Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Aksidenti tragjik në Durrës/ 8-vjeçari i plagosur jashtë rrezikut për jetën
I mituri i cili mbeti i plagosur rëndë në aksidentin me dy viktima në Durrës ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se 8-vjeçari ka kaluar fazën kritike, por vijon të qëndrojë nën kujdesin e mjekëve për shkak të dëmtimeve të marra.
Aksidenti ndodhi një ditë më parë, rreth orës 14:00, në zonën e ish-kënetës. Si pasojë e përplasjes humbën jetën dy të mitur, përkatësisht 10 dhe 12 vjeç.
Fëmijët ishin duke luajtur në trotuar në momentin që mjeti tip “Benz” i drejtuar nga Nikoll Radaçi, i cili dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur, humbi kontrollin e makinës duke i marrë përpara.
Sipas të dhënave paraprake, drejtuesi i automjetit u largua nga vendi i ngjarjes menjëherë pas aksidentit. Policia e identifikoi dhe e shoqëroi më pas në komisariat, ku u vendos në pranga.
Verifikimet kanë treguar gjithashtu se drejtuesi është ndëshkuar edhe më parë për shkelje të qarkullimit rrugor, përfshirë parakalime të gabuara dhe tejkalim shpejtësie.
Aksidenti tragjik/ Skënder Hita pezullon zinxhirin komandues të Policisë në Durrës
Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka pezulluar nga detyra drejtuesin e Policisë së Durrësit Afrim Tafa, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mesditën e djeshme, ku si pasojë e një aksidenti humbën jetën dy fëmijë. Në vend të tij është caktuar përkohësisht Ervin Hodaj.
Vendimi përfshin edhe pezullimin e disa drejtuesve të tjerë vendorë, ndërsa autoritetet kanë nisur verifikimet për përgjegjësitë institucionale lidhur me këtë rast.
Nga detyra janë pezulluar zëvendësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, Zija Sulaj si dhe shefi i Sektorit të Policisë Rrugore, Kreshnik Skëndo, për shkak të performancës së dobët në përmbushjen e detyrave.
Aksidenti ndodhi rreth orës 14:10 në zonën e ish-kënetës në Durrës. Si pasojë humbën jetën dy fëmijë, të moshës 10 dhe 12 vjeç, ndërsa një i mitur tjetër mbeti i plagosur dhe po trajtohet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, drejtuesi i automjetit humbi kontrollin mbi mjetin, ndërsa dyshohet se ai drejtonte në gjendje të dehur. Pas aksidentit, ai u largua nga vendi i ngjarjes, por u identifikua nga policia dhe u arrestua.
Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për të vlerësuar nëse ka përgjegjësi nga ana e punonjësve të policisë.
Meta mbetet në qeli/ Apeli i GJKKO-së rrëzon garancinë prej 50 mijë euro
Ilir Meta do të vazhdojë të qëndrojë në qeli, bazuar në vendimin e Apelit të GJKKO-së, i cili rrëzoi kërkesën e Presidentit të PL-së, duke mos pranuar garancinë prej 50 mijë euro të ofruar nga avokati i tij.
Vendimi i Apelit të GJKKO-së është marrë nga gjyqtarja Saida Dollani. Meta ndodhet në qeli prej tetorit 2024, kohë kur u arrestua me urdhër të SPAK-ut, ndërsa ndaj tij janë kryer hetime për disa çështje, përfshirë edhe lobimin në SHBA dhe dosjen Cez/Dia. Dosja në ngarkim të Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, ka kaluar për gjykim themeli në GJKKO.
“NATO të mbështetet te Europa”/ Rama mesazh BE, kërkon me ngulm anëtarësimin: Jemi më të fortë bashkë
NATO duhet të mbështetet më shumë në pjesën europiane. Kjo është këshilla që Kryeministri Edi Rama ka dhënë, referuar zhvillimeve ndërkombëtare dhe përplasjeve mes SHBA-së dhe BE-së.
“Duhet të shohim se çfarë qëndron realisht pas dhe ndërkohë është e qartë, që kështu siç janë gjërat, NATO-ja duhet të mbështetet më shumë në pjesën europiane”, tha Rama.
Nga Yerevani i Armenisë, ku sot zhvillon punimet Komuniteti Politik Europian, në një prononcim për mediat, Rama foli për zgjerimin e BE-së, ndërsa tha se kur Bashkimi Europian nuk është i plotë nuk mund të jetë i fortë.
“Një tjetër samit, një tjetër mundësi për të ndarë ambiciet tona të përbashkëta dhe shqetësimet. Është një tjetër mundësi e mrekullueshme për të parë sa shumë gjëra mund të realizojmë së bashku dhe sa e rëndësishme është të shkojmë më tej me unifikimin e Europës”, tha Rama, duke komentuar Samitin në Armeni.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se çfarë mund t’u ofrojë BE-ja vendeve që aspirojnë anëtarësimin, Rama tha se kjo lidhet me forcimin e Europës.
“Nuk ka të bëjë me ofrimin e diçkaje për dy apo më shumë vende, por ka të bëjë me të menduarit e të vepruarit shpejt, sepse ka të bëjë me vetë Europën, me vetë Bashkimin Europian. Një Bashkim Europian që nuk është i plotë, është më i dobët dhe është më i cenueshëm sesa një Bashkim Europian i cili është i plotë”, tha Rama.
Deklaratat e Kryeministrit në raport me BE-në janë në vijim të qëndrimeve të shfaqura edhe më parë nga Rama, ku kërkon një anëtarësim të shpejtë në Union, madje duke ofruar edhe variantin "pa të drejtë vote", që u refuzua fillimisht nga Berlini dhe më pas edhe nga Brukseli.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje