Mesdita e kësaj të premteje është shoqëruar me trafik të rënduar në aksin kombëtar Tiranë–Elbasan, ku prej orës 12:00 e në vijim qarkullimi i mjeteve, nga Tuneli i Krrabës deri në rrethrrotullimin e Bradasheshit, ka qenë dukshëm i ngadalësuar.
Shkaku kryesor lidhet me fluksin e lartë të automjeteve që lëvizin nga Tirana drejt juglindjes së vendit, një situatë që përsëritet pothuajse çdo fundjavë, veçanërisht gjatë sezonit pranveror dhe veror, kur qytetarët udhëtojnë drejt zonave turistike apo qyteteve të tjera.
Pika më problematike mbetet zona e njohur si “Hinka e Bradasheshit”, në dalje të autostradës drejt Elbasanit, ku krijohen radhë të gjata dhe bllokime të herëpashershme. Kjo nyje vijon të shkaktojë vonesa të konsiderueshme dhe vështirësi në qarkullim për drejtuesit e mjeteve.
Edhe pse në terren ndodhet Policia Rrugore, menaxhimi i situatës paraqitet i vështirë për shkak të disa faktorëve, si infrastruktura e pamjaftueshme, ngushtimi i rrugës në zonën e Dopajt, hyrje-daljet e pakontrolluara, si dhe volumi i lartë i mjeteve në një segment relativisht të kufizuar.
Autoritetet u kanë bërë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të shmangin manovrat e rrezikshme. Po ashtu, rekomandohet përdorimi i rrugëve alternative ose planifikimi i udhëtimeve jashtë orareve të pikut për të shmangur pritjet e gjata.
Situata rikthen në vëmendje nevojën për ndërhyrje infrastrukturore dhe zgjidhje afatgjata për përmirësimin e qarkullimit në këtë aks të rëndësishëm rrugor.
Lini një Përgjigje