TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Shkurt 2026, 11:48

Përmbytjet në Bradashesh, banorët akuzojnë firmën Salillari për devijimin e përroit të Kushës

Shkruar nga Pamfleti
Përmbytjet në Bradashesh, banorët akuzojnë firmën
Përmbytjet në Bradashesh, banorët akuzojnë firmën Salillari për devijimin e përroit të Kushës

Familjet në Njësinë Administrative Bradashesh deklarojnë se ndihen të rrezikuara sa herë që ka reshje, pas përmbytjeve të mbrëmjes së të dielës së fundit. Ata lidhin situatën me punimet që kompania “Salillari” po kryen për ndërtimin e urës së rrugës Papërr–Elbasan, pjesë e Korridorit VIII, mbi përroin e Kushës në fshatin Katund i Ri.

Sipas banorëve, ura rreth 100 metra e gjatë ka disa këmbë të vendosura në shtratin e përroit. Në periudha me prurje të larta, këto struktura devijojnë rrjedhën e ujit jashtë shtratit natyror dhe përmbytin banesat përreth.

Nexhip Meta, një nga banorët e dëmtuar, thotë se përmbytja i shkatërroi 18 koshere bletësh dhe dhjetëra pula, ndërsa uji në banesë arriti mbi gjysmë metri. Ai shton se zona është përmbytur tre herë dhe se banorët jetojnë me pasiguri sa herë bie shi.

“Përmbytja më dëmtoi 18 koshere bletësh dhe dhjetëra pula. Uji që hyri në shtëpi arriti mbi gjysmë metri. Është hera e tretë që përmbytemi në këtë lagje.”, tha një banor i zonës.

Drejtues të kompanisë “Salillari” deklarojnë se situata paraqitet komplekse dhe se po marrin masa për të shmangur përmbytjet. Ata theksojnë se punimet zhvillohen në një segment të vështirë dhe se edhe vetë kantieri është përmbytur, duke dëmtuar mjete të kompanisë. Sipas tyre, një banesë pranë urës duhet të ishte shpronësuar, por procedurat shtetërore nuk kanë përfunduar.

Strukturat e Emergjencave Civile në Bashkinë Elbasan akuzojnë kompaninë për bllokimin e kanaleve kulluese me inerte, duke ndikuar në daljen nga shtrati të përroit të Kushës. Ata bëjnë të ditur se kjo është hera e dytë që kompania përballet me akuza të tilla në këtë zonë.

Reshjet e fundit përmbytën disa banesa pranë zonës së ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan. Autoritetet njoftojnë se po punojnë për hapjen dhe pastrimin e kanaleve kulluese dhe se do të kryejnë verifikime në terren për të përcaktuar përgjegjësitë dhe masat administrative apo ligjore që do të ndërmerren.

Lini një Përgjigje