë dëgjimore me të, ose të mjaftohet me seancën e mbajtur një vit më parë. Me pak fjalë tani e ka në dorë Biden nëse do të dalë me emër të ri, apo do i japë dhe një shans zotit Kostelancik. /Pamfleti

Lini një Përgjigje