Një autobus me studentë shqiptarë nuk është lejuar të hyjë në Maqedoninë e Veriut përmes pikës kufitare të Bllatës në Dibër. Deri tani, autoritetet maqedonase nuk kanë dhënë sqarime për arsyet e këtij vendimi.
Ngjarja ndodh në prag të protestës së radhës të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të planifikuar për këtë të martë. Ata kërkojnë zbatimin e të drejtës për të zhvilluar provimet universitare në gjuhën shqipe.
Për koordinimin e protestës, studentët kanë zhvilluar takime në disa qytete, përfshirë Kumanovën, Tetovën, Strugën dhe Shkupin. Reagimi nisi fillimisht nga studentët e Fakultetit Juridik, të cilët prej dy vitesh kërkojnë të japin provimet në gjuhën amtare, pa marrë ende përgjigje institucionale.
Kërkesa e tyre lidhet me të drejta të parashikuara në Kushtetutë dhe me detyrimet që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Çështja ka hapur debat edhe për përfaqësimin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në një periudhë kur partitë shqiptare janë pjesë e qeverisë.
Protesta e parë u mbajt më 6 prill në Shkup dhe përfundoi para Ministrisë së Drejtësisë. Pas asaj proteste, studentët thonë se nuk ka pasur hapa konkretë nga institucionet për adresimin e kërkesave të tyre.
Lini një Përgjigje