TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Prill 2026, 22:35

U përplas me policët, shoqërohet në komisariat avokati Altin Goxhaj

Shkruar nga Pamfleti
U përplas me policët, shoqërohet në komisariat avokati Altin
Foto e disa kohëve më parë

Policia e Tiranës ka shoqëruar në komisariat avokatin Altin Goxhaj pas një përplasjeje me efektivët e rendit, e cila ka ndodhur për shkak të një parkimi në rrugën “Kavajës”.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 16 prillit 2026, rreth orës 20:00, kur patrulla e Komisariatit Nr. 2 ishte duke marrë masa ndaj automjeteve të parkuara në korsinë e biçikletave.

Gjatë ndërhyrjes së policisë, një automjet taksi është ndaluar pas makinës së policisë, ndërsa efektivët i kanë kërkuar drejtuesit të vijojë lëvizjen. Në këtë moment, sipas policisë, nga mjeti ka zbritur avokati Altin Goxhaj, i cili ka kundërshtuar urdhrat e dhëna dhe ka nisur të ofendojë policët.

“Në këto kushte, punonjësit e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 shtetasin A. G., i cili edhe gjatë shoqërimit ka vijuar të kundërshtojë punonjësit e Policisë”, thuhet në njoftim.

Në përfundim të veprimeve procedurale, Goxhaj është proceduar penalisht për veprën “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Policia thekson se është e angazhuar për zbatimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve, ndërsa rasti mbetet në ndjekje për veprime të mëtejshme.

goxhaj policia

Lini një Përgjigje