
Ish-prefekti i Qarkut të Vlorës, Plator Nesturi, ka reaguar për herë të parë pas largimit nga detyra dhe zëvendësimit të tij nga Evis Allushi, e dekretuar së fundmi si prefekte e re e qarkut.
Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale, Nesturi ka falënderuar kryeministrin Edi Rama për besimin e dhënë, si dhe të gjithë bashkëpunëtorët institucionalë e qytetarët me të cilët ka bashkëpunuar gjatë ushtrimit të funksionit.
Ai e konsideron periudhën si prefekt si një kohë sfidash të përbashkëta, të cilat janë përballuar me bashkëpunim institucional dhe përkushtim.
“Falënderoj Kryeministrin, zotin Edi Rama, për mundësinë që më dha duke më emëruar Prefekt i Qarkut të Vlorës dhe për të kontribuar për komunitetin të cilit i përkas në zhvillimin dinamik të zonës sonë”, shkruan Nesturi.
Ai shpreh gjithashtu mirënjohje për kryetarët e bashkive të qarkut dhe qytetarët nga të gjitha njësitë vendore, duke i konsideruar si partnerë në rrugëtimin institucional. Në reagimin e tij mungon çdo referencë për arsyet e largimit apo për ndonjë kritikë ndaj mënyrës se si u bë zëvendësimi.
“Të gjithë së bashku kemi bërë të mundur që gjatë kësaj periudhe të bashkëpunojmë dhe të përballojmë sfidat që na ka sjellë koha, për të shtuar gurë të tjerë në favor të së ardhmes të vendit dhe të familjeve tona”, shkruan më tej Nesturi, duke lënë të hapur angazhimin e tij në të ardhmen.
Ndërkohë, dekretimi i Evis Allushit si prefekte e re e Vlorës është pjesë e një vale të re ndryshimesh në prefektura, të iniciuar së fundmi nga qeveria, në kuadër të riorganizimit të përfaqësuesve të pushtetit qendror në qarqe.
Reagimi i Nesturit:
MIRËNJOHJE DHE FALËNDERIM
Dua të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time për të gjithë bashkëpunëtorët e mi të cilët i pata krahë dhe më ndihmuan në ushtrimin e detyrës së Prefektit të Qarkut të Vlorës.
Falënderoj Kryeministrin, zotin Edi Rama, për mundësinë që më dha duke më emëruar Prefekt i Qarkut të Vlorës dhe për të kontribuuar për komunitetin të cilit i përkas në zhvillimin dinamik të gjithë zonës sonë.
Çmoj dhe vlerësoj kryetarët e të shtatë bashkive te qarkut Vlorë për bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm në këto muaj. U jam falënderues të gjithë qytetarëve nga Vlora, Himara, Selenica, Saranda, Finiqi, Delvina dhe Konispoli, për mesazhet e tyre vlerësuese në këto ditë duke më bërë të jem i dedikuar më shumë për të kontribuar për ta në çdo pozicion e etapë të jetës time.
Të gjithë së bashku kemi bërë të mundur që gjatë kësaj periudhe të bashkëpunojmë dhe të përballojmë sfidat që na ka sjellë koha, për të shtuar gurë të tjerë në favor të së ardhmes të vendit dhe të familjeve tona.
RESPEKT E MIRËNJOHJE për të gjithë ju.
Lini një Përgjigje