
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka komentuar tarifën prej 10% e vendosur nga presidenti i SHBA, Donald Trump ndaj Shqipërisë.
Ai ka shprehur shqetësimin e tij për impaktin e tarifave të reja tregtare, që kanë përfshirë pothuajse të gjithë partnerët tregtarë të Shteteve të Bashkuara.
Malaj theksoi se ky vendim mund të ketë pasoja serioze edhe për ekonomitë e rajonit dhe potencialisht edhe për Shqipërinë.
“Vendimi i Trump është për t’u shqetësuar. Nëse preken ekonomitë përreth nesh, si Italia, Greqia apo Turqia, atëherë ekziston një rrezik real që pasojat e këtyre tarifave të reflektohen edhe në vendin tonë përmes inflacionit të rritur”, tha Malaj për “News 24”.
Sipas tij, shqetësimi kryesor qëndron tek përdorimi i tarifave jo vetëm për qëllime tregtare, por për interesa gjeopolitike.
“Trump nuk po i përdor tarifat për një luftë tregtare klasike, por për përfitime gjeopolitike. Kjo e bën situatën më të paparashikueshme dhe të rrezikshme për ekonomitë më të vogla dhe më të ekspozuara si e jona”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje