Mirlinda Karçanaj, ish-Drejtoresha e AKSHI-t, u paraqit sot në SPAK në respekt të masës së sigurisë së vendosur ndaj saj, pas hetimeve që Prokuroria Speciale ka nisur lidhur me këtë institucion.
Qëndrimi i Karçanajt në SPAK ka zgjatur pak minuta, që do të thotë se ish-zyrtarja ka përmbushur kështu detyrimin e caktuar nga masa e sigurisë.
Ish-Drejtoresha e AKSHI-t ka shmangur komentet për mediat, ndërsa mbrojtësja e saj ligjore ka thënë se Karçanaj do të flasë kur ta shohë të arsyeshme.
SPAK ka nisur hetimet lidhur me prokurimet publike të AKSHI-t, ndërsa dosja konsiderohet ndër më voluminozet.
Pak ditë më parë, në një intervistë televizive, ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, deklaroi se nuk është marrë me procesin administrativ të procesit të prokurimit gjatë kohë që drejtonte këtë institucion. Ajo tha se këtë proces ja kishte deleguar ish-zëvendësit të saj, Daniel Shima, i cili u denoncua i zhdukur për disa orë nga familjarët e tij, për tu kthyer më pas në shtëpi dhe duke thënë në polici se është larguar vetë.
Karçanaj theksoi se Shima ka qenë përgjegjës për të gjithë procesin administrativ të procesit të prokurimit dhe se ja kishte deleguar atij autoritetin kontraktor.
“Daniel Shima ka qenë përgjegjës për të gjithë procesin administrativ të procesit të prokurimit. Unë kam qenë e përqendruar të plotësohet procedura teknologjike për tu bërë AKSHI, ky që është sot.
Unë personalisht nuk jam marrë me këtë proces, por jam përkushtuar për të ndjekur me kujdes këtë proces që të bëhet brenda rregullave.
Në një periudhë unë e kam deleguar autoritetin kontraktor te Daniel Shima dhe gjatë kësaj periudhe nuk kam pasur komunikim në lidhje me këtë procedurë.
Unë nuk dua të paragjykoj Daniel Shimën në lidhje me atë çka po thuhet në media, por duhet të them se institucionet duhet të hetojnë me seriozitet”, tha ajo.
Lini një Përgjigje