
Ditën e djeshme, pas një mbledhje të gjatë të mbajtur nga Asambleja e Jashtëzakonshme e Urdhrit të Psikologut, u vendos që të shkarkohet nga detyra, kryetarja e Urdhrit të Psikologut, Valbona Treska, pas akuzave të shumta për abuzime me postin.
Por kjo e fundit, në një intervistë për "Euronews Albania", ka deklaruar se nuk e njeh asamblenë e djeshme, teska shtoi se ajo ishte e jashtëligjshme.
Sipas saj, Asambleja u zhvillua pa pritur për verifikimin e firmave të psikologëve që kërkuan të thirrej Asambleja e jashtëzakonshme.
Treska shtoi se ky takim nuk mund të quhet Asamble, me argumentin se nuk janë respektuar kushtet ligjore për thirrjen e saj.
“Një mbledhje asambleje për tu zhvilluar ka një bazë legjislative në të cilën duhet zhvilluar. Ne na ka ardhur para disa ditëve njoftim pranë urdhrit të psikologut, në formë jo-zyrtare, që janë mbledhur firma të psikologëve, për të bërë 1/3 e psikologëve për të thirrur asamblenë e jashtëzakonshme. Ende pa u depozituar këto firma dhe kjo kërkesë, president i urdhrit, pas konsultimit me Këshillin Kombëtar, ka dalë me një deklaratë në të cilën ka thënë edhe pse nuk është depozituar asnjë firmë, e nuk ka asnjë njoftim zyrtar për këtë gjë, ne jemi gati të bëjmë një takim me psikologët.
Firmat janë depozituar të enjten, të premten është mbledhur Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Psikologut dhe kemi vendosur të bëhej verifikimi i firmave, nëse psikologu që ka firmosur, është anëtar apo jo. Nesër, që është e hënë fillon verifikimi i firmave. Unë nuk e kuptoj gjithë këtë nxitje për ta bërë sa më parë, ndërkohë që ishte koha për ta bërë siç duhet dhe brenda të gjitha rregullave”, tha Treska.
Lini një Përgjigje