TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Janar 2026, 12:00

UPDATE/ Edicioni i lajmeve ora 12:00, zhvillimet kryesore në pak minuta

Shkruar nga Pamfleti
UPDATE/ Edicioni i lajmeve ora 12:00, zhvillimet kryesore në pak minuta
Edicioni i lajmeve ora 12:00

Ju ftojmë të ndiqni lajmet më kryesore deri në mesditë, ku veçojmë:

Përmbytjet në Lezhë, fermerët në protestë: Hera e tretë që ndodh, nuk kemi marrë dëmshpërblim

Përmbytjet e ditëve të fundit kanë prekur sërish fushën e Spitënit në Lezhë. Dhjetëra hektarë tokë bujqësore ndodhen nën pushtetin e ujit prej 10 ditësh, duke shkaktuar dëme të shumta në sektorin e bujqësisë.

Përballë përmbytjeve të vazhdueshme, fermerët janë ngritur në protestë. Ata thonë se kjo është hera e tretë që përballen me këtë situatë në harkun kohor të 40 ditëve dhe humbjet për ta janë tepër të mëdha.
Fermerët e Spitënit kërkojnë kompensim për dëmet e shkaktuara, pasi sipas tyre përmbytjet kanë ardhur si pasojë e neglizhencës dhe mosveprimit të institucioneve.

Përgjatë viteve të fundit, në fushën e Spitënit, Bashkia Lezhë ka ndërhyrë në hapjen e kanaleve kulluese, por toka është në kuota të ulëta dhe kur ka reshje shiu me intensitet të lartë, uji nuk evadohet, duke krijuar përmbytje.

Rrëshqitje dherash dhe inertesh/ Bllokohet qarkullimi i mjeteve në Rrugën e Arbrit

Gjatë orëve të natës, në rrugën nacionale Herbel–Peshkopi, pjesë e Rrugës së Arbrit, ka ndodhur një rrëshqitje e skarpatës. Si pasojë, balta dhe inertet kanë mbuluar asfaltin dhe kanë bllokuar një korsi të qarkullimit.

Pavarësisht se për këtë segment rrugor janë shpenzuar miliona lekë, sa herë ka reshje shiu në këtë zonë, situata përsëritet me rrëshqitje të vazhdueshme, duke krijuar vështirësi serioze në qarkullimin e mjeteve, si në drejtim të Tiranës, ashtu edhe nga Tirana drejt Peshkopisë.

Në vendngjarje ndodhet Policia Rrugore, e cila po orienton drejtuesit e mjeteve të lëvizin me kujdes. Ndërkohë, mungojnë tabelat paralajmëruese që sinjalizojnë bllokimin e një korsie, çka rrit rrezikun për aksidente.

Situata e motit të keq vijon prej disa ditësh në vend. Reshjet kanë shkaktuar përmbytje dhe bllokim rrugësh në disa qytete dhe fshatra, duke krijuar vështirësi të vazhdueshme për lëvizjen dhe jetën e përditshme të banorëve.

Nga politika mund të ndiqni:

Fatmir Mediu shkon në SPAK/ Ish-ministri i Mbrojtjes ka refuzuar të prononcohet

Ish-ministri i Mbrojtjes është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme dhe ka refuzuar të prenoncohet për mediat. Ndërkohë, Mediu shihet i shoqëruar nga avokati i tij.

Mediu është paraqitur në SPAK për dosjen "Gërdeci". Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka depozituar në GJKKO provat për gjyqin në ngarkim të Mediut. Në këto prova pjesë është dhe faksi i nisur nga zyra e ish-ministrit Bumçi në drejtim të ministrisë së Mbrojtjes, për hapjen e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, shkresë e cila ka shënim emrin e Shkëlzen Berishës ‘Për Shkëlzenin', djali i kryeministrit të kohës, Sali Berisha.

SPAK gjithashtu ka kërkuar që në pyetje të merret dhe Anjola Agolli, ish-sekretare e ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi. Agolli në dëshminë e deklaratat e dhëna më përpara ka dëshmuar për dokumentin që lejon hapjen e fabrikës ku e mbishkruar është emri i Shkëlzen Berishës.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi, sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve.

Trondit gazetari/ Lulzim Basha e ka ‘shitur’ Berishën për 21 janarin

Hetimi nga SPAK për fondet e Kuvendit të Rithemelimit, që parapriu kthimin e Sali Berishës në Partinë Demokratike, ka nisur pas një kallëzimi të bërë nga Gazmend Bardhi në fund të vitit 2021 në Prokurorinë e Posaçme.

Në këtë kallëzim, ish-sekretari i përgjithshëm i PD paditi Belind Këlliçin, Albana Vokshin dhe Enno Bozdo Spahon si organizatorë të Kuvendit. Një ditë më parë, Belind Këlliçi u pyet në SPAK për origjinën e parave dhe faturat, ndërsa sot u thirr anëtari i kryesisë, Indrit Hoxha.

Gazetari Fatos Mahmutaj, u shpreh se këtë përplasje e shikon si një “karma” brenda kupolës së Partisë Demokratike.

Ai komentoi edhe takimin e Berishës në Lezhë, për të cilin tha se pasuesi i tij në krye të PD do të jetë një figurë tjetër, që do të zgjidhet nga demokratët dhe ky emër do të jetë jashtë familjes së tij.
Gazetari pohoi se PD, nën drejtimin e Sali Berishës, ka pësuar një tkurrje të madhe, duke përfunduar si parti e dorës së tretë.

Më tej, gazetari u shpreh se Sali Berisha është i zhytur kokë e këmbë në krim. Ai përmendi disa prej ngjarjeve për të cilat, sipas tij, ka gisht vetë ish-kryeministri i vendit. Ai theksoi se Lulzim Basha e ka “shitur” Sali Berishën për vrasjen shtetërore të 21 janarit, ku katër protestues të pafajshëm u ekzekutuan poshtë zyrave të Kryeministrisë.

Për më shumë klikoni tek lajmet e orës 12.00

 

edicioni informativ pamfleti

Lini një Përgjigje