TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Maj 2026, 13:50

SPAK mbylli çështjen, GJKKO detyron Prokurorinë Speciale të hetojë Irena Gjokën

Shkruar nga Pamfleti
SPAK mbylli çështjen, GJKKO detyron Prokurorinë Speciale
Irena Gjoka

GJKKO vendosi të rikthejë për hetim në SPAK çështjen që lidhet me Irena Gjokën, ish-drejtuesen e Gjykatës Speciale.

Gjoka dyshohet se nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit një dënim penal dhënë nga autoritetet greke për përdorimin e një vize të falsifikuar.

Nëse kjo provohet nga autoritetet shqiptare, Gjoka rrezikon jo vetëm ndërprerjen e karrierës në sistemit e drejtësisë, por mund të përballet edhe me një dënim penal.

SPAK kërkoi mbylljen e çështjes në GJKKO, por kjo e fundit ka urdhëruar Prokurorinë Speciale që të vijojë hetimet, madje duke i përcaktuar edhe detyrat që duhet të përmbushen brenda 6 muajve.

Gjyqtarja e GJKKO-së, Marinela Osmani, vendosi të kthejë dosjen në SPAK për plotësim hetimesh duke i caktuar 20 detyra hetimore që SPAK nuk i kishte kryer ndaj dosjes së Irena Gjoka.

Avokati Genc Gjokutaj, i cili mbron edhe ish-Kryeministrin Sali Berisha, duke komentuar vendimin e GJKKO-së tha se ai rivendos çështjen në shina dhe është një përgjigje ligjore që zbulon shumë anë të hetimit të kësaj çështjeje.

“GJKKO vendosi SPAK-un para përgjegjësisë për të hetuar këtë çështje, një nga çështjet më të rëndësishme sa i takon jo vetëm hetimit, cilësisë së tij por dhe integritetit të GJKKO-së”, tha Gjokutaj.

Irena Gjoka është kallëzuar nga Adriana Kalaja për fshehje të dënimit në formularin e dekriminalizimit. Në vitin 2005, ajo u ndalua në kufi me dokumente të parregullta dhe u dënua në Greqi me 3 muaj burg, të konvertuar në gjobë prej 1500 euro.

SPAK kërkoi pushimin e çështjes duke pranuar se Irena Gjoka është dënuar por me pretendimin nuk ka patur dijeni për dënimin e saj dhe për këtë arsye nuk mund të gjykohet.

  

gjoka gjkko spak

Lini një Përgjigje