TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Maj 2026, 13:52

Vendimi i Apelit për Lefter Kokën ende nuk është ekzekutuar, avokati: Po kurohet jashtë vendit!

Shkruar nga Pamfleti
Vendimi i Apelit për Lefter Kokën ende nuk është ekzekutuar,
Lefter Koka

Megjithëse Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur rikthimin në burg të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, për çështjen e inceneratorit të Tiranës, vendimi ende nuk është ekzekutuar, pasi ai ndodhet jashtë Shqipërisë prej rreth katër muajsh e gjysmë.

Avokati i tij, Maksim Sota, deklaroi se Koka ka pasur probleme shëndetësore që gjatë kohës kur ndodhej në burg dhe se, pas lirimit në muajin dhjetor, është larguar jashtë vendit për trajtim më të specializuar.

“Që gjatë kohës kur ndodhej në burg, zoti Koka kishte probleme shëndetësore. Pas lirimit në muajin dhjetor, ai ka shkuar jashtë vendit për trajtim dhe mjekim më të specializuar”, tha avokati Sota.

Sipas avokatit, ish-ministri është njoftuar për vendimin e Apelit dhe pritet të kthehet sapo të përfundojë kurimin.

Më 16 prill 2025, Lefter Koka u dënua nga Shkalla e Parë me dy vite burg për shpërdorim detyre në bashkëpunim, në procedurat që lidhen me aferën e inceneratorit të Tiranës. Gjykata vendosi gjithashtu shuarjen e masës së sigurisë dhe lirimin e tij për këtë çështje, me argumentin se dënimi ishte konsumuar gjatë paraburgimit. Megjithatë, dy vendime të tjera që lidhen me kontratat koncesionare të Elbasanit dhe Fierit penguan lirimin e menjëhershëm të tij.

Koka u lirua në muajin dhjetor me vendim të Gjykatës së Durrësit, pasi u konsiderua se kishte shlyer dënimet ndaj tij.

Gjatë shqyrtimit në Apelin e Posaçëm, Prokuroria kërkoi përsëritje të pjesshme të gjykimit për Kokën dhe rillogaritje të masës së dënimit. Gjykata pranoi kërkesën e prokurorit dhe vendosi të rrëzojë pjesën e vendimit të Shkallës së Parë që kishte shuar masën e sigurisë, çka nënkupton se ish-ministri duhet të vuajë pjesën e mbetur të dënimit.

maksim sota ish-ministri lefter koka

Lini një Përgjigje