Ilir Meta do të vazhdojë të qëndrojë në qeli, bazuar në vendimin e Apelit të GJKKO-së, i cili rrëzoi kërkesën e Presidentit të PL-së, duke mos pranuar garancinë prej 50 mijë euro të ofruar nga avokati i tij.
Vendimi i Apelit të GJKKO-së është marrë nga gjyqtarja Saida Dollani. Meta ndodhet në qeli prej tetorit 2024, kohë kur u arrestua me urdhër të SPAK-ut, ndërsa ndaj tij janë kryer hetime për disa çështje, përfshirë edhe lobimin në SHBA dhe dosjen Cez/Dia. Dosja në ngarkim të Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, ka kaluar për gjykim themeli në GJKKO.
“Sot më datë 04.05.2026, Gjykata e Apelit shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 120 akti, datë 22.04.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit Ilir Meta: “ankim kundër vendimit nr. 242, datë 24.03.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: zëvendësimin e masës së sigurimit personal të arrestit në burg, në një masë tjetër: arrest në shtëpi, garanci pasurore, detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, ose ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe vendosi:
Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i pandehuri Ilir Meta, nëpërmjet mbrojtësit av. Kujtim Cakrani, ndaj disponimit nr. 242, datë 24.03.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Ky vendim t’i njoftohet palëve. Ndaj këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë. Tiranë, më 04.05.2026”, thuhet në njoftimin zyrtar të Apelit të GJKKO-së.
Lini një Përgjigje