TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Shkurt 2026, 11:54

UPDATE/ Edicioni i lajmeve ora 12:00, zhvillimet kryesore në pak minuta

Shkruar nga Pamfleti
UPDATE/ Edicioni i lajmeve ora 12:00, zhvillimet kryesore në pak minuta
UPDATE/ Edicioni i lajmeve ora 12:00, zhvillimet kryesore në pak minuta

Lexues të “Pamfleti”, ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerave veçojmë:

Imuniteti i Ballukut
Caktohet data e mbledhjes së Këshillit të Mandateve

Këshilli i Mandateve do të mblidhet më 23 shkurt, në orën 10:00, për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Ndërkohë ditën e sotme u mblodhe edhe grupi parlamentari i PS, ku propozoi nismën për ndryshime ligjore në Kodin e Procedurës Penale. Propozimi mban firmën e kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe kryetarit të grupit të PS-së, Taulant Balla.
Sipas propozimit shtohen shtatë subjekte të reja ndaj të cilave nuk mund të shtrihet masa e sigurisë e pezullimit të detyrës. Bëhet fjalë për Presidentin, Avokatin e Popullit, Kryeministrin, zv/kryeministrin, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarin e Këshillit të Lartë Shtetëror.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se vendimi për pezullimin e një ministri është skandaloz dhe i pajustifikueshëm pasi nuk cenon personin, por funksionin. Sipas tij ndryshimet e propozuara ligjore nuk cenojnë pushtetin gjyqësor dhe u shpreh se pushteti ekzekutiv është i pavarur në të drejtën e vet për të marrë vendime.

Ai bëri me dije se zv/kryeministrja Belinda Balluku i ka dorëzuar tre herë dorëheqjen, por ai nuk e ka pranuar sepse sipas tij “dorëheqje në presion dhe në cenim të pushtetit ekzekutiv nuk ka”.
Kreu i qeverisë u shpreh ndër të tjera se kjo nismë dhe rasti për imunitetin ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku në Kuvend nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ai theksoi se fillimisht do të trajtohet çështja e imunitetit dhe më pas ndryshimet do të kalojnë për votim.

Berishës nuk i del inati me Dumanin
16 kërkesa për të më hetuar mua e mbesat e mia

Kreu demokrat Sali Berisha u paraqit në SPAK paraditen e së hënës, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” lidhur me dosjen Partizani.

Në një prononcim për gazetarët, Berisha ka zbuluar edhe mesazhin që i ka lënë hetuesit të BKH-së.

Në vijim, Berisha akuzoi ish-kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, se ka firmosur 16 kërkesa për ta hetuar atë dhe mbesat e tij, edhe 4 vite para lindjes së tyre

Zgjedhjet në FSHF
Duka i përjetshëm dhe dervishët e tij

Sot, Federata Shqiptare e Futbollit zhvillon zgjedhjet. Garë për president nuk ka, sepse Armand Duka nuk ka rival. I fundit që donte t’i merrte postin vdiq. Ai do të zgjidhet unanimisht me “83” vota, por për karrierën e tij “presidenciale”, që fillon me Erzenin e Shijakut, do të flitet herën tjetër.
Zgjedhje reale me votim do të bëhen për Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së, që është organi më i lartë kolegjial, i cili merr vendime gjatë periudhave mes dy Asambleve. Ai zgjidhet nga Asambleja e Përgjithshme dhe përbëhet nga 11 anëtarë. Aktualisht, deri sot, ky komitet ka Armand Dukën (President), Lutfi Nuriun (Zv/President i parë), Arben Dervishajn (Zv/President i dytë) dhe 8 anëtarë të tjerë. Përveç presidentit të paprekshëm, të tjerët do të konkurrojnë. Mes tyre, sërish Arben Dervishaj, një personazh i përmendur për afera në sektorin e drejtësisë, që kalon si hije në sektorin sportiv.

Kandidati Dervishaj, nën hijen e Dukës, spikat jo për vizion sportiv apo kontribut në fushën e futbollit, por për një realitet që shkon përtej sportit, përballjen me drejtësinë. Emri i tij u diskutua shpesh herë kur doli në aferën e inceneratorëve.

I hetuar nga SPAK, i arrestuar, i pandehur, i izoluar në IEVP Durrës, i liruar nga burgu prej GJKKO-së dhe Apelit të saj, për akuza të rënda penale, që do të vulosen ose jo nga Gjykata e Lartë, ai rikthehet në tribunën e sportit më të dashur të shqiptarëve, me një njollë në “biografinë” e tij.
Armand Duka nuk pyeti për reputacionin e FSHF-së kur e mbajti zëvendësin e tij të burgosur ende në post, ashtu si Edi Rama zëvendësen e tij. Ndoshta të dy e dinë që zëvendësat i kanë të pafajshëm, apo kanë ndonjë hall tjetër në lidhje me ta?

Ish-drejtori i anti-terrorit zbulon detajet: Emanuela Daci pengoi Evën të kthehej në Shqipëri

Eva Dumani, tashmë ndodhet në shtëpi.

Një rrugëtim që u deshën 12 vite të finalizohej me sukses, pas dështimit të disa tentativave private dhe shtetërore.

Për ish-drejtorin e anti-terrorrit Gledis Nano i cili ka udhëhequr operacione të mëparshme për riatdhesimin e Evës dhe shqiptarëve të tjerë nga Siria, operacioni i fundit ishte mjaft kompleks.

Vëllai i Evës, Endri, u shpëtua nga ferri i kampit Al Hol, tetorin e vitit 2020 në një operacion shpëtimi nga autoritetet shqiptare ndërsa Evën radikalët e kampit e penguan t’i bashkohej familjes.

Kthimi pranë familjes nuk është fundi. Eva tashëm do të nisë një rrugëtim drejt rehabilitimit për të jetuar në liri.

Nga të dhënat rezulton se prej 2012 drejt Sirisë kanë shkuar rreth 150 shqiptarë të cilët u radikalizuan për t’iu bashkuar ISIS. Aktualisht mendohet se vetëm 30 prej tyre vijojnë të jenë në Siri.

Për më shumë, klikoni në linkun e edicionit të lajmeve të orës 12.00

edicioni i lajmeve ora 12:00

Lini një Përgjigje