TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet31 Janar 2026, 11:24

Vlora nuk gjen qetësi/ Tregtarët e presin Ramën me protesta, pushtojnë sheshin para Bashkisë

Shkruar nga Pamfleti
Vlora nuk gjen qetësi/ Tregtarët e presin Ramën me protesta,
Protesta e tregtarëve në Vlorë

Vlora nuk gjen qetësi. Ditët e fundit të dhjetorit 2025 dhe janari është karakterizuar nga një seri protestash të qytetarëve vlonjatë. Mungesa e ujit në banesat e tyre pothuajse u kthye në një revoltë në ditët e fundit të vitit 2025, ndërsa sot janë tregtarët që protestojnë kundër vendimeve arbitrare, që i zhvendos ata nga tregu i qytetit në një tjetër zonë.

Protesta e paradites së të shtunës para teatrit “Petro Marko”, vjen pas vendimit të Këshillit Bashkiak për zhvendosjen e tyre nga tregu aktual. Protestuesit shprehen se nuk janë konsultuar fare për vendimin dhe akuzojnë kryetaren e bashkisë se po tallet me ta.

“Tregu po na merret për të ndërtuar pallate”, denoncojnë tregtarët, ndërsa theksojnë se asnjë përfaqësues i tyre nuk u pranua gjatë procesit të vendimmarrjes.

Tregtarët kërkojnë që procesi i zhvendosjes të shtyhet dhe të bëhet me pjesëmarrjen e tyre aktive në vendimmarrje.

Sipas vendimit, sektori i fruta-perimeve do të vendoset në tregun e Çoles, ndërsa tregtarët industrialë do të kalojnë në tregun e Shumicës në Jalli të Nartës.

Disa ditë më parë ata tentuan të hyjnë forcërisht në godinën e Bashkisë së Vlorës, por u ndalën vetëm pas ndërhyrjes së Policisë, bashkiake dhe asaj të rendit.

Kryeministri Edi Rama, dikur një deputet i Vlorës dhe që në fillimet e tij si kreu i kabinetit qeveritar shprehej se do të kishte në qendër të vëmendjes qytetin që konsiderohet si “hambar” votash për socialistët, duket se është “lodhur” nga zhvillimet e muajve të fundit. Rama nuk nguroi të cconte qytetin në zgjedhje të pjesshme të parakohshme, duke detyruar qytetarët që të zgjidhnin një tjetër Kryebashkiak, pasi i hoqi mbështetjen Ermal Dredhës, dhe sikundër e ka zakon, nisi presionet deri në dorëheqjen e tij nga funksionet.  

Sot pritet që Kryeministri të vizitojë Vlorën, ndoshta jo për të diskutuar me ata që protestojnë, pasi sikundër shprehet vazhdimisht Rama, ai nuk e ha presionin, madje askush nuk mund ta detyrojë të bëjë një gjë nën presion.  

 

vlora tregtaret rama

Lini një Përgjigje