1 Maji njihet në mbarë botën si Dita Ndërkombëtare e Punës, një manifestim që buron nga përpjekjet historike të punëtorëve për të siguruar të drejtat, liritë dhe kushte më të mira pune dhe jetese.
“Do të vijë një kohë kur heshtja jonë do të jetë më e fuqishme se zëri që ju po mbytni sot”. Këto ishin fjalët e fundit të August Spies, një prej katër punëtorëve të ekzekutuar pas ngjarjeve të majit 1886 në sheshin “Haymarket” në Çikago. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij u dënuan për shkak të angazhimit në lëvizjen për të drejtat e punëtorëve dhe kërkesën për vendosjen e orarit 8-orësh të punës.
Ngjarjet në Haymarket, ku humbën jetën disa drejtues të lëvizjes punëtore, u kthyen në simbol të sakrificës dhe rezistencës së klasës punëtore. 1 Maji u themelua pikërisht në kujtim të këtyre martirëve dhe për të shënuar solidaritetin ndërkombëtar të punëtorëve.
Në vitet 1880, situata në Shtetet e Bashkuara karakterizohej nga tensione të forta mes punëtorëve dhe punëdhënësve. Autoritetet dhe institucionet shpesh ndërhynin në favor të këtyre të fundit, ndërsa protestat e punëtorëve përballeshin me represion. Përpjekjet për vendosjen e ditës 8-orëshe të punës morën formë konkrete në vitin 1884, kur organizatat punëtore miratuan një rezolutë që kërkonte zbatimin e këtij standardi duke nisur nga 1 maji 1886.
Më 1 maj të atij viti, mbi 200 mijë punëtorë në Çikago nisën greva masive për të kërkuar të drejtat e tyre. Protestat u konsideruan “absurde” nga një pjesë e mediave të kohës, ndërsa përshkallëzimi i situatës çoi në përplasje të dhunshme. Vdekja e disa policëve gjatë këtyre ngjarjeve u përdor si arsye për ndërhyrje të ashpër nga autoritetet.
Ngjarjet kulmuan me shpërthimin e një bombe dhe pasojat tragjike që pasuan, duke shënuar një moment kthese në historinë e lëvizjes punëtore. Këto zhvillime e kthyen muajin maj në simbol të përpjekjeve për të drejtat e punëtorëve.
Tre vjet më vonë, në vitin 1889, Internacionalja e Dytë Socialiste, e mbledhur në Paris, vendosi që 1 Maji të shpallej zyrtarisht si dita e bashkimit, luftës dhe solidaritetit të punëtorëve në të gjithë botën.
Lini një Përgjigje