TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Maj 2026, 10:43

Helmimi i 56 studentëve nga ushqimi i “SORI-AL” i Nikolin Jakës, thellohen hetimet; Prokuroria merr në pyetje dy zyrtarë

Shkruar nga Pamfleti
Helmimi i 56 studentëve nga ushqimi i “SORI-AL” i Nikolin
Jaka e Tafani

Prokuroria e Tiranës ka thelluar hetimet lidhur me skandalin e pak ditëve më parë ku 56 studentë të Akademisë së Sigurisë u helmuan nga ushqimi i “Sori-Al”, kompanisë së Nikolin Jakës dhe Alma Tafanit.

Nga analizat ka rezultuar se në një prej produkteve që përfshinte paketën ushqimore të studentëve, më konkretisht makaronat, është gjetur prani e baktereve Stafilokok koagulaze dhe Escherichia Coli.

Kontaminimi ka ndodhur gjatë gatimit, ndërsa është konkluduar se shkaku i pranisë së baktereve kishte lidhje me kushtet jo të mira higjienike në vendin ku bëhej gatimi i ushqimit.

Prokuroria e Tiranës nisi hetimet lidhur me rastin, ndërsa raportohet se procesi hetimor është thelluar. Sot në Prokurori është paraqitur për tu marrë në pyetje Ersid Hasanllari, ish-kreu i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për Tiranën, por edhe Flutura Polaci, drejtore e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor.

Të dy janë thirrur për të dhënë deklaratat e tyre para grupit hetimor. Dëshmitë e tyre pritet të hedhin më shumë dritë mbi helmimin masiv të studentëve të akademisë së sigurisë, ndërsa pas ngjarjes AKU bllokoi aktivitetin e kompanisë si dhe e gjobiti atë me 1.5 milionë lekë për ushqim të pasigurt dhe kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare.

Hetimet pritet të hedhin dritë mbi mënyrën se si kompania “Sori-Al” ka fituar tenderin, por edhe për atë se si operon në kushtet kur nuk plotësonte kushtet higjeno-sanitare. Kjo për faktin se helmimi i 6 majit 2026 të studentëve të akademisë së sigurisë është rasti i 3-të që ndodh me të njëjtën kompani, që furnizon gjithashtu me ushqime një seri çerdhesh dhe qendra spitalore.

Pas helmimit të studentëve, Policia e Tiranës arrestoi teknologen dhe kuzhinierin si dhe ka shpallur në kërkim pronaren e kompanisë për helmimin e studentëve të Akademisë së Sigurisë.

Studentët që u helmuan kanë pasur simptoma të rënda, me të vjella dhe dhimbje të forta barku. Pasi janë paraqitur në spital, kanë marrë mjekim, serume, ata janë kthyer sërish në Akademinë e Sigurisë.

Deri në fund të vitit 2025, kompania Sori-Al rezulton si fituese e 75 tenderave publikë, me vlerë totale 4.2 miliardë lekë.

Për studentët e policisë, rasti i datës 6 maj 2026 është hera e tretë, pas vitit 2015, që kompania “Sori-Al” e Nikolin Jakës i helmon me ushqime, duke u rrezikuar jetën, ndërsa është toleruar nga drejtuesit e Akademisë, me të cilët ka bërë pazare.

Rasti i parë është helmimi i 63 studentëve të policisë, më 18 maj 2015. Ky helmim u tentua të mbahej i fshehtë nëpërmjet çeqeve të biznesmenit Nikolin Jaka, dhënë drejtuesve, por u zbulua kur gjendja e studentëve u rëndua dhe ata u dërguan në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë.

Rasti i dytë është helmimi i 30 studentëve të policisë, më 3 mars 2021, kur përsëri drejtuesit e Akademisë së Policisë, në pazar me biznesmenin Nikolin Jaka, tentuan ta mbanin të fshehtë, por gjendja e studentëve u rëndua dhe ata u dërguan në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë.

 

 

prokuroria jaka tafani

Lini një Përgjigje