TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Maj 2026, 09:56

Gjykata e Lartë vendos sot për kriteret e “arrestit në burg”

Shkruar nga Pamfleti
Gjykata e Lartë vendos sot për kriteret e “arrestit në
Gjykata e Larte

Shqyrtohet mundësia e ndryshimit të vendimit unifikues të vitit 2011 dhe përcaktimi i standardeve për privimin nga liria

Gjykata e Lartë pritet të japë sot një vendim që prek drejtpërdrejt mënyrën si gjykatat vendosin masën e sigurisë “arrest në burg”. Në mbledhjen e parashikuar rreth orës 14:00, Kolegjet e Bashkuara do të shqyrtojnë nëse duhet të mbetet në fuqi apo të ndryshohet praktika unifikuese e miratuar në vitin 2011.

Kjo praktikë ka shërbyer deri më tani si udhërrëfyes për gjykatat në të gjitha nivelet kur vendosin për kufizimin e lirisë së një personi gjatë hetimit. Nisma për rishikimin e saj është ndërmarrë nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili ka kërkuar një interpretim të ri në përputhje me standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në materialin shoqërues, Sadushi evidenton disa raste të trajtuara nga kjo gjykatë, mes tyre edhe çështjen e ish-drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi. Në atë rast, mbajtja në paraburgim u konsiderua në kundërshtim me të drejtat themelore, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën si janë zbatuar kriteret për “arrestin në burg”.

Sipas dokumentit, masa e privimit nga liria duhet të mbështetet në disa elementë të domosdoshëm. Gjykata duhet të verifikojë ekzistencën e dyshimeve të arsyeshme për kryerjen e një vepre penale, të analizojë rrezikun që paraqet personi konkret, si dhe të vlerësojë nëse ekziston mundësia që ai t’i shmanget drejtësisë. Po ashtu, duhet të shqyrtohet rreziku për ndërhyrje në prova apo ndikim mbi dëshmitarët.

Në thelb të shqyrtimit qëndron një pyetje që lidhet me interpretimin e “rrezikshmërisë së veçantë”. Kolegjet e Bashkuara duhet të përcaktojnë nëse kjo rrezikshmëri mund të nxirret vetëm nga natyra e veprës penale, rëndësia e saj ose masa e dënimit të parashikuar, apo nëse kërkohet një analizë konkrete për çdo individ dhe çdo rast.

Ky vendim pritet të ketë ndikim në praktikën gjyqësore, pasi një ndryshim i mundshëm do të detyrojë gjykatat të thellojnë vlerësimin individual përpara se të vendosin masën më të rëndë të sigurisë. Në të kundërt, mbajtja në fuqi e praktikës aktuale do të ruajë qasjen ekzistuese në interpretimin e këtyre kritereve.

gjykata e larte arresti vendimi

Lini një Përgjigje