Gjykata e Lartë ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj Mirlinda Karçanajt, duke zëvendësuar “arrestin në shtëpi” me masën “detyrim paraqitje”. Ky vendimi ndryshon masën e caktuar më herët nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Gjykata e Lartë gjithashtu vendosi që Karçanaj nuk do të lejohet të largohet nga territori i Shqipërisë pa autorizim të posaçëm nga gjykata. Po ashtu, ajo është urdhëruar të paraqitet pranë policisë gjyqësore të martën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10:00.
Në të njëjtin vendim, Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masat e sigurisë të vendosura ndaj Erjon Ismailit dhe Gëzim Hoxhës nga Apeli i GJKKO-së.
Njoftimi i Gjykatës së Lartë:
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 4 (87-2026-50) datë 05.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i përket disponimit në lidhje me rekursuesit Erjon Ismaili dhe Gëzim Hoxha.
2. Ndryshimin e vendimit nr. 4 (87-2026-50) datë 05.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në lidhje me rekursuesen Mirlinda Karçanaj.
a. Caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale, duke u urdhëruar personi nën hetim Mirlinda Karçanaj të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës.
b. Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, duke u urdhëruar personi nën hetim Mirlinda Karçanaj të paraqitet pranë policisë gjyqësore, të martën e parë dhe të tretë të çdo muaji ora 10:00.
3. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me ekzekutimin e këtij vendimi.
Lini një Përgjigje