TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Maj 2026, 18:00

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 18:00

Shkruar nga Pamfleti
UPDATE/ Edicioni informativ, ora 18:00
Edicionin Informativ

Ju ftojme te ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore deri ne kete ore te dites, ku nder te tjera vecojme:

Helmimi i 56 studentëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur pikëpyetje të forta mbi sigurinë ushqimore në institucionet shtetërore. Dy persona janë arrestuar dhe administratorja e kompanisë së kateringut “Sori-Al” është shpallur në kërkim, ndërsa hetimet po përqendrohen tek ushqimi i shpërndarë për studentët. Kompania rezulton fituese e 75 tenderëve publikë me vlerë totale rreth 4.2 miliardë lekë.

Në të njëjtën kohë, drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, prezantoi një model të ri komunikimi me median dhe qytetarët, duke premtuar transparencë më profesionale dhe informacion më të saktë për ngjarjet kriminale dhe operacionet policore.

Debate të forta u zhvilluan edhe në Kuvend, ku opozita kërkoi interpelancë me Edi Rama për çështje që lidhen me integrimin europian dhe sektorin e naftës, ndërsa mungesa e kryeministrit në sallë solli përplasje të reja politike. Paralelisht, Rama foli në Kongresin Botëror të Ligjit për reformat në drejtësi, në një kohë kur opozita vijon akuzat për propagandë politike.

Në frontin e drejtësisë, SPAK dërgoi për gjykim ish-oficerin Igli Haxhiaj, i akuzuar për korrupsion, shpërdorim detyre dhe nxjerrje sekreti hetimor në dosjen e grupit kriminal të Visit të Pojës. Ndërkohë, më 26 maj pritet të nisë procesi gjyqësor ndaj Erion Veliaj dhe bashkëpandehurve të tjerë, me kërkesa që seanca të jetë publike.

Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të të burgosurve në Europë në raport me popullsinë, çka ka rikthyer debatin mbi sistemin penitenciar dhe politikat penale në vend.

Në Kosovë, zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit po afrohen mes tensioneve politike dhe rivalitetit në rritje mes Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Afrimi i Osmanit me LDK-në shihet si zhvillim që mund të ndryshojë balancat politike në vend.

Nga rajoni, presidenti serb Aleksandar Vučić deklaroi se ka informacion nga Tirana sipas të cilit aleanca ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë është iniciuar nga Zagrebi, duke shtuar tensionet politike në Ballkan.

Në arenën ndërkombëtare, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ndodhet në Romë për takime me Papën dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, në një moment tensionesh mes administratës amerikane dhe Selisë së Shenjtë.

Ndërkohë, konflikti mes SHBA-së dhe Iranit mbetet në fokus global. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Teherani dëshiron “me dëshpërim” një marrëveshje, por paralajmëroi rifillim të bombardimeve nëse Irani refuzon draftin amerikan për armëpushim dhe kufizim të programit bërthamor.

edicionin informativ

Lini një Përgjigje