Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Mejdani, ka reaguar pas protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet në gjuhën shqipe. Në protestë morën pjesë edhe studentë nga Tirana, të cilët udhëtuan drejt Shkupit për të mbështetur kërkesën e bashkëmoshatarëve të tyre shqiptarë në RMV.
Kujtojmë se një autobus me studentë nga Shqipëria u ndalua në doganën e Bllatës, në Dibër, dhe nuk u lejua të kalonte kufirin drejt Maqedonisë së Veriut.
Në reagimin e tij, Mejdani thekson se të rinjtë nuk po kërkojnë privilegje, por dinjitet, barazi dhe respekt për të drejtat themelore.
Në një reagim në Facebokk, Mejdani thotë se kur studentët ndalohen ajo prek vetë mirëkuptimin demokratik dhe frymën europiane që synojmë të ndërtojmë si rajon.
"Kur studentë ndalohen, vonohen dhe intimidohen teksa udhëtojnë për të shprehur paqësisht solidaritet për një të drejtë gjuhësore, çështja pushon së qeni vetëm procedurale.
Ajo prek vetë mirëkuptimin demokratik dhe frymën europiane që synojmë të ndërtojmë si rajon.
Studentët shqiptarë nga Tirana udhëtuan drejt Republikës së Maqedonisë së Veriut jo për përplasje, por për solidaritet qytetar dhe për të mbështetur një kërkesë elementare: të drejtën për t’u testuar dhe për të ushtruar profesionin në gjuhën amtare.
Këta të rinj nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për të drejtat themelore.
Dhe një kërkesë për dinjitet nuk duhet të perceptohet kurrë si kërcënim, sidomos në vende që synojnë t’i bashkohen familjes europiane dhe të ndërtojnë të ardhmen mbi vlerat e demokracisë, barazisë dhe të drejtave themelore", shkrun Ambasadori.
Lini një Përgjigje