
Në një ceremoni solemne të zhvilluar në Tiranë, 22 personalitete të shquara nga fusha të ndryshme u dekoruan me tituj të lartë shtetërorë, me rastin e 100-vjetorit të krijimit të Urdhrit të Skënderbeut. Kjo është një nga dekoratat më të vjetra dhe më të rëndësishme të shtetit shqiptar, e rikthyer në vëmendje për të vlerësuar kontributin e dhënë ndër vite për kombin.
Fjalën hapëse në këtë ceremoni e mbajti Kryeministri Edi Rama, i cili tha se Urdhri i Skënderbeut mbart emrin e heroit tonë kombëtar që përcaktoi përfundimisht orientimin europian të Shqipërisë. Ai theksoi se ky 100-vjetor nuk është vetëm një ngjarje simbolike, por një rast për të vlerësuar ata që kanë ndërtuar me përkushtim historinë, shkencën, kulturën, sportin dhe institucionet shqiptare.
Me titullin më të lartë, “Ylli i Madh i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”, u dekorua ish-presidenti Alfred Moisiu, ndërsa me të njëjtin titull u vlerësuan edhe mjeku Besim Elezi, kineasti Abaz Hoxha dhe gjuhëtari Seit Mansaku. Titulli “Oficeri i Madh” iu dha studiuesit Aurel Plasari, historianit Pëllumb Xhufi, studiuesve arbëreshë Francesco Altimari dhe Matteo Mandala, si dhe Ernesto Madeos për përpjekjet për ruajtjen e kulturës arbëreshe.
Dekorata “Komandar” iu dha arkeologes Shpresa Gjongecaj, ndërsa të njëjtin vlerësim e morën edhe Etleva Domi, Fioralba Cakoni dhe Zyber Dushku. Me çmimin “Lisi Akademik” u nderua profesori Ismet Elezi në moshën 106-vjeçare, një nga figurat më të respektuara të akademisë dhe drejtësisë shqiptare.
Në listën e të dekoruarve ishin edhe emra të njohur si Igli Tare, që mori titullin “Kalorës” për kontributin e tij në sport, si dhe studiuesi Edor Kabashi për punën në fushën e neurologjisë. Me të njëjtin titull u vlerësuan edhe Adriana Hysenaj, teknike elektrike që ka shërbyer në zonat më të thella të vendit, Mimoza Dhëmbi nga administrata publike, ushtaraku Ajet Jata dhe arsimtarët Kastriot Aliko, Gjovalin Bica dhe Liljana Luani.
Ceremonia u shoqërua me emocione, ndërsa shumë nga të nderuarit ndanë mesazhe mirënjohjeje dhe vlerësimi për vendin, punën dhe kolegët. Në këtë 100-vjetor, shteti shqiptar vlerësoi jo vetëm individët, por edhe kontributin e tyre për një Shqipëri më të denjë, më të ditur dhe më të drejtë.
22 figurat që u dekoruan
“Ylli i Madh i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”
-Alfred Moisiu, ish-president
-Besim Elezi, kirurg
-Seit Mansaku, gjuhëtar
-Abaz Hoxha, kineast
“Oficeri i Madh”
-Aurel Plasari, studiues
-Pëllumb Xhufi, historian
-Francesco Altimari, albanolog
-Matteo Mandala, studiues arbëresh
-Ernesto Madeo, përfaqësues i kulturës arbëreshe
“Komandar”
-Shpresa Gjongecaj, arkeologe
-Zyber Dushku, jurist
-Etleva Domi, kërkuese shkencore
-Fioralba Cakoni, matematikane
“Lisi Akademik”
-Ismet Elezi, në moshën 106 vjeç, për kontributin e tij në akademi dhe drejtësi
“Kalorës i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”
-Igli Tare, ish-futbollist, drejtues i Milanit
-Mimoza Dhëmbi, specialiste e financave publike
-Ajet Jata, ushtarak
-Adriana Hysenaj, teknike elektrike
-Edor Kabashi, studiues në fushën e neurologjisë
-Kastriot Aliko, mësues
-Gjovalin Bica, mësues
-Liljana Luani, mësuese
Lini një Përgjigje