Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Nuk kanë fund skandalet/ Infermierja e Psikiatrisë keqtrajton pacientët
Nuk kanë fund skandalet në shëndetësinë shqiptare. Një video tronditëse e publikuar së fundmi ka nxjerrë në pah një tjetër rast të rëndë të keqtrajtimit të pacientëve brenda sistemit publik shëndetësor, këtë herë në repartin e
Psikiatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Pamjet, të publikuara fillimisht nga JOQ Albania, tregojnë një paciente të shtruar në repartin e psikiatrisë, e cila refuzon të marrë medikamentet duke pretenduar se është shtatzënë. Në vend të një reagimi profesional dhe qetësues, në video dëgjohet një punonjëse shëndetësore që i drejtohet pacientes me tone fyese dhe kërcënuese.
“Ik se po të sh****j robt!”, dëgjohet të thotë infermierja në video, në një komunikim që ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik.
Por denoncimi nuk ndalet vetëm te gjuha fyese. Sipas personit që ka publikuar rastin, pacientëve në repart u jepen medikamente edhe nën presion, ndërsa në disa raste pretendohet se përdoret forcë fizike për administrimin e tyre.
Nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, rasti ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën e trajtimit të pacientëve të shëndetit mendor në institucionet publike dhe mbi kontrollin e standardeve etike brenda spitaleve.
Ngjarja konsiderohet edhe më e rëndë për shkak se bëhet fjalë për pacientë në gjendje të brishtë psikologjike, të cilët teorikisht duhet të trajtohen me kujdes maksimal, durim dhe profesionalizëm.
Pas publikimit të videos, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” reagoi zyrtarisht, duke e cilësuar rastin si një “cenim të papranueshëm të etikës profesionale”.
Skandali, avioni i “Air Albania” përfundon në Moskë/ Sinan Idrizi ndihmon rusët të shmangin sanksionet
Skandalet në Shqipëri nuk kanë fund si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Kësaj radhe bëhet fjalë për avionët e kompanisë “Air Albania”, të Sinan Idrizit, (tashmë të falimentuar), të cilat kanë përfunduar duke u përdorur nga Rusia për të anashkaluar sanksionet e vendosura nga vendet e BE-së dhe SHBA-ja.
Një nga avionët e “Air Albania”-s, që mesa duket është bërë pjesë e skemës ruse të anashkalimit të sanksionevem, është parë kohët e fundit duke fluturuar në Moskë.
Skema është pikasur nga një media zvicerane “Blick”, e cila ka zbuluar me detaje se si operohet në këto raste. Pjesa më e çuditshme dhe që përbën skandal, dhe për të cilin qeveria shqiptare duhet të japë sqarime pasi edhe shteti shqiptar ka qenë pjesë e kësaj kompanie, është fakti se avioni i cili përdoret në Moskë mban ende të stampuar logon e “Air Albania”-s.
Në momentin që avionët e marrë me qira nga kompania e Sinan Idrizit janë rikthyer te kompania ‘mëmë’, pas falimentit, logot dhe emri i përdorur në këto avionë duhet të ishin fshirë. Nëse një gjë e tillë ka ndodhur qëllimisht, lindin dyshime të arsyeshme për përfshirje të palës shqiptare, me në krye Sinan Idrizin, në skemën ruse të anashkalimit të sanksioneve. Për të gjitha këto qeveria shiptare duhet të japë një përgjigje.
Mbështeti protestën në Shkup/ Laert Vasili: Kthimi në Shqipëri do të jetë i vështirë
Aktori Laert Vasili i cili ka mbështetur sot protestën e studentëve në Shkup për gjuhën shqipe, ka folur mbrëmjen e sotme.
Ai është shprehur se situata ka qenë e vështirë sepse ka bllokime rrugësh dhe persona të arrestuar.
“Situatë jo fort e këndshme. Kanë ndodhur arrestime. Djali I një dëshmori është arrestuar. U bashkova në protestë me veteranët e UÇK dhe tashmë jam në besën e tyre. Kthimi në Shqipëri do të jetë i vështirë sepse ka postoblloqe. Jemi në një ambient ku nuk mund të themi ku jemi sepse News24 nuk ndiqet vetëm në Shqipëri”, tha ai.
Ai ka treguar se ka zgjedhur të kalojë kufirin në orët e para të mëngjesit, për të shmangur bllokimin në kufi, ndërsa ka shtuar se protesta ishte paqësore dhe duke ndjekur të gjithë rregullat, por në shpërndarje të protestës policia ka ndaluar persona, dhe kush ka kundërshtuar është arrestuar.
Zjarri te fruta-perimet në Lushnje/Saimir Korreshi: I vetmi burim për të mbajtur familjet, të dëmshpërblehen
Deputeti, Saimir Korreshi ka reaguar pas zjarrit që përfshiu tregun e fruta-perimeve në Lushnje, duke kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e shkaqeve që çuan në përhapjen e flakëve.
Korreshi u bëri thirrje autoriteteve të marrin masa për dëmshpërblimin e tregtarëve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në treg dhe paguajnë taksa rregullisht.
Ai kërkoi gjithashtu rikthimin e strukturës në gjendjen e mëparshme dhe një rikonceptim të saj, duke theksuar se ambienti ka pasur probleme që prej inaugurimit. Sipas tij, tregtarët janë ankuar vazhdimisht për temperaturat e larta gjatë verës, si edhe për depërtimin e shiut dhe të ftohtit në dimër.
“I bëjmë thirrje autoriteteve të zbulojnë shkaqet e zjarrit, dëmshpërblimin e tregtarëve qe e paguajnë taksat për ushtrimin e aktivitetit. Rikthimin e strukturës në gjendjen e mëparshme një rikonceptim tjetër pasi aty është efekt sere gjatë verës dhe shi e ftohtë që hyn gjatë dimrit, për të cilën, tregtarët, janë ankuar që në inaugurimin e tij”, ka thënë ai.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje