
Një efektiv i patrullës së përgjithshme në Kuçovë mbeti i plagosur mbrëmjen e së hënës gjatë shoqërimit në komisariat të një personi të dyshuar. Rrethanat e ngjarjes nuk janë bërë ende të qarta, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur shkaqet dhe për të verifikuar nëse janë respektuar të gjitha procedurat standarde të sigurisë nga ana e policisë.
Ngjarja rikthen në vëmendje rrezikun me të cilin përballen efektivët gjatë ushtrimit të detyrës, veçanërisht policët e rinj dhe me më pak eksperiencë në terren.
Vetëm pak ditë më parë, dy efektivë të policisë në Durrës rrezikuan jetën pasi një drejtues mjeti, i dehur dhe pa leje drejtimi, u përplas qëllimisht me automjetin e tyre të patrullës. Sipas ekspertëve të sigurisë, raste të tilla tregojnë nevojën për më shumë trajnim dhe pajisje mbrojtëse për uniformat blu.
Eksperti i sigurisë Fatjon Softa thekson se policët nuk duhet të ndërhyjnë të vetëm në situata të rrezikshme dhe duhet të pajisen me mjete neuroparalizuese për të neutralizuar kërcënimet.
“Të mos jenë vetëm kur ndërhyjnë, të kenë mjete neuroparalizuese. Nuk dihet rreziku që mund të vijë nga një makinë me xhama të zinj. Duhen më shumë trajnime, sidomos për policët e qarkullimit rrugor”, u shpreh ai për "TCH".
Përplasjet mes policisë dhe personave të armatosur kanë sjellë edhe pasoja fatale në të kaluarën. Një prej rasteve më të rënda ishte ai i efektivit të forcave “Shqiponja”, Nevruz Cenaliaj, i cili humbi jetën në Fier dy vite më parë gjatë kryerjes së detyrës dhe më pas u shpall dëshmor i atdheut.
Lini një Përgjigje