Zv.Kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, përmes avokatëve të saj, ka depozituar në Gjykatën e Lartë një rekurs, përmes të të cilit kërkohet që mesazhet telefonike të mos konsiderohen si provë. Më konkretisht avokatët e Ballukut i referohen një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, telefoni nuk mund të sekuestrohet pa një vendim gjykate.
Sipas Top Channel, me shpjegimin e tyre, avokatët thonë se në respekt të Gjykatës Kushtetuese, çdo mesazh i përftuar nga telefoni duhet konsideruar si provë e papërdorshme.
Në verën e 2025, Kushtetuesja i vendosi kufi SPAK-ut për mënyrën si sekuestrohen telefonat, veçanërisht prekjes së komunikimit të postës (mesazheve).
Momenti i dytë që ndalen avokatët e Ballukut është arsyetimi se nuk ka asnjë rrezik që Belinda Balluku të arratiset nga Shqipëria dhe ndaj duhet hequr masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit. Dhe si provë sillen tre udhëtimet mbas muajit tetor 2025 kur Belinda ishte thirrur për tu pyetur nga SPAK dhe ku ju komunikua akuzë, raporton TCH.
Por në pritje për një vendim nga Gjykata Kushtetuese dhe nga këshilli i mandateve, SPAK ka kryer sekuestro dhe këqyrje të shumta mes tyre edhe biznesmenësh të përmendur në tendera.
Tashmë i takon Gjykatës Kushtetuese të japë një vendim lidhur me atë nëse një gjykatë mund të pezullojë nga detyra ose jo një anëtar të kabinetit qeveritar, ndërsa Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve duhet të shprehet sa i takon kërkesës së SPAK që kërkon autorizimin për një masë sigurie më të ashpër ndaj zv.Kryeministres.
Lini një Përgjigje