Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Nis zbatimi i marrëveshjes në kufi/ Rikthehet lëvizja e lirë Kosovë–Shqipëri
Ka hyrë në fuqi këtë të premte marrëveshja për lëvizjen e lirë kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke rikthyer lehtësitë për qytetarët që udhëtojnë mes dy vendeve.
Marrëveshja do të jetë aktive deri në muajin tetor dhe pritet të riaplikohet edhe gjatë muajve dhjetor dhe janar, si dhe në fundjava.
Ajo synon shmangien e pritjeve të gjata në kufi dhe thjeshtimin e procedurave, duke mundësuar kalimin pa kontroll të detajuar të dokumenteve identifikuese, përveç rasteve që konsiderohen të dyshimta.
Zbatimi i saj ka sjellë një përmirësim të ndjeshëm në qarkullim, duke eliminuar radhët e gjata të automjeteve.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm kanë hyrë në Shqipëri rreth 15 mijë shtetas, shumica prej tyre nga Kosova.
Për të përballuar fluksin, në pikën kufitare të Morinës janë vënë në funksion 11 sportele, duke mundësuar një kalim të shpejtë dhe pa pengesa.
Burime nga kjo pikë kufitare bëjnë të ditur se në 24 orët e fundit kanë kaluar rreth 37 mijë qytetarë, prej të cilëve 25 mijë kanë hyrë në territorin shqiptar.
Flet Meremja që "trazoi" PD/ Nëse fitoj do jem kandidate për kryeministre, Berishën nuk e fus në qeveri
Mereme Sela, e cila aplikoi sot për kandidate për kryetare të PD-së në zgjedhjet e 23 majit, është shprehur se është shtyrë që të futet në këtë garë, si rrjedhojë e kontributit të madh që ajo pretendon se ka dhënë për komunitetin, kryesisht në fushën e mjekësisë (pasi me profesion është mjeke).
Komentet Sela i bëri në emisionin ‘Frontline’ në Report Tv, ku tha se i plotësonte të gjitha kriteret për të qenë pjesë e garës për kreun e PD-së.
Sela shtoi po ashtu se kishte qenë pjesë e Primareve të 2025 në PD, teksa kritikoi këtë proces, duke u shprehur se në atë kohë partia ishte thuajse inekzistente.
Teksa u pyet nëse gara ishte e paracaktuar për të favorizuar Sali Berishën, Mereme Sela tha se nuk kishte kritika dhe se nuk donte të luftonte me askënd. Ajo shtoi se ishte natyre e buzëqeshur dhe e paqtë.
Sherri në PS/ Klodiana Lala: Spiropali të trimërohet dhe të na tregojë anët e errëta të qeverisjes
Gazetarja Klodiana Lala, duke komentuar reagimin e ish-ministres Elisa Spiropalit pas paralajmërimit të Ramës për të mos shkruar kundër PS, ndryshe do të përjashtohet nga partia, i bëri thirrje deputetes socialiste që të trimërohet dhe të flasë.
Lala kërkoi nga Spiropali që të bëhet e penduar e drejtësisë dhe të tregojë anët e errëta të qeverisjes socialiste:
“Zonja Spiropali reagoi kur u largua nga qeveria dhe ju prishën interesat e veta. Por ndaj të njëjtin qëndrim me Preçin që sa i përket faktit që nuk iu bashkua votimit për Ballukun është akt politik. Por Spiropali ka legjitimuar të gjithë aferat, korrupsionin, maskarallëqet që kanë ndodhur. Ka të drejtën e vet të flasë dhe të na tregojë atë pjesë që nuk njohim tërësisht. Ajo të dëshmojë, meqë ka nisur këtë betejë, të trimërohet dhe të na tregojë anën më të errët të Partisë Socialiste.
Nëse Elisa Spiropali do të shndërrohej jo në të penduar drejtësie, të rrëfejë anën e errët, t’i bëjë shërbim të madh Shqipërisë. Por nëse na vajton se vajtën tatimet te biznesi i saj, mbetet një vajtojcë e vogël”, tha Lala
Përplasja Spiropali-Rama
Arben Malaj :PS po shkon drejt fatit të PASOK, do shpërbëhet!
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj ka komentuar debatet e brendshme në Partinë Socialiste pas përplasjes mes kreut të partisë, Edi Rama dhe deputetes Elisa Spiropali.
Sipas tij, e ardhmja e Spiropalit nuk duhet të vendoset se çfarë do të bëjë Rama me të, por të dalë nga grupi parlamentar për të sjellë diçka të re dhe shpresëdhënëse.
“Jemi në një krizë të lidershipit politik, PS po shkon drejt fatit të PASOK, do shpërbëhet, do shkojë në pikën e saj më të ulët dhe kjo do të jetë përgjegjësi e atyre që kanë besim të verbër ndaj kryetarit. Rotacionet kanë ndodhur kur është çarë partia në pushtet, kështu ka ndodhur edhe në rotacionin shqiptar.
Për Spiropalin po kuptoj një gjë, Rama nuk do të nxitojë ta përjashtojë se nuk do t’i lërë kohë të organizohet, kjo është sfida e Spiropalit, do dalë përballë siç bëri lideri në Hungari apo do presë”, tha Malaj për Euronews Albania.
Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali duket se ka shkelur vijën e kuqe të partisë me kritikat e ashpra publike përmes disa postimeve në mediat sociale, kufij që kryeministri Rama ia bëri të qartë në mbledhjen e kësaj e 27 Prillit të grupit socialist dhe ministrave.
Krisja e parë e madhe ndodhi kur Spiropali theu urdhrin e partisë dhe nuk mori pjesë në votimin për imunitetin e Belinda Ballukut.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje